Grupi i Bankës Botërore dhe krahu i huadhënies në sektorin privat, Korporata ndërkombëtare e Financave ( IFC) po përpiqen të mbështesin sistemet kombëtare të arsimit. Një nismë e hedhur së fundmi, e quajtur “Qasja e sistemeve për rezultate më të mira në arsim (SABER)” mbledh dhe ndan të dhëna krahasuese në politikat arsimore dhe institucionet nga shtete nga e gjithë bota
Shteteve u nevojiten njerëz të aftë e të talentuar për të krijuar novacion që sjell rritje ekonomike afatgjatë.
Kjo është e vërtetë si për shtetet e zhvilluara, ashtu edhe në ekonomitë në zhvillim.Por nuk do të ndodhë pa investim në arsim dhe trajnim. Nëse duam t’i japim fund varfërisë, të ulim papunësinë dhe të ndalim pabarazitë ekonomike, duhet të gjejmë mënyra të reja, më të mira dhe më të lira për mësimdhënie dhe në një shkallë të gjerë. Ky synim duket se shkon përtej kapaciteteve edhe të vendeve më të pasura: por mbledhja inteligjente e të dhënave, analizat dhe përdorimi i të dhënave arsimore mund të bëjë një ndryshim të madh. Fatmirësisht jetojmë në një epokë në të cilën teknologjia e informacionit na jep mjetet e duhura për një akses më të gjerë ndaj arsimit cilësor dhe të përballueshëm. Të dhënat komplekse, që bizneset përdorin për të analizuar dhe përshkruar sjelljen konsumatore, mund t’u sigurojnë mësimdhënësve dhe kompanive sasi të paprecedenta informacioni rreth modeleve të të mësuarit të studentëve, duke i ndihmuar shkollat të personalizojnë udhëzime në mënyrë të sofistikuar.
Grupi i Bankës Botërore dhe krahu i tij i huadhënies në sektorin privat, Korporata ndërkombëtare e Financave ( IFC) po përpiqen të shfrytëzojnë këtë potencial për të mbështetur sistemet kombëtare të arsimit. Një nismë e hedhur së fundmi, e quajtur “Qasja e sistemeve për rezultate më të mira në arsim (SABER)”mbledh dhe ndan të dhëna krahasuese në politikat arsimore dhe institucionet nga shtete nga e gjithë bota. Në sektorin privat, aftësia për të grumbulluar informacion rreth ndërveprimit pedagog-student dhe ndërveprimi mes studentëve dhe sistemeve të të mësuarit, mund të kenë një ndikim të thellë. Në Kenia, për shembull, “Bridge International Academies” po përdor të mësuarit adaptiv në shkallë të gjerë. Klient i IFC-së, i themeluar nga tre sipërmarrës amerikanë, Bridge drejton 259 kopshte dhe shkolla fillore, me një tarifë mujore që shkon mesatarisht në 6 dollarë. Është një laborator i të mësuarit masiv për studentët dhe edukuesit. Bridge teston qasje të ndryshme për aftësitë e mësimdhënies standarde dhe koncepteve duke shpërndarë dy versione të një leksioni në të njëjtën kohën në një numër të madh klasash. Mësimet zhvilloheshin nga mësues të planeve standarde të shkruara, përmes tablet-eve që gjithashtu gjurmonin sesa kohë mësuesit shpenzonin për çdo leksion. Përfundimet e provimeve regjistroheshin në tablet-in e mësuesit, me më shumë se 250mijë pikë të grumbulluara çdo 21 ditë. Nga këto të dhëna, ekipet vlerësuese të Bridge përcaktonin se cili leksion ishte më efektiv dhe shpërndanin atë leksion nëpër të gjithë pjesën tjetër të rrjetit të Akademisë. Një tjetër rast është SABIS, një platformë për arsimin në SHBA, Europë, Azi, Lindje e Mesme dhe Afrikë e Veriut. SABIS nxjerr të dhëna të mëdha për të siguruar standarde të larta dhe performancë të theksuar akademike për më shumë se 63 mijë studentë. Gjurmimi i vazhdueshëm i performancës akademike të studentëve prodhon më shumë se 14 milion pikë të dhënash që përdoren për të formësuar udhëzime, për të arritur objektivat e të mësuarit dhe siguron qëndrueshmërinë përmes rrjeteve të kompanive për shkolla në 15 shtete. Knewton, një platformë e të mësuarit adaptiv që personalizon kurse digjitale është një tjetër kompani në front të parë të revolucionit të të dhënave. Me përmbajtje të posaçme për çdo klasë, siguron mësim individual. Si rezultat, mësuesit e kalojnë kohën e tyre në mënyrën më efektive të mundshme –duke zgjidhur probleme me studentë, në vend që të zhvillojnë leksione jo të diferencuara. Këto përfitime nuk vijnë pa rrezik. Jemi vetëm në fillim të ballafaqimit sesi potenciali i jashtëzakonshëm i të dhënave të rëndësishme për të mësuarit, mund të shfrytëzohen, duke mbrojtur privatësinë e nxënësve. Në disa raste, teknologjia e mbledhjes së të dhënave po lë pas aftësinë tonë për të vendosur sesi duhet të mblidhen, ruhen, dhe të ndahen. Pa marrë parasysh sesa me rigorozitet janë siguruar të dhënat, ka ende nevojë për një strukturë të qartë të licencimit për përdorimin e tij. Në shumë vende në zhvillim nuk ka fare ligje për të dhënat private. Ndërfaqja në mes të të dhënave dhe arsimit mban premtimin e produkteve të reja arsimore për mësimin e përmirësuar, me përfitime të mëdha potenciale, sidomos për të varfrit. Për të realizuar këto përfitime – dhe për ta bërë këtë me përgjegjësi –ne duhet të sigurojmë që mbledhja e të dhënave nuk është as e tepërt dhe as e papërshtatshme dhe se ajo mbështet të mësuarit. Sektori privat, qeveritë dhe institucionet siç janë Grupi i Bankës Botërore, duhet të formulojnë rregulla për mënyrën sesi mblidhen, ndahen dhe përdoren informacionet kritike për performancën e studentëve. (mapo.al)
Categories