Me rastin e 7- të marsit, ditës së mësuesit
ARSIMI SHQIP MIDIS PERSPEKTIVËS DHE SFIDAVE GLOBALE
“Sikurse bota është shkollë për gjithë njerëzimin, që nga fillimi e deri në fund, ashtu edhe jeta e një individi të veçantë është shkollë për secilin prej nesh, që nga djepi e deri në varr. Tani, duke arritur moshën e pjekurisë, nuk është e drejtë të themi se për ne është shumë vonë të fillojmë të nxëmë. Ne duhet të themi: ‘Mund të nxësh në çdo moshë, se qëllimet e njeriut ndaj të nxënit nuk janë të ndryshme nga qëllimet e vetë jetës’”. Jan Komenski (1592-1670)
Ditët dhe datat e rëndësishme vijnë dhe shkojnë për çdo vit. Na duket sikur kalojnë shpejt dhe shumë herë na gjejnë të papërgaditur. E rëndësishme është të mësojmë dhe të përfitojmë mësime dhe urtësi nga ndodhitë e ndryshe dhe datat e shënuara.Padyshim se një nga ditët e rëndësishme për popullin shqiptar është dita e 7-të marsit ose siç e themi të gjithë Dita e mësuesit apo Dita e Shkollës së Parë Shqipe.Gjeneratat e tanishme dhe gjeneratat që vijnë sikurse u duket e zakonshme kjo ditë dhe krejt normale për të festuar dhe për të nderuar arsimtarët dhe arsimtaret e tyre.
Mendoj se duhet thelluar më shumë në historikun e kësaj dite me qëllim shumë fisnik për të mësuar rreth sakrificës dhe mundimeve të shumta që përballuan brezat e kaluar që ne të gëzojmë këtë ditë. Ato e kishin ideal të tyre gjuhën, dhe për këtë ideal punuan natë e ditë derisa u kurorzua me hapjen e shkollës së pare shqipe, siç quhet ndryshe Mësonjëtorja e Korçës . Ajo u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në shtëpinë e ofruar për mësimdhënie nga Diamanti Terpo. Kjo ndërtesë është sot muzeum kombëtar i arsimit. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Ai e filloi mësimin në gjuhën shqipe fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasë të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik. Hapja e shkollës ishte një ngjarje dhe një fitore e madhe për gjithë lëvizjen kombëtare. Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes dhe moralit në popull. Ajo nxiti edukimin patriotik të brezit të ri e të masave të gjera. Shkolla tërhoqi interesin dhe admirimin e shumë shqiptarëve, nën shembullin e saj u frymëzuan më vonë edhe banorë të viseve dhe trevave të tjera shqiptare.
Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 marsi festohet si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.
-Moment dëshprimi
Me shumë admirim i ndëgjonje ligjeratat e profesorëve të mi të nderuara kur na shpjegonin për hapjen e shkollës së parë shqipe, sidomos për momentet e ditës së parë kur motrat Qiriazi u shprehën mirëseardhje nxënsëve në Mësonjtoren e Korçës. Nga ai moment e prisja pa durim ditën kur do ta vizitoj Korçën dhe kuptohet Mësonjëtoren e Korçës! Para dy-tri viteve në mënyrë të organizuar vizituam Koçën dhe çka tu them! Dëshira e flaktë u shëndrua në dëshprim sepse përveç A Be Ce në oborrin e ndërtesës nuk më la gjë tjetër përshtypje të mirë, sikurse e lënë në pakujdesje kjo ndërtesë historike. Mbrenda Mësonjëtores-muzeum, ishte një punëtor në moshë dhe në peshë që sipas tekeve të tij ashtu e hapte edhe derën hyrëse për vizitorët. Mjerim!!!
Mësuesi profesionist apo misionar
Jo çdo njëri duhet të bëhet mësues (mund të bëhet), sepse arsimi është art më vete, sikurse politika që është aftësi më vete. Ky debat është i ngjajshëm me atë se çka na duhen jurist ,,akademik,, apo jurist të ,,zanatit,,.
