Banka Islamike ka dhënë miratimin për financimin e rrugës Qukës–Qafë-Plloçë, duke i mundësuar kështu qeverisë vijimin me procedurat e tjera që lidhen me këtë projekt. Ky aks cilësohet si një nga më të rëndësishmit dhe nuk ka munguar në deklaratat e kreut të qeverisë Sali Berisha, si një projekt me impakt për rajonin.
Financimi
Banka Islamike për Zhvillim ka miratuar në total një paketë me 450 milionë dollarë për financimin e rrugëve në disa vende islamike, anëtare të saj, si dhe në vende me komunitet mysliman, por që nuk janë anëtare të Bankës. Në këtë paketë është e përfshirë është Shqipëria, për të cilën Banka do të japë 125 milionë dollarë për Qukës – Qafë-Plloçë. Më herët Banka Islamike për Zhvillim ka financuar pjesën më të madhe të kredisë që qeveria përdor akoma dhe sot për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan.
Qukës – Qafë-Plloçë
Katër vjet pas inaugurimit të parë të Qukës – Qafë-Plloçë nga Kryeministri Berisha, duket se projekti do të shohë dritën e zbatimit në këtë raund të dytë. Në fakt, në vitin 2009 projekti fillestar nuk ishte i njëjtë me atë të sotëm, pasi pësoi ndryshime të mëdha, duke përfshirë si pjesë të saj edhe ndërtimin e një tuneli. Burime nga Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve bëjnë me dije se sipas parashikimeve, tenderimi i aksit Qukës – Qafë-Plloçë do të bëhet në muajin maj, ndërsa me zgjatjen normale të procesit, nënshkrimi i një kontrate për të filluar zbatimin do të jetë në vjeshtë. Aksi në fjalë vijon si plotësim i asaj që shpesh është konsideruar si gjurma e Rrugës së vjetër Egnatia dhe që shkurton mjaft distancën e aksit të vjetër që lidh Tiranën e Korçën.