Dr.Bashkim Aliu
 
Jetëshkrimi i Muhamedit s.a.v.s., apo siç emërtohet në gjuhën arabe es-sire, paraqet fokusim të mendimeve, ndjenjave, veprave dhe aktiviteteve të muslimanëve në të gjitha kohërat. Sireja, si sintezë multidimensionale jetësore, vështruar nga të gjitha këndet, është rrugë ideale e personalitetit njerëzor të frymëzuar nga fjalët hyjnore, të cilat ishin binarë të vërtetë mbi të cilat e zhvilloi aktivitetin e vet Muhamedi s.a.v.s.
Sistemi i jetës së muslimanëve të kohës në të cilën jetojmë, është kontrast ndërmjet arsyes dhe epshit, gjë që flet për luhatshmërinë e muslimanit në të jetuarit e vërtetë islamikisht. Prandaj, që të evitohet e gjithë kjo, duhet kthyer në retrospektivë, në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., që të mund të ndërtojmë perspektivë të shëndoshë. Në personalitetin e të Dërguarit të Allahut janë të mishëruara virtytet më të larta humane-njerëzore, të cilat do të ndiqen nga shpirti i pastër dhe produktiv i muslimanit të sinqertë.
Sireja, duke pasur parasysh rolin e Muhamedit s.a.v.s., paraqet jetësim të plotë të porosisë hyjnore, pasqyrim të ideales, shembull fenomenal të vënies në jetë të Kur’anit, i cili derivoi shoqërinë ideale dhe kohën e artë e të pazëvendësueshme në historinë e njerëzimit. Jeta e Muhamedit s.a.v.s., është urë gjithnjerëzore për progres dhe shpëtim të sigurtë prej vërshimit të turbullt në shpirtin e njeriut nga ana e djallit. Në të ka formula për çdokënd, i cili dëshiron zgjidhje të suksesshme të problemeve të natyrave të ndryshme, pasi ai gjatë jetës së vet la gjurmë të pashlyeshme në të gjitha fushat e jetës dhe aktivitetit njerëzor. Babai gjen shembullin më të lartë të dinjitetit prindëror, bashkëshorti e gjen rregulluesin e vërtetë të jetës familjare, burrshteti e gjen udhëheqësin e vërtetë të popullit, politikani e gjen kokën gjeniale në koordinimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ndërshtetërore, etj. Fjalët e tij, të cilat paraqesin burim të dytë të mësimit islam, mahnit çdokënd, për laikun paraqesin kokë filozofike me urtësi të paarritshme. Mu për atë, sireja është oqean në të cilin mund të lundrojnë anije me flamuj të ndryshëm, suksesi i të cilave është i garantuar po qe se nisen me qëllim të mirë.
Suksesi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., në arritjen e qëllimeve, mënyra e sjelljes në shoqëri, përditshmëria jetësore, vuajtjet e mundimet e njëpasnjëshme, janë enciklopedi e cila përmblodhi profilet më qenësore të zhvillimit të personalitetit të njeriut. Për atë, shikimi në jetën e tij, don të thotë lexim i ajeteve të gjalla dhe lëvizje e porosive Kur’anore.
Jetëshkrimi pejgamberik, si jeta e askujt tjetër, unjisoi dy botëra në praktikë. Rruga e tij jetësore pejgamberike, në një këndvështrim, e mbështjellë në përparësinë e shpirtërores nga njëra anë, dhe debitimi i tij i suksesshëm e modest në lëvoren e jetës njerëzore që zanafillën e kanë nga tharmi i nevojës fizike dhe i aktivitetit të gjallë të njeriut të rëndomtë. Nga ana tjetër, balansojnë kahjet e kundërta të cilat shpiejnë në ekstremizëm, kurse emocionin, gëzimin, hidhërimin, shpirtin dhe materien i kanë vënë në korniza të arsyes, si dhe janë poentë kryesore në konfrontimin e ideologjive të ndryshme për avansimin e një aspekti jetësor me realitetin objektiv dhe kërkesat e jetës njerëzore.. Shërimi i plagës së kufrit nga ana e dritës së imanit, do të hapë një dritare të re në shikimin e botës dhe vendosmërinë e vërtetë në arritjen e qëllimit të lartë hyjnor për të mirën e njeriut. Roli i tij pozitiv në ngritjen e vetëdijes njerëzore dhe shembëlltyra e tij e subjektit kryesor dhe hartuesit të normave jetësore e administrative të rrjedhës së politikës shtetërore, fetare e njerëzore, nën patronatin e Krijuesit Absolut, janë shembull i paarritshëm nga të mëdhejt e historisë dhe kulm nën të cilin do të strehohen dashamirët e së vërtetës dhe reales në çështjet jetësore dhe nevojat njerëzore, si dhe burim drite për kahëzimin e aktiviteteve të muslimanëve. Mu për këtë, sireja, edhe pse është rrugë historike, ngërthen në vete elemente pedagogjike, filozofike, psikologjike, administrative e ekonomike, të cilat korespondojnë mes njeriut dhe suksesit të tij në jetë. Studimi i sires është nevojë e domosdoshme e muslimanëve për konsolidimin e realitetit të hidhur që mbretëron dhe ringjitjen e tyre në maje të udhëheqësisë së botës në të gjitha fushat, ku e kanë edhe vendin dhe ku u ka hije të gjinden.
Shembëlltyra e Muhamedit s.a.v.s., që në fëmijëri është zinxhir silogjistik i paraqitjes së profecisë dhe suksesit mbi të keqen, i cili konfirmon suksesin në qëllimin e lartë islam dhe purifikimin e dështimit i cili është barbarizëm në fjalorin e gjuhës së popullit i cili ndërton ardhmëri mbi themelet e jetëshkrimit pejgamberik. Shembujt e lartë jetësor, të cilët i përfshijnë të gjitha çështjet jetësore, duhet të jenë shkallë nëpër të cilat besimtari do të hypë që të arrijë në kulminacionin e pastërtisë shpirtërore dhe jetës ideale. Fjalët dhe praktika e Muhamedit s.a.v.s., janë leksioni më i përshtatshëm i deshifrimit të porosive të larta hyjnore të paraqitura në Kur’an. Jetëshkrimi pejgamberik është komentuesi më i madh i kuptimeve të fjalës së Allahut dhe mundësia reale e të kuptuarit të ligjit të Allahut. Pasqyrë të plotë të të kuptuarit të vërtetë të Islamit na ofron vetëm jeta e tij, pasi ai qe unjisuesi i dy botërave.
Sjellja e tij shembullore në shoqëri, dhe debati i tij i qetë me mbështetje faktografike mbi të vërtetat e fesë, duhet të paraqesin doracak për thirrësin musliman.