Categories
Lajme FRI

Buxheti 2014: Kush do ta mbush e kush do ta zbraz arkën?

Viti 2014 është vit i zgjedhjeve presidenciale. Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Fushata zgjedhore nënkupton edhe një buxhet “të majmë” që duhet ta mbështesë makinerinë zgjedhore. Qeveria i përpiloi pozitat buxhetore për vitin 2014. Ajo planifikon të harxhojë 2,9 miliardë euro, kurse të mbledhë 2,5 miliardë euro. Zbrazëtira në arkën buxhetore do të jetë 300 milionë euro. Përderisa pushteti konsideron se ky skenar optimist ekonomik është i realizueshëm, biznesmenët dhe një pjesë e ekonomistëve paralajmërojnë se kriza nuk ka përfunduar.
“Nëse pushteti përpiqet ta mbushë buxhetin nëpërmjet tatimeve dhe dënimeve të firmave, ky do të jetë një indikator i keq për ekonominë. Projektimet e reja për realizimin e të hyrave buxhetore për vitin e ardhshëm duhet të bazohen në investime, kompani dhe punësime të reja”, vlerëson për “Portalb”-in,  Arben Halili, biznesmen dhe kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Mu në fjalimin e tij vjetor para biznesmenëve, që zgjati dy orë, kryeministri Nikolla Gruevski paralajmëroi përforcim të disiplinës fiskale, gjegjësisht dënime dhe gjoba për ata që nuk do t’i paguajnë në kohë detyrimet ndaj shtetit.
“Borxhliu që nuk do të paguajë detyrimet në kohë do t’i llogaritet dhe do të paguajë kamatë ndëshkuese, sipas Ligjit për raportet obligative. Për herë të parë parashihet edhe kompensim pa paralajmërim dhe tërheqje paraprake të vërejtjes së borxhliut. Janë paraparë edhe gjoba kundërvajtës edhe për subjektet nga sektori publik dhe ai privat”, deklaori Gruevski para afaristëve.
Nga ajo që dihet për buxhetin e vitit të ardhshëm është ajo se niveli aktual i deficitit buxhetor, i cili praktikisht nënkupton marrjet e huave nga shteti, nuk do të zvogëlohet. Kjo do të thotë se deficiti do të jetë 3,5 përqind. Në pako me harxhimet e përgjithshme, qeveria e planifikoi edhe rritjen e re të rrogave të të punësuarve në administratën shtetërore dhe të pensioneve për 5 përqind. Rrogat më të larta do të shkaktojnë edhe përqindje më të lartë buxhetore për harxhimet.
Ekspertët vendorë me vite e potencojnë strukturën e keqe të buxhetit. Sipas analizës së “Portalb”-it, madje 1,5 miliardë euro nga buxheti i këtij viti do të shkojnë për financimin, pikërisht të rrogave për administratën dhe kompensime sociale. Ja një pjesë të planeve qeveritare për harxhimet gjatë vitit të ardhshëm:
Rroga         384 milionë еuro
Transfere sociale          1,2 miliard еuro
Mallra dhe shërbime  303 milionë euro
Harxhime kapitale          364 milionë euro
Një pjesë e biznesmenëve e përshëndetën vendimin për rroga, pensione dhe kompensime sociale më të larta. Një pjesë konsiderojnë se kjo është thikë me dy tehe.
“Çështje kype, sipas meje, është se si do të menaxhohen punësimet në aparatin shtetëror dhe sa para do të parashihen për këtë. Administrata nuk mund më të absorbojë të punësuar të rinj, ekonomia është ajo që mund t’i konsumojë ata”, thotë Halili.
Opozita doli me vlerësimin se buxheti i ri që është projektuar është në funksion të zgjedhjeve dhe të rejtingjeve personale, e jo edhe në funksion të rritjes afatgjate ekonomike.
Edhe pse qeveria në buxhetin e ri shkruan se gjatë vitit 2014 do t’i harxhojë në mënyrë të disiplinuar paratë nga ekonomia dhe qytetarët, mu linja për mallra dhe shërbime për vitin e ardhshëm është rritur për 20 milionë euro në krahasim me këtë vit. Ka rritje edhe në linjën për kamata si rezultat i borxheve – gjatë vitit 2014 vetëm për këtë linjë do të harxhohen 71 milionë euro.
Ç’kërkojnë biznesmenët shqiptarë – e ç’fituan? 
Sinjalet optimiste për ekonominë gjatë këtij viti – paralajmërojnë rimëkëmbje, por herët është të thuhet se kriza ka kaluar. Rritja në dy kuartalet e para të këtij viti mund të jetë sinjal, por jo edhe shtyllë mbi të cilën qeveria mund t’i mbështesë projektimet e saja për vitin e ardhshëm. Atuja kryesore për arritjen e PBB-së pozitive për këtë vit është ndërtimtaria, e cila në kuartalin e dytë ekonomik u rrit me përqindje prej 33%.
“Ndërtimtaria nuk mund në vazhdimësi të jetë gjenerator i rritjes ekonomike. Sipas meje, projekti Shkupi 2014 është projekt i vdekur i cili vetëm gëlltit para, ndërsa në kthim nuk ka vlerë të shtuar, nuk hap vende afatgjate të punës, por, kushtimisht thënë, vetëm punësime afatshkurte, gjegjësisht sezonale”, thotë Halili.
Qëndrim të ngjashëm ka edhe profesori universitar Miroljub Shukarov, i cili konsideron se në një ekonomi të mbyllur, sikurse ajo e Maqedonisë, ndërtimtaria nuk mund të sigurojë rritje afatgjate dhe të qëndrueshme.
“Ndërtimtaria jep impuls, por të njëfishtë. Ashtu është te ne. Për shembull në një ekonomi si ajo amerikane, efektet janë të tjera për shkak se atje ky sektor realisht tërheq edhe industri të tjera. Do ta marr shembullin me kupollat në kulmin e Kuvendit të Maqedonisë. Qelqi, zalli, tjegullat – të gjitha janë nga importi. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e parave shkojnë jashtë”, thotë profesori Shukarov.
Për vitin e ardhshëm, me kredi kineze prej 600 milionë eurosh, qeveria paralajmëroi ndërtimin e dy rrugëve, Shkup – Sveti Nikollë – Shtip dhe në perëndim Kërçovë – Ohër.
Biznesmenët konsiderojnë se gjatë viteve të kaluara, një numër i vogël projektesh janë realizuar në rajonet me popullatë dominante shqiptare.
“Prioritet në Buxhetin për vitin 2014 duhet të kenë projektet infrastrukturore. Nga ana e qeverisë, deri tani nuk pash se është realizuar ndonjë projekt strategjik infrastrukturor në pjesën perëndimore të Maqedonisë, ku dominon popullata shqiptare.  Ja për shembull, në Kërçovë ndërtohet një urë, e cila akoma nuk është përfunduar”, thotë Halili.
Si një nga projektet, qeveria e ofron edhe Zonën e lirë ekonomike në Tetovë, për të cilën, pas disa përpjekjesh, u gjet koncensioner që duhet ta përfundojë ndërtimin e infrastrukturës, e pastaj për të duhet të kërkohen investitorë. Zona e lirë ekonomike në rajonin e Strugës akoma është në fillim, edhe atje duhet të fillohet me ndërtimin e infrastrukturës. /Portalb/

Exit mobile version