Për disa ditë, në rrjete sociale, mjaft muslimanë, e jo vetëm, u angazhuan të debatojnë videon e prodhuar nga një grup muslimanësh britanikë të quajtur Honesty Policy, që tregon muslimanë anglezë duke kërcyer e kënduar nën tingujt e ‘I’m happy’ të Pharrell Williams.
Umeti dhe Imperializmi
Përtej debatit legalist, që do adresohet më poshtë, një sërë komentesh janë fokusuar tek pretendimi se kjo video ishte një përpjekje e sforcuar për t’u treguar të integruar, e nxitur nga dëshira për t’u përshtatur imponimit të një axhende liberale e për t’u pranuar nga shoqëria britanike – një vend imperialist, tek e fundit, që ka shkaktuar dhunë e dhimbje në vende si Iraku. Nënteksti i këtij pretendimi është detyra e supozuar e muslimanëve në Britani për rezistencë ndaj Anglisë imperialste. Ky nënteskt kërkon rezistencë ndaj Anglisë në emër të lojalitetit të umetit. Po ku është umeti? Çfarë ofron umeti në shkëmbim të këtij lojaliteti.
Së pari, umeti dhe Anglia janë entitete krejtësisht të ndryshëm. Umeti nuk ofron mbrojtje, të drejta, punë, banesë. Umeti është një kombësi imagjinare, nëse do huazonim nga Benedict Anderson. Interesi i umetit shpesh artikulohet nga ata që kanë zërin më të lartë, ata që bërtasin më shumë. Por në fakt, nuk ka detyrimisht kundërthënie midis solidaritetit me muslimanë që vuajnë nga forma të ndryshme dhune e padrejtësie si në Irak me të qenit qytetarë të një vendi si Anglia. Në fakt, sa më të integruar e sa më shumë zë të kenë muslimanët në shoqërinë britanike, aq më shumë do mund të avancojnë kauza të drejta si lëvizja kundra luftës në Irak, apo kundra mbështetjes së okupimit izraelit të territoreve palestineze.
Por mbi të gjitha, Anglia është shtëpia e këtyre muslimanëve, vendi ku kanë lindur, ku kanë ndërtuar jetën e tyre dhe është po ai vend që siguron të drejtat e tyre qytetare. Qeveritë e vendeve me shumicë muslimane kanë bërë gjëra të tmerrshme, po nuk i kërkon njeri egjiptianëve, tunizianëve apo kuvajtjanëve mos duan e mos respektojnë vendin e tyre.
Atëherë, ç’është ky reagim ndaj integrimit të muslimanëve në Perëndim? Në fakt, pyetja është se për çfarë integrimi bëhet fjalë, pasi këta muslimanë janë në shtëpinë e tyre në shoqëritë ku jetojnë dhe ligjërimi kundra integrimit që vjen nga disa muslimanë nuk është shumë i ndryshëm nga ligjërimi i të djathtës evropiane kundra muslimanëve.
Përtej Hallallit dhe Haramit
Pritej që një pjesë e debatit do lidhej me anën legaliste: a është kjo këngë e valle hallall apo haram. Por a është jeta e muslimanëve kudo e ngaherë reflektim i manualeve të fikhut? Kudo në shoqëri muslimane ka forma celebrimi që fukahatë i kanë parë në mënyrë kritike dhe ky tension midis praktikave të shumë muslimanëve dhe fukahave është aq i lashtë sa zanati i fukahave. Nuk ka asgjë për tu habitur e asgjë për tu alarmuar dhe detyra e fukahave ka qenë përherë që të krijojnë një ligjërim moralist si barazpeshë në shoqëri. Pritet dhe është normale reagimi i atyre që e kanë parë në terma legalistë dhe është më se e shëndetshme, nëse nuk fryhet përtej përmasave normale.
Në shumë shoqëri muslimane ka forma celebrimi, prej shekujsh, që fukahatë i kanë parë me sy kritik, por jeta ka vazhduar. Në Egjipt apo Marok muslimanët këndojnë e kërcejnë në forma të prodhuara në kontekstin e tyre kulturor e është normale që muslimanët në Angli të celebrojnë në mënyrën e tyre.
AN41783879video-was-create
Përtej abc-së së hoxhllëkut
Kjo video pati qysh në fillim një dozë legjitimiteti me prezencën në video të T.J. Winter (aka Abdel Hakim Murad), profesor në Universitetin e Kembrixhit, i trajnuar në mënyrë tradicionale në shkollën shafi dhe një nga figurat më të njohur të muslimanëve britanikë. Pati njoftime që Prof. Murad ishte distancuar nga video, por më pas ai deklaroi mbështetje të videos e siç citohet nga the Guardian:

‘Jam më se i kënaqur të shoh rezultatin e videos së Happy British Muslim, e cila ka çliruar një valë vullneti pozitiv përeth botës dhe ka ndryshuar në mënyrë domethënëse imazhin e Muslimanëve në sytë e shumë skeptikëve. Islamofobët do jenë duke shtrëngaur dhëmbët teksa shohin muslimanë të racave e grupmoshave të ndryshme të bashkuar në këtë shprehje lumturie. Askush nuk do prodhojë një argument sheriati kundra hedhjes përpjetë nga lumturia.’

Por mësojmë ca më shumë nga një njoftim të Murad të postuar në FB ku ai na thotë më shumë rreth pjesmarjes së tij në këtë projekt:

‘Le të fillojmë duke kujtuar një pikë të rëndësishme. Dijetarët nuk kanë arritur të krijojnë lidhje me adoleshentët dhe as nuk e dinë këtë. Sot gjatë faljes së të Premtes pashë të rritur e fëmijë po nuk pashë adoleshentë. Nuk ka ndërtues urash për t’i sjellë pranë. Nëse do i njihnit do dinit se ata ende duan të jenë muslimanë dhe se e duan Islamin po nuk duan të dëgjojnë ‘leksione të bezdisshme.’ Nuk janë kundra përmbajtjes së atyre leksioneve, por nuk munden t’i dëgjojnë. Ata janë në një tjetër botë – në botën e shpejtë në mediave sociale, apps dhe YouTube. Ose do shkëputemi krejtësisht prej tyre dhe t’i lëmë të vazhdojnë të operojnë gjërat në mënyrën dhe resurset e tyre – e kjo po ndodh me dhjetra milionë të rinjë muslimanë përreth planetit, përfshi në Mekë dhe Medinë, ose mund të gjejmë rrugë që të qëndrojmë me ta e t’i dëgjojmë. Ata e dinë fare mirë se ne nuk jemi dakort me të gjitha format e kulturës së tyre, por ata duhet të dinë që ne mund tu ofrojmë atyre më shumë se sa qortime pa fund.
Kështu që sigurisht që nuk kërceva me ta, por të jesh prezent, të jesh dëshmitar, të afirmosh dashurinë e tyre për jetën dhe Islamin pa aprovuar detyrimisht ndonjë gjë – e ata e dinë këtë – kjo është mënyra e atyre që duan njerëzimin e duan rininë.’

Shumë nga pyetjet që lindin nga ky debat janë relevante për bashkësinë tonë, për marrëdhëniet tona me njëri – tjetrin, me pop kulturën, me trashigiminë tonë legale, me dilemat tona fetare, me rrugën e gjithsecilit në kërkim të Zotit në realitetin e jetës tonë. Ky nuk është promovim i një lloji të caktuar muslimanësh, por i vetëdijës së diversitetit brenda nesh dhe rrefuzimit të nocioneve të politikave identitare që kërkojnë të pozicionojnë muslimanët në realitete imagjinare pa patur këmbët në tokë. Kërkon, gjithashtu, të ngrerë pikëpytje mbi autoritetet fetare që shohin rolin e tyre si makinë kohore fantastiko-shkencore që transporton fetvatë nga shekuj më parë në ditët e sotme pa u lodhur të kërkojnë thellë e të kërkojnë të flasin për atë që bashkësitë përjetojnë në këtë vend e në këtë kohë. /e-zani/