Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka konfirmuar se shamia nuk është uniformë fetare, por është një veshje e zakonshme sipas rregullave islame. Reagimi i BIK-ut pason një deklaratë të ministrit të Arsimit, Ramë Buja, i cili ka theksuar se do të kërkojë nga BIK-u që të sqarojë çështjen e shamisë, ndërsa ka shpjeguar se në bazë të këtij interpretimi, më pas do të ndryshohet edhe një Udhëzim Administrativ për çështjen e propagandës fetare në shkollat publike, i cili është marrë si bazë ligjore për përjashtimin nga procesi mësimor të vajzave që kanë bartur shami.
Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, ka deklaruar për Telegrafin se është e qartë se shamia nuk është uniformë fetare, siç identifikohet në raste të caktuara.
“Uniformë fetare llogaritet çallma në kokën e imamëve edhe veshja e tyre. Ndërsa, shamia është veshjeve personale e femrave që duan të respektojnë rregullat islame për këtë çështje”, ka thënë Bajgora.
Bashkësia Islame e Kosovës është duke përgatitur një përgjigje zyrtare, e cila do t’i dërgohet Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të tjera. Bajgora ka shpjeguar se përgjigje të ngjashme janë adresuar shumë herë në të gjitha institucionet e vendit.
Gjatë një interviste në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ministri Ramë Buja ka deklaruar se në rast se BIK-u do të vlerësonte zyrtarisht se shamia nuk është uniformë fetare, atëherë Ministria e Arsimit do të ndryshonte një Udhëzim Administrativ, duke lënë të nënkuptohet se ndryshimi do të hiqte pengesat për vajzat me shami që ndjekin mësimet në ciklin e ulët dhe të mesëm të arsimit.
Deri tash ka pasur disa raste kur vajza që bartin shami janë përjashtuar nga procesi mësimor, duke u mbështetur në Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, sipas të cilit ndalohet propagandimi fetar dhe bartja e simboleve fetare në shkollat publike.
EDITOR
12 years ago
previous article
BDI i publikon emrat e ministrave dhe zëvendësministrave të rinj
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
12 months ago