Categories
Lajme

Berisha i dorëzon dorëheqjen Presidentit

Kryeministri Sali Berisha, ka udhëtuar në drejtim të Presidencës gjatë mesditës së të hënës, ku ka dorëzuar aktin e dorëheqjes nga posti i kryeministrit të vendit.
Vendimi vjen pas humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit, duke sjellë të majtën në pushtet. Dorëheqja vjen në orët e fundit të nisjes së punimeve të Parlamentit të ri.
“Presidenti Nishani, pasi e falënderoi Kryeministrin në detyrë Sali Berisha për bashkëpunimin e frytshëm institucional dhe njerëzor, vlerësoi rolin politik dhe  kontributin personal të zotit Berisha dhe të Qeverive që ka kryesuar në ndërmarrjen e reformave institucionale, politike dhe ekonomike. Në arritje të tilla si anëtarësimi i vendit në NATO, pavarësinë e Kosovës dhe shtimin e njohjeve të saj, liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, realizimin e projektit TAP, investimet në infrastrukturë, etj, sipas Presidentit Nishani ‘roli dhe kontributi institucional dhe personal i Kryeministrit dhe politikanit Berisha kanë qenë domethënës’”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Pas dorëheqjes, Kreu i Shtetit do të duhet të dekretojë kryeministrin e ri, Edi Rama për të marrë drejtimin e qeverisë së vendit, proces i cili me shumë mundësi do të përmbyllet gjatë kësaj jave.
Berisha jep sot dorëheqjen

(08:50)– Kryeministri Sali Berisha pritet të japë sot dorëheqjen pranë Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, 8 vite që kur e mori këtë post pas zgjedhjeve të vitit 2005.
Bashkë me aktin për lënien e mandatit të tij, Berisha do të dorëzojë edhe dorëheqjet e 15 ministrave. Ky akt do të kruhet gjatë ditës, para mbledhjes së orës 12 të Parlamentit.
Gjithçka përcaktohet në Kushtetutën e vendit, ku në Nenin 96 të saj, pikërisht në pikën 1 përcaktohen etapat për rrotacionin e pushtetit. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, thuhet në nenin 96, pika 1 e Kushtetutës.
Gjatë ditës së nesërme, Partia Socialiste depoziton në Presidencë emrin e kryeministrit të ri, si forca e parë fituese në vend. Pas dekretimit të presidentit Nishani, Edi Rama, i dorëzon atij listën e ministrave të rinj dhe e gjithë kjo procedurë formale pritet të mbyllet brenda kësaj jave, kur Presidenti ka premtuar se dekretimi i kryeministrit do të bëhet. Pas dekretimit, Kreu i Shtetit, i dërgon në Parlament emrat e ministrave dhe sigurisht të kryeministrit të dekretuar.
“Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, thuhet më tej në nenin 97 të Kushtetutës. Pas procedurave në Parlament, kabineti i ri bën betimin te Presidentit dhe merr zyrtarisht detyrën. /Start/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version