Është shumë e vërtetë se në kohën e sodit arsimtarët janë mjaftë profesionalist, tek e fundit kjo edhe kërkohet si çdo punëtor tjetër edhe punëtorët e arsimit pranohen në vendet e tyre të punës sipas normativit të byros për zhvillim të arsimit për kualifikim të kuadrit mësimor.Kjo është në rregull dhe e domosdoshme.
Shtrohet pyetja sa arsimin e kemi mision sot?
Në të kaluarën mësuesi e kishte nderin shumë të madh nga të gjithë, sepse punën e tij përveç që e kishte profesion mbi të gjitha e kishte mision. Nëse lexojmë për historitë e mësuesve të ardhë nga Shqipëria në viset shqiptare në Maqedoni, ato gjatë periudhës së verës nuk ktheheshin në familjet e tyre por vazhdonin të bashkëjetonin dhe të arsimonin popullatën e këtyre anëve. (kemi edhe varreza në të cilat janë të varrosur mësuesit që ishin me detyrë nga Shqipëria në viset shqipëtare në Maqedoni)
Rolet kryesore të shkollave të sotme mund të përkufizohen brenda trekëndëshit të dijes: arsimi, kërkimi dhe inovacioni.
Para disa viteve në Qafë të Kërçovës në një ceremoni të përkujtimit të të rënvë për liri dhe me theks të veçantë përkujtimin e rënies heroike të Sulltanës së Qafës prezentoi edhe Xhozef Diogardi ish-senator amerikan. Në paraqitjen e tij gjatë fjalimit nga xhepi i brenshëm i kostumit nxori një laps kimik dhe tha:,,luftën ju e bëtë (fjala ishte për 2001) tani keni një luftë tjetër por jo me armë me laps,,…dhe vërtetë lufta më e madhe në botën globale është lufta me laps.Nga kjo dua të nxjerë se sfida më e madhe e arsimit bashkëkohor është kualiteti.
Sa më shumë të përgadisin mësuesit nxënës të mirë nëpër shkolla aq më krenar do të jenë të nesërmen me kuadër të profileve të ndryshme të mirëfillta.
Koha në të cilën jemi duke jetuar është përplot me ngjarje, raste e fenomene që na e kanë lodhur syrin, veshin dhe mendjen. Ç’është më e keqja, mësuesi ende nuk ka shpresë se do të arrijë momentin e çlodhjes. Ky presion psikik, kjo torturë morale / njerëzore shihet në mungesën e një integrimi të nevojshëm, gjegjësisht të dobishëm, të një respekti reciprok dhe kështu me radhë. Jemi përballë shumë sfidave. Arsimtari bashkëkohor doemos duhet që të gjejë rrugë apo të zgjidhë këtë enigmë.
Shoqëria e sotme kërkon mësues me mision . Ekzistojnë një sërë argumentesh ekonomikë, socialë, kulturorë dhe pedagogjikë që e shikojnë misionin si një përparësi. Misioni shihet si një aftësi kryesore e jetës nëpërmjet së cilit arsimtarët mund të zhvillojnë potencialet e tyre, të përdorin imagjinatën e tyre për të shprehur veten e tyre dhe për të bërë zgjedhje origjinale dhe të dobishme për jetën e tyre.
Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesit e Qeverive të Shteteve Anëtare të mbledhur në 22 Maj 2008 për nxitjen e krijimtarisë dhe inovacioneve nëpërmjet arsimimit dhe trajnimit dhe në 21 Nëntor 2008 për përgatitjen e të rinjve për shekullin e 21 –një nënvizuan rolin kyç të institucioneve arsimore dhe të mësuesve në zhvillimin dhe mbështetjen e aftësive potenciale krijuese të nxënësve duke kontribuar nëpërmjet demonstrimit të një mësimdhënieje krijuese. Zhvillimi i aftësive krijuese kërkon gjithashtu brenda shkollës një kulturë të hapur ndaj krijimtarisë dhe krijimin e një mjedisi mbështetës.
