Sasia përballë cilësisë
Në shkollat e vendeve kodrinoro-malore të Maqedonisë, po bile edhe ato të “qyteteve” Veri-Perëndimore (ne fakt shqiptare) ku jo vetëm kushtet hapësinore dhe fizike janë afrikane por edhe numri i nxënësve në klasa është mesatarisht 50% mbi nivelin e mesatares te shkollat elitare.
Duke iu referuar sërish analizës së arsimit në trende të përgjithshme dhe në theks të veçantë rrethanave tona regjionale dhe kombëtare, pas shtjellimit të fundit, para tre vitesh me titull “Arsim apo improvizim”, dëshiroj të inicioj një debat po aq të nevojshme edhe në këtë sferë të jetës tonë shoqërore. Jo sa për të pasur debat, por të kërkojmë model të zgjidhjes perspektive për gjeneratat e reja. Në retrospektive të këtij shtjellimi dhe në pasqyrim të sotëm titulli më real do ishte jo dilemik, por konkludues, i formuluar si “Improvizim e jo arsim”! Të gjitha promovimet e politikave të bazuara në sloganet “Arsimi është fuqi” përfundojnë në demagogji.
Një elaborim i serishëm nga perspektiva e sotme e arsimit në përgjithësi, me theks të veçantë në aspektet e tij ekonomike, gjithmonë në “dioptrinë” personale (si një pjesëtar i brendshëm i këtij “esnafi” tash e 15 vite) duket si vijon.
Nëse 20 vite me parë pjesëmarrja e shpenzimeve publike për arsimin në përgjithësi ishte 5,2% e PBB-së (rreth 120 mil. euro), sot në buxhetin e 2013-tës është rreth 4% e PBB-së (ose rreth 300 mil. euro), ndërkohë që në buxhetin e vitit vijues (2014) janë paraparë gjithsej rreth 360 mil. euro (rreth 4,5% e PBB-së), që vështirë se do realizohet pa një rishikim, si zakonisht. Nga ky aspekt rezulton se pjesëmarrja e shpenzimeve të gjithmbarshme të arsimit në produktin e përgjithshëm shoqëror aktualisht është rreth 15% më e ulët (krahasimet reale janë ato relative e jo në shifra absolute). Bile edhe buxheti në vlera absolute, krahasuar me dy dekada më parë, është trefishuar. Të mos harrojmë se sot arsimi i mesëm është i detyrueshëm dhe kjo ka rezultuar me përfshirje në arsim të lartë mbi 90% të atyre që kryejnë shkollat e mesme! Prandaj sloganet populiste të politikave të arsimit janë vetëm për konsum politik sezonal.
T’i analizojmë pak aspektet cilësore të arsimit. Menaxhimi i cilësisë në arsim, sipas standardeve ndërkombëtare nënkupton së paku përmbushjen cilësore të disa parakushteve. E para e mbi të gjitha është kuadri cilësor, i cili sot, fatkeqësisht është në gjendjen më të keqe ndoshta në 50 vitet e fundit. Kuptimi për mësuesin ka humbur në të gjitha aspektet që nga fillimi i tranzicionit. Dikur ai ishte sinonim i intelektualitetit, i arsimuar në sistem të rregullt dhe formal dhe shembull lakmie për tjerët. Idhulli i nxënësit dikur ishte mësuesi, kurse sot ai është referencë nënçmuese. Gjithmonë duke përjashtuar këtu individë që janë pakicë dhe meritojnë shumë respekt. E dyta vlerë që kërkohet është programi mësimor/studimor dhe matja e performancës përmes llogaridhënies krahas sistemit të menaxhimit dhe mbikëqyrjes. Sot ky parakusht është vetëm kuptim teorik. Mbikëqyrja e cilësisë në arsim, si nga aspekti sasior ashtu edhe cilësor, është proces qesharak – kush kujt i jep llogari! Boss-i është komandanti dhe militanti partiak dhe të gjitha tregimet e tjera janë retorikë boshe. E treta janë kushtet fizike të shkollës/universitetit e deri te baza materiale e mësuesit e profesorit. Shkollat janë në gjendje të mjerueshme (tavanet u bien mbi kokë), infrastruktura duket si mesjetare, edhe pse shënojmë “përpjekje” për kompjuterizim, ndërsa pagat e mësuesve janë në statusin e ndihmave sociale. Ku mbetet dinjiteti i mësuesit kur nxënësit ua “paguajnë” edhe kafenë e mëngjesit! Sistemet gjoja informatike në arsim, në kushte mesjetare të shkollave, janë një marrëzi e llojit vet. E katërta, janë diferencat e standardeve minimale për cilësi. Në shkollat e vendeve kodrinore-malore të Maqedonisë, po bile edhe ato të “qyteteve” veri-perëndimore (në fakt shqiptare), jo vetëm kushtet hapësinore dhe fizike janë afrikane, por edhe numri i nxënësve në klasa është mesatarisht 50% mbi nivelin e mesatares te shkollat elitare. E pesta, është niveli i përkujdesjes familjare dhe prindërore për nxënësit/studentët. Siç duket, sistemi i vlerësimit dhe inflacioni i “pesave” dhe “gjashtave” i ka demotivuar edhe prindërit, sepse mesatarizimi pa kritere e degradon motivimin individual. Sot më lehtë jepet nota se dija. Bile në këtë “esnaf” kemi edhe “kolegë” që u thonë studentëve se për notë kaluese s’ka nevojë të shkojnë në klasë, mjafton të jenë të regjistruar! E gjashta, mbase më e rëndësishmja, është mosrespektimi dhe vlerësimi i cilësisë nga tregu i punës dhe “punëdhënësit”! Që të jetë ironia më e madhe, një analizë për punësueshmërinë e studentëve në RM për vitin e kaluar numerikisht dëshmoi se përqindja dominuese e të punësuarve është me nota midis 6-7, kurse shumë e ulët a atyre midis 9-10 (edhe pse këta të fundit janë edhe në numër shumë më pak se të parët)!
Pjesa më e madhe të fajësisë (posaçërisht për kuadrot, kujdesin prindëror e deri te vetëdija individuale dhe shoqërore si komb) na takon vetë neve. Të gjithëve pa përjashtim. Gjërat duhet t’i flasim me “emra dhe mbiemra”. Çështjet duhet t’i debatojmë me vetëkritikë dhe përcaktim të palëkundur. Si ka mundur të kemi cilësi më të mirë në “sistemin e vjetër” atëherë kur edhe ideologjia na ndiqte në çdo aspekt. Sikur preferojmë që para së gjithash fajësinë tua hedhim politikave antishqiptare të qeverisjes. Ato pa dyshim e kanë hisen e vet shumë të madhe, por kush na ka faj se në ketë shkallë e kemi sjellë arsimin në të gjitha nivelet. Shumë poshtë ka rënë pazari! Rezultatet e fundit për shkollat e mesme ishin frapante! Vërtet shkolla “Korçagin” në Shkup ka kushte ideale, por suksesi më i mirë në shkallë Republike besoj nuk u referohet vetëm kushteve fizike, ashtu si edhe rezultatet më të dobëta në shkallë vendi të “Mosha Pijade”-s në Tetovë t’u referohen të njëjtave kushte. Së paku në këtë shkollë akoma nuk u bie “tavani mbi kokë”. Profesorët në “Korçagin” dhe ato në “Mosha Pijade” kanë të njëjtat rroga, bile edhe distanca fizike është rreth 40 km! Çfarë masa marrin vendimbërërsit e Tetovës për këtë mjerim?
Shpërndarja e pabarabartë e mjeteve buxhetore për arsim në të gjitha nivelet ka qenë dhe mbetet çështje shumë brengosëse. Përderisa nuk arrihet një sistem i shpërndarjes përpjesëtimore për kokë nxënësi/studenti, ne do jemi të diskriminuar vazhdimisht. Kuptohet për fillim mendoj se modeli i tillë do ishte real vetëm për shpenzimet operative dhe funksionale pa ato të investimeve kapitale (në ndërtesa dhe kushte tjera infrastrukturale). Këtu nuk kërkojmë “të shkurtojmë këmbën e gjatë, por ta rrisim të shkurtën” – në këtë rast pikë referimi duhet të jetë niveli mesatar i shpenzimeve për kokë të nxënësve maqedonas në nivel të shtetit dhe, sipas një plani “transitor” për 3-5 vite, të arrihet ky barazim për shqiptarët dhe për gjithë të tjerët. Sa e pabarabartë është shpërndarja duket edhe nga financimi i arsimit të lartë në buxhetin e këtij viti (kuptohet, përfshi këtu edhe të ardhurat nga vetëfinancimi që për USHT-në janë të dyfishta – nëse do kemi vetëm financim të pastër buxhetor, USHT-ja do rezultojë me pjesëmarrje më pak se 5%)
Ku flasin faktet, gjithçka hesht! Këtu duket qartë hisemarrja e jonë. Sikur t’i kalkulojmë edhe studentët shqiptarë në universitet e tjera publike, mund të kemi një përmirësim shumë të vogël statistikor.
Nuk mundem me këtë rast të mos përmendi injorimin e vazhdueshëm të UEJL-it nga shteti për financim, megjithëse sipas rangimit të Shangajit, të cilit qeveria i referohet aq shumë, do meritonte një konsiderate bile për “baraspeshë” me universitetin publiko-privat (kishtar). Me këto politika populiste dhe “mesatarizuese” nuk arrihet të etablohet sistemi i cilësisë, madje as në institucione private si gjithandej në Perëndim. Prandaj domosdo duhen reforma konceptuale dhe përmbajtjesore për konvertimin e sistemit nga “më shumë është më mirë në më mire është më shumë” (“more is better-better is more”).
Në fund edhe një margaritar tjetër – atë të propozim-ligjit për punësim sipas kritereve të “Listës së Shangait”. Dhe, kjo jo pse me së shumti na godet neve si shqiptarë (USHT-në), por sepse kjo është “marrëzia” e dekadës, ngjashëm me ato punësime në shëndetësi sipas shkallës së inteligjencës që promovoi ministri aktual para ca muajsh. Çfarë faji kanë studentët-individë në USHT me rezultate të shkëlqyera dhe mbase meritore, pavarësisht që rangimi i universitetit është problem i udhëheqësisë (më së paku asaj aktuale!). Por, fundja sipas “kokës edhe briskun”! Mbase kështu e meritojmë!
Te shpresojmë se “infektimi” nga “revolucionet studentore” të Prishtinës do ta vetëdijesojë edhe regjionin tone, por jo vetëm në nivelin e arsimit të lartë. Bile qasja më e preferueshme është nga baza – sa më e gjerë më mirë!