Categories
Lajme

Berisha: Autorët duhet menjëherë të dënohen

Kryeministri Berisha reagon për incidentet në Shkup duke dënuar aktet e dhunës ndaj shqiptarëve, ndërsa i bën thirrje autoriteteve maqedonase të ndëshkojnë autorët e tyre dhe shqiptarëve të Maqedonisë të shmangin provokacionet e përshkallëzimin e dhunës.
“Ditët e fundit, grupe ekstremistësh e huliganësh maqedonas kanë ndërmarrë sulme fizike të përsëritura kundër nxënësve dhe të rinjve të etnisë shqiptare në Shkup dhe kanë keqtrajtuar dhe plagosur disa prej tyre. Këto sulme primitive, që në aparencë kanë pasur si shkak absurd emërimin në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të z.Talat Xhaferi nga BDI, në përputhje me marrëveshjen e koalicionit qeveritar, kanë shkaktuar rritjen e mëtejshme të tensioneve ndëretnike dhe dëmtimin e klimës parazgjedhore në Maqedoni. Qeveria shqiptare dënon me ashpërsi këto sulme primitive ndaj nxënësve dhe të rinjve shqiptarë, nga ekstremistë fanatikë maqedonas dhe i bën thirrje forcave politike shqiptare dhe shqiptarëve të Maqedonisë të shmangin provokacionet dhe përshkallëzimin e dhunës”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Berisha.
Qeveria shqiptare kërkon nga autoritetet maqedonase të ndëshkojnë me të gjithë forcën e ligjit autorët e këtyre akteve primitive me të cilat ata duan të dëmtojnë rëndë bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version