Dr.Jusuf el-Kardavi
Kjo çështje, pra çështja e përfundimit të mëkatarëve të mëdhej të cilët e kanë deklaruar besimin, është çështja e parë e cila ka nxitur debate dhe polemika mes muslimanëve. Kjo çështje njihet edhe si “murtekibu-l-kebire”(bërësi i mëkateve të mëdha). Kjo çështje u hap në kohën e sahabeve dhe në kohën e tabi’inëve.
Këtë çështje e hapën Havarixhët në kohën e Aliut r.a., ashtu që gjykuan se personi i cili bën mëkate të mëdha, bile edhe vetëm një mëkat të madh, është mosbesimtar-kafir, dhe do të jetë përgjithmonë në zjarr, nëse nuk pendohet nga ai mëkat i madh. Këtë gjykim, ata e zbatuan edhe për udhëheqësin e besimtarëve Aliun r.a., dhe e konsideruan se ka bërë mëkat të madh me atë që ka pranuar arbitrazh me palën e Muavijut r.a. Sipas tyre, me këtë gjest, ai ka bërë kufër dhe e ka merituar qëndrimin e përhershëm në zjarr.
Në shumë hadithe autentike të njohura, të cilat, siç shprehet edhe imam Ahmedi, janë popullarizuar përmes dhjetë mënyrave, janë qortuar Havarixhët, u është tërhekur vërejtja njerëzve që të jenë syçelë ndaj tyre, dhe është sqaruar se problemi i tyre nuk qëndron në vetëdijen dhe zemrat e tyre, por në mendjet dhe të kuptuarit e tyre. Ata kanë qenë adhurues që kanë agjëruar dhe janë falur shumë, por, edhe përskaj kësaj, kanë dalur prej feje sikur që del shigjeta prej harku. Në hadithe, adhurimet e tyre janë cilësuar si vijon:”Ndonjëri nga ju, e sheh të ulët namazin e vet krahas namazit të tyre, faljen gjatë natës krahas faljes së tyre, leximin e vet krahas leximit të tyre”. Hadithin e kanë shënuar Buhariu dhe Muslimi.
Aliu r.a. e dërgoi djalin e axhës së tij, Abdullah ibn Abasin, që të debatojë me ta për dilemat të cilat i kishin ngritur, e ai arriti që të bind shumë prej tyre, dhe disa mijëra u kthyen. Mirëpo, disa tjerë vazhduan në mendimet e gabuara, ashtu që Aliu r.a. bashkë me sahabet të cilët ishin përkrah tij, i luftuan.
Më pas, kjo çështje edhe një herë u hap në kohën e Tabi’inëve, në leksionin shkencor që e organizonte imami, juristi dhe edukatori i madh Hasen el-Basriju, apo në leksionet të cilat i organizonin nxënësit e tij më vonë. Dikush kishte pyetur se si do të jetë puna e personit i cili bën një mëkat të madh, në Ditën e Gjykimit. Vasil ibn Atau, njëri nga nxënësit e Hasen el-Basrijut ia kishte kthyer përgjigjen se personi i tillë nuk është as besimtar dhe as mosbesimtar, por ai është në një vend ndërmjet dy vendeve, dhe ai do të jetë përgjithmonë në zjarr, si mosbesimtari. Hasen el-Basriju për këtë rast ka thënë:”Vasili na u nda”(Iëtezelena Vasil). Thuhet se kjo ka ndodhur me nxënësit e Hasen el-Basrijut më vonë.
Sido qoftë, njerëzit janë ndarë në tre grupe për këtë çështje:
Grupi i parë:Ata që thonë se personi i cili ka bërë një mëkat të madh, nëse nuk pendohet, do të jetë përgjithmonë në zjarr. Mirëpo, mbetet dilema se ky person, a është mosbesimtar apo jo? Havarixhët thonë se ky person është mosbesimtar, ndërkaq Muëtezilët thonë se nuk është as besimtar por as mosbesimtar, por do të jetë në një vend ndërmjet dy vendeve. Megjithatë, sipas tyre, ky person do të jetë përgjithmonë në zjarr, njejtë si mosbesimtari.
Grupi i dytë:Janë Murxhitët, të cilët janë opozita e të parëve. Ata e kanë ndarë punën prej besimit, dhe sipas tyre, puna nuk është me rëndësi, por me rëndësi është besimi. Ata e kanë thënë thënien e tyre të njohur:”Përkrah imanit, nuk bën dëm mëkati, ashtu si përkrah mosbesimit, nuk bën dobi adhurimi”.
Grupi i tretë:Janë ata të cilët kanë mbajtur qëndrim mesatar ndërmjet atyre të cilët e kanë tepruar në ndëshkim, dhe atyre të cilët e kanë tepruar në falje. Ky grup, e kanë vërtetuar se ka nga ata të cilët kanë bërë mëkate të mëdha, por të cilët janë besimtarë, që do të hyjnë në zjarr. Për këtë gjë flasin ajetet Kur’anore dhe hadithe të shumta të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.
Kështu, prej Kur’ani mund të përmendet ajetet:<<Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë ata hanë atë që e mbush barkun e tyre zjarr dhe do të futen në zjarrin e xhehenemit (10)>>. Për ata që i kalojnë kufijtë e Allahut në trashigimi, Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe i shkel dispozitat e Tij, atë e shtie në zjarr të përjetshëm. E për të është një dënim i rëndë (14)>>. Po në të njejtën kaptinë, Allahu i Madhërishëm pasi ka përmendur disa ndalesa, ka thënë:<<Kush bën këtë (që ndaloi Zoti) qëllimisht dhe tejkalon kufijtë, Ne do ta hudhim atë në zjarr të fortë. Dhe kjo është leht për Allahun (30)>>.
Në këtë drejtim flasin edhe shumë hadithe, fjala vjen si:”Një grua ka hyrë në zjarr për shkak një mace që e ka mbyllur, dhe as që e ka ushqyer, po as që e ka lënë të lirë të kërkojë vetë ushqim në tokë”. Hadithin e kanë shënuar Buhariu dhe Muslimi.
Mirëpo, ky grup dallon nga Havarixhët dhe Muëtezilët me atë se thonë që mëkatarët të cilët kanë bërë mëkate të mëdha, nëse vdesin si besimtarë, një ditë do të dalin prej zjarri, ngase do t’u ndihmojë besimi në Allahun, të Dërguarit e Allahut dhe Ditën e Gjykimit. Pasi të qëndrojnë në zjarr aq sa do të dojë Allahu të qëndrojnë, për ta do të ndërmjetësojë ndonjë nga ata të cilët i ka lejuar Allahu të ndërmjetësojnë prej melekëve, pejgamberëve apo prej njerëzve të devotshëm. Apo, dalja e tyre prej zjarri, do të bëhet