Vetëm në rast të mishërimit të virtyteve të pastra edukativo – morale me të arriturat bashkëkohore, mund të konstatojmë se perspektiva e shoqërisë sonë do të fitojë në peshë dhe në dritë të pastër drejt mirëqenies fizike dhe shpirtërore, kuptohet vazhdimisht duke u lutur dhe shpresuar në ndihmën e Krijuesit për realizimin e këtyre qëllimeve.
Realisht nëse edhe në këtë drejtim nuk merren masa të duhura parandaluese, obligim ky që bie barrë më së tepërmi mbi institucionet arsimore, atëherë gjatë kohë në të ardhmen do të merremi me pasojat, mundësia e shërimit të të cilave do të ishte gati se e pamundur, ose e mundur por kostoja historike do të ishte shumë më e madhe.
Populli amerikan vazhdimisht proklamon thënien: act now before it’s too late! Duhet të veprojmë me kohë, se asgjë nuk është në gjendje të ç’rregullt dhe pa ndonjë qëllim të caktuar.
Hulumtimet akademike sugjerojnë se vendet me të ardhura më të larta për frymë, vendet ku ka më pak pabarazi sociale, si dhe vendet ku ka norma të ulëta të fertilitetit, kanë tendencë për të investuar më shumë në edukimin e fëmijëve. Përfundimi logjik është se përpjekjet për të nxitur rritjen ekonomike dhe synimet për të përmirësuar sistemin arsimor mund të rrisin frekuentimin në mesin e të rinjve në vendet në zhvillim, si dhe për të zvogëluar pabarazinë mes gjinive dhe midis grupeve sociale”, sugjeron Jong-Wha.
Por sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme, pasi duhet që vendet gjithashtu të sigurojnë cilësinë e sistemeve të tyre arsimore, një sfidë kyçe kjo për dekadat e ardhshme. “Rezultatet e dobëta arsimore dhe sistemet e arsimit joefikas sjellin një shqetësim të thellë në mbarë botën. Në shumë vende, shkolla fillore nuk arrin të pajisë studentët me aftësitë e duhura njohëse si numërimi, shkrim e këndim, aftësitë për zgjidhje të problemeve dhe njohuritë e përgjithshme shkencore. Për më tepër, edukimi i pamjaftueshëm në nivelet dytësore dhe tretësore, përfshirë arsimin teknik dhe profesional dhe trajnimin, është duke i lënë nxënësit të papërgatitur për të përmbushur kërkesat në ndryshim në tregun e punës. Si rezultat, shumë vende janë duke luftuar me një mospërputhje mes aftësive që punëdhënësit kërkojnë dhe atyre që punëtorët kanë”, thekson profesori korean.
Në këtë kuadër, ai sugjeron politika globale më të qarta në këtë drejtim.
“Liderët globalë duhet të angazhohen për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe për të zvogëluar hendekun e arsimit duke rritur resurset shkollore, përmirësimin e efikasitetit të institucioneve arsimore, si dhe duke gjetur mundësitë për të ofruar risi teknologjike. E gjithë kjo do të shërbejë për të pasuruar kapitalin njerëzor, e cila është thelbësore për rritjen e produktivitetit dhe të ardhurat. Në të vërtetë, në qoftë se përpjekjet e tilla janë të dizajnuara në mënyrë specifike për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë, pa dallim gjinie apo sociale, ata do të jenë një ndihmë për ekonominë globale, duke promovuar kohezionin shoqëror në nivel kombëtar”, përfundon analizën e tij profesori aziatik.
