Fatmir Besimi, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane,Talat Xhaferi,ministër i Mbrojtjes,Tahit Hani,i Pushtetit Lokal, Zemri Qamili, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Bajrami, zëvendësministër i Transportit dhe Lidhjeve dhe Ardian Xheladini, zëvendësministër i Financave, janë emrat që BDI-ja i ka vendosur në përbërjen e re të qeverisë pas dorëheqjes së, zëvendëskryeministres për çështje evropiane, Teuta Arifi, ministrit të Pushtetit Lokal, Nevzat Bejta dhe deputetit, Arben Llabënishti nga funksionet shtetërore për shkak të kandidimit të tyre në zgjedhjet lokale.
“Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të mbetet promotor kryesor i instalimit të standardeve të reja demokratike në zhvillimin e politikës në vend. Duke u nisur nga fakti që njëri nga parimet kryesore të Bashkimit Demokratik për Integrim është transparenca, ndershmëria dhe përkushtimi në obligimet e marra, me dorëheqjet nga funksionet shtetërore u instalua edhe një standard i ri demokratik i panjohur në vend”, thuhet në njoftimin e sotëm për mediat të BDI-së.
Akti i tërheqjes së Teuta Arifit, Nevzat Bejtës dhe Arben Llabënishti nga funksionet shtetërore për shkak të kandidimit të tyre në zgjedhjet lokale sipas BDI-së është pikërisht implementimi i këtyre parimeve dhe ndërtimit të modelit të ri në Maqedoni, ndarjen e pushtetit nga partitë politike.
“Edhe pse ky nuk është obligim ligjor, BDI bashkë me kandidatët vlerëson që kjo është mënyra më e mirë për të dëshmuar seriozitetin dhe përkushtimin për përballimin me sfidat që na presin për zgjedhjet lokale në mars të këtij viti dhe dhënien e mundësisë që qytetarët të vendosin të lirë në këto zgjedhje”, thuhet në njoftim.
Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson lart dhe shpreh mirënjohje të thellë për punën e deritanishme të ministrave dhe deputetit, të cilët u tërhoqën nga funksionet e tyre për të dhënë kontributin në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike si dhe përmbushjen e standardeve evropiane, duke shtuar se kanë bindjen e plotë se me të njëjtin vullnet dhe sukses do të ballafaqohen me sfidat e reja në komunat e tyre. /albeu.com/