Categories
Lajme

Berisha: Stefan Fule është serbofil

Ish Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një shkrim të gjatë për procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ka shpërthyer në kritika ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe sidomos ndaj Komisionerit të BE-së për Zgjerim Stefan Fule. Këtë të fundit e ka quajtur diplomat të shkollave ruse dhe serbofil.

 
Lexojeni një pjesë të shkrimit të Sali Berishës:
Një JO e plotë për të dytën herë, ishte kartolina e fundvitit që kaloi e Brukselit për Shqipërinë, për statusin e vendit kandidat për anëtar të BE. Ky refuzim i përsëritur, përbën problemin më madhor sot për ne shqiptarët. Çfarë po ndodh me ne? Ku po shkojmë? Janë pyetjet që shtron për përgjigje çdo qytetar i këtij vendi.
Shqipëria, pasi ka firmosur me BE dhe ratifikuar me vendet anëtare të tij Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ka dorëzuar në prill të vitit 2009 dhe i është pranuar kërkesa për anëtarësim në BE, ka marrë Pyetësorin me mijëra pyetje e nënpyetje dhe janë pranuar përgjigjet e saj, meritoi heqjen e vizave dhe rekomandimin e Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat në 100-vjetorin e Pavarësisë por që, me një akt të paprecedent në historinë e integrimit evropian, këtë rekomandim e bllokoi Edi Rama, duke refuzuar votimin e tre ligjeve në Parlament.
Në tetorin që shkoi Shqipëria, mori përsëri dhe pa asnjë kusht, rekomandimin e Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat. Me gjithë këtë, Këshilli i Ministrave të BE refuzoi, në fund të dhjetorit që kaloi, këtë rekomandim. Ky refuzim ndodhi edhe pse zgjedhjet e qershorit u vlerësuan pozitivisht dhe rotacioni i pushtetit ishte normal, ndonëse këto nuk ishin kushte për statusin e vendit kandidat, padyshim ishin dëshmi thelbësore të funksionimit të shtetit ligjor. Statusi na u refuzua për së dyti, edhe pse tetë Ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të BE, firmosën një letër në të cilën mbështesnin dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë.
Po kështu, statusi u refuzua edhe pse Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, më datë 26 nëntor u drejtoi një letër Ministrave të Jashtëm të BE, në mbështetje të rekomandimit të Komisionit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Theksoj këtu se, letra e tij bazohej pjesërisht në të vërteta të pamohueshme, por kishte dhe paragrafë të tërë gjysmë dhe të pavërtetë, sikur të ishin shkruar në zyrën e Edi Ramës, duke injoruar faktin e thjeshtë se pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të BE kanë përfaqësi diplomatike në Tiranë, që informojnë online qeveritë e tyre mbi zhvillimet në Shqipëri.
Statusi u refuzua përsëri dhjetorin që kaloi, edhe pse për herë të parë pas katër vitesh, opozita shqiptare, tani PD, nuk kundërshtonte por mbështeste fuqishëm dhënien e tij dhe po kështu, po për herë të parë pas katër vitesh, tetorin që kaloi u arrit të miratohet deklarata e përbashkët e delegacionit të Parlamentit shqiptar dhe Parlamentit Evropian. Statusi i vendit kandidat iu refuzua për së dyti Shqipërisë edhe pse Parlamenti Evropian më dt. 5 dhjetor 2013 miratoi rezolutën, me të cilën kërkonte dhe mbështeste dhënien e statusit kandidat vendit tonë.
Kjo që ka ndodhur me ne shqiptarët, nuk ka ndodhur me asnjë komb apo vend tjetër në Evropë dhe përbën një spirale të rrezikshme për vendin dhe të ardhmen e tij evropiane. Por, më e keqja është se, ne nuk kemi ende vetëdijen e plotë të shkaqeve të vërteta dhe pasojave serioze të këtyre zhvillimeve.
Në këtë moment të veçantë, të kësaj tronditje vërtetë madhore, nga refuzimi i përsëritur i statusit të vendit kandidat, është jetike të bëjmë një analizë tërësore të udhëtimit tonë drejt Evropës, dhe mbi të gjitha, është koha të jemi shumë seriozë ndaj këtij projekti, të mos ndëshkojmë më tej veten.
Kjo analizë, që sot PD është në opozitë dhe PS në pushtet, nuk vlen për akuza politike. PS, pavarësisht nga qëndrimet e saj, është votëbesuar nga shqiptarët, kurse PD, në opozitë, është zotuar të mbështesë pa kushte procesin e integrimit. Por, analiza është jetike për çdo qytetar shqiptar, për të pasur të qartë kushtet, vështirësitë, pengesat në rrugën e integrimit, në mënyrë që ai ose ajo të luajnë rolin që iu takon dhe të japin kontributin e tyre në realizimin e projektit tonë më të rëndësishëm. Vijon….

Exit mobile version