Të nderuar miq! Këtë shkrim a shkarravinë do ta filloj me ca vargje të poezisë “Anës lumenjve” të Fan S. Nolit, ku ai i këndon vatanit dhe miletit.

“Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.”

 
Mbasi nuk e di me “tamam” se pse e shkroi këtë poezi Noli dhe kujt ia kushtoi, mua më mbetet të them se kjo poezi gjithsesi që nuk u qe kushtuar shqiptarëve të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe në veçanti shqiptarëve të Anës së Luginës së Preshevës, të cilët sot e gjithë ditën e Perëndisë mbijetojnë edhe përkundër “mungesës” së përkujdesjes sonë kolektive ndaj statusit të tyre. Gjithsecili që merret me shkrime e ka pak të “sikletshme” të shkruajë vështrime të tilla, jo pse nuk do t’ua përfillin lexuesit, por për arsye se ato paragjykohen dhe urrehen këmbë e krye nga ata që kanë mendime krejtësisht ndryshe.
Pavarësisht se titulli i këtij shkrimi mund të paragjykohet a të shtrembërohet, do t’i referohem ndodhisë a takimit të paradokohshëm të Prizrenit, ku kryeministrat e dy shteteve shqiptare, gjegjësisht të Shqipërisë dhe të Kosovës, diskutuan çështje nga më të ndryshmet. Se a ishin ato të diskutueshme, parimore a çështje kombëtare, kjo ka pak rëndësi. Megjithatë, pasditen që përfundoi ai takim, opinionistët, analistët po edhe kolumnistët shqiptarë, gjithandej ku jetojnë dhe veprojnë (përfshi edhe artikullshkruesin), bënë “hyxhym” për të shkruar diç në lidhje me këtë takim, gjithsesi nga këndvështrimi dhe “takati” mental i tyre. Disa këtë “mbledhje” e konceptuan si një butafori mashtruese, ca si një takim propagandistik e recidivist, nacionalist dhe së fundi edhe simbolik. Kishte edhe të tillë që thanë se kjo mbledhje e dy kryeministrave ishte një kopje e zbehtë e Lidhjes së Prizrenit (1878) ose e Lidhjes së Dytë të Prizrenit (1943).
Disa të tjerë thanë se ishte një “mbledhje” a një takim ndërqeveritar i ngjyrosur me simbolikë, metaforë, “fodullëk” (karakteristik për popujt e Ballkanit), një takim populist, partiak, folklorik dhe më pak historik (ata që thanë se ishte “historik” iu referuan shtëpisë së qytetit me shatërvan të bukur)…, një takim burrash “…, ku u përcollën mesazhe konkrete ndaj partneritetit (të munguar-nënvizim im) strategjik për intensifikimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit ekonomik, politik, kulturor dhe arsimor mes dy shteteve shqiptare”. Ca të tjerë, respektivisht “gojëkëqijtë”, Thaçin dhe Ramën i konceptuan thjesht si kalimtarë të rastit, po edhe si misionarë të kombit (!?) etj…, një takim ku kryeministri i Republikës së Shqipërisë, duke u ndier “superior”, ashtu pa “dashje” shkeli protokollin e takimit dhe e gjithë kjo sikur krijoi përshtypjen se nuk u mor vesh se kush ishte “i zoti i shtëpisë dhe kush mysafiri”(!?). Se ishin muhabete burrash, fjalë a premtime të vonuara, se ishte takim butaforik, nacionalist, historik a edhe gjithëkombëtar, mua nuk ma kap rradakja, por ama se ishte një takim gënjeshtre dhe talljeje me shqiptarët e Republikës së Maqedonisë, të Malit të Zi dhe në veçanti me ata të Luginës së Preshevës, nuk e luan as topi i sulltan Hamitit!
Ishte një takim ku u hetua kompleksi i inferioritetit të Hashimit, një takim me të folme paksa nëndialektore (“A ke nirthtë” – Hashim Thaçi). “E mira e këtij takimi” ishte se shqiptarët e dy shteteve fillimisht duhet të “integrohen me njëri-tjetrin” e mandej të trokasin në dyert e Evropës, si në aspekt ekonomik, kulturor, politik, po, qoftë edhe gjuhësor (hiq mënjanë shqiptarët që nuk u ftuan në atë takim). Sikur z. Rama dhe z. Thaçi  thanë se do ta konsolidojnë dhe do ta forcojnë kështjellën e harmonisë fetare  (e cila, si duket, në kohë të fundit ka filluar të luhatet, pasi që armiqtë tanë kanë filluar t’i ngjisin nga një bisht fesë së çdo shqiptari. Myslimanit ia ngjitën atë radikalizmin, shqiptarin ortodoks e konceptojnë si grek dhe katolikun si italian apo evropian)…, sikur deshën të thonë se sot e më pastaj nuk do ta anashkalojnë integrimin gjuhësor, nuk do të lejojnë që në të ardhmen të nëpërkëmben frytet e dala nga Kongresi i Drejtshkrimit (1972), nuk do të lejojnë të avancohet as gegërishtja, po as edhe toskërishtja.
Sikur në atë “mbledhje” ndërqeveritare, z. Thaçi dhe z. Rama thanë se, në aspekt të bashkëpunimit tregtar, shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë nuk mund të kënaqen me atë pesë përqindëshin e këmbimit tregtar mes dy shteteve. Sikur sot integrimi kulturor nuk mund të bëhet jashtë institucioneve, gjegjësisht pa i shembur barrierat e kufijve shtetërorë,  sikur çështjet arsimore mes dy shteteve, me përdorimin e abetares së ashtuquajtur mbarëkombëtare, hë për hë janë zgjidhur, sikur thanë se për t’u avancuar arsimi si veprimtari shoqërore, shqiptarët e dy shteteve duhet t’i harmonizojnë fillimisht planet dhe programet mësimore andej dhe këtej kufijve administrativë, sikur kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z Rama, i tha Ramushit: “Or burrë, a mos vallë i harruam shqiptarët e tjerë t’i ftojmë në këtë mbledhje mbarëkombëtare”!?…, sikur Hashimi ia ktheu: “Vëlla i dashur, mos vallë Brukseli dhe Uashingtoni të pëshpëritën në vesh e të thanë se në këtë takim nuk ka vend për shqiptarët e tjerë që u mungon shteti…, a mos vallë të  thanë harroje Koço Danajn i cili në vijimësi llafos idenë për krijimin e Shqipërisë natyrale”(!?)
Për ta përfunduar këtë “muhabet dedikuar mbledhjes” në fjalë, do të parashtroj pyetjen se a mos vallë koha e sloganeve bajate (demagogjike), folklorike, folkpatriotike, mbase edhe nacionaliste, një herë e përgjithmonë ka ikur?!
Ndoshta sot, edhe pas këtij takimi mes z. Thaçi dhe Rama, shqiptarët e Luginës së Preshevës me gojën plot do ta parafrazojnë atë shprehjen proverbiale që thotë: “Ka mamaja, ka babai, i mjeri unë që nuk kam”!
“Më mirë të rrish i qetë dhe t’i bësh të tjerët të mendojnë që je budalla, sesa të flasësh dhe t’ua heqësh të gjitha dyshimet”, do të thoshte A. Linkolni.