Arsimi cilësor është sfidë, që kërkon mobilizim gjithëpërfshirës
Fuqia e muskujve nuk mund të ia kalojë fuqisë se mendjes. Shekulli 21 për shoqërinë tonë është sfidë, që kërkon mobilizim gjithëpërfshirës në të gjitha fushat e jetës e në veçanti në arsim. Nëse duam zhvillim përmbajtjesor, orientimi ynë si shoqëri, do të duhej të jetë në funksion të përhershëm të zhvillimit të arsimit. Integrimet e këtij shekulli që ne synojmë, janë tepër favorizuese për ne si shoqëri, duke pasur parasysh moshën mesatare në nivel vendi e që është një përparësi dhe mundësi më shumë në favor të zhvillimit tonë, por pa një shkollë cilësore, efektive, lëvizëse e pritshmëri të larta nuk mund të ketë as zhvillim e as integrim. Organizimi i shoqërisë për një arsim cilësor sot, do të thotë: organizim, planifikim, qeverisje, udhëheqje, ide, vizion, inovacion, kreativitet, rregulla, zhvillim, infrastrukturë e mjedis, ekonomi, harmoni, ndërvarësi, partneritet, bashkëjetesë, vlerësim, ndryshim etj.. (A. Kryeziu)
Shkolla cilësore
Shkolla cilësore është faktori kryesor për zgjidhjen e problemeve. Prioritet për secilin komb, sot është ,, të shtojë vlerën e potencialeve që qytetarët e tij mund të kontribuojnë në ekonominë globale me rritjen e dijeve dhe të aftësive të tyre, si dhe me avancimin e mënyrave si ato dije të lidhen me tregun botëror’’ – Reich (1992).
Përfundimisht duhet të ballafaqohemi me antivlerat në sistemin e edukimit. Ta mendojmë cilësinë si vlerë për ndryshimet që janë pritur për një kohë të gjatë nga sistemi i edukimit në fushën e ekonomisë, kulturës, shkencës dhe teknologjisë. Rezultatet e sistemit të edukimit dhe tregu i punës po dëshmojnë se ka dështuar në masë të madhe alternativa konkurruese e sistemit publik dhe edukimi privat. Ky sektor nuk po e arsyeton veten brenda këtij sistemi, me ofertën e vet, me cilësi dhe konkurrencën që po të ofron.
Është pritur shumë nga edukimi privat se do ta luajë rolin e korrigjuesit me ofertën e vetë specifike dhe konkurruese. Mirëpo, me disa përjashtime nuk duhet të jemi të kënaqur dhe besojë se shumëkush ndanë këtë mendim lidhur me organizimin jo të mirë, menaxhimin jo profesional, të cilat reflektohen detyrimisht në cilësinë e edukimit e cila në tregun e punës po prodhohen aftësi dhe shkathtësi të kufizuara. Është pritur një ofertë specifike, e jo imitim i programeve të institucioneve publike ose edhe të paktën me ndonjë ndryshim jo substancial i cili kishte me i diferencu këto institucione private që ato t’i bëjë atraktive brenda konkurrencës. Ndërkaq stafi mësimdhënës dhe mënyrat e angazhimit të tyre, pastaj mënyra e vlerësimit të studentëve ende len për tu dëshiruar. Institucionet e shtetit urgjentisht duhet ta ndryshojnë qëndrimin ndaj sistemit të edukimit, ta ndryshojmë qasjen dhe këtë sistem të trajtojnë me prioritetin dhe seriozitetin real e jo elektoral.
Shoqëria shqiptare mendoj se është e përgaditur për të marrë përgjegjësi në drejtim dhe funksion të prosperimit dhe avansimit të arsimit cilësor në të gjitha nivelet duke filluar nga ai fillor, sepse ,,Çdo qëndrim ndaj edukimit të brezit respektiv është qëndrim ndaj të ardhmes. Asgjë nuk përcakton më shumë të ardhmen, ndërtimin e saj, sesa qëndrimi ynë i sotëm ndaj arsimit, edukimit, shkollimit të të rinjve tanë’’.
Urime u qoftë 7 marsi mësues të nderuar. Gëzohuni për ditën tuaj. Shpresojmë për ditë më të mira për shkollat dhe institucionet tona arsimorer. Urime edhe për ju të respektuar arsimtar dhe arsimtare, profesor dhe profesoresha që nuk jeni më në mesin e të gjallëve.
EDITOR
10 years ago
previous article
Urim me rastin e 7 Mars-it
next article
QMBI uron 7 marsin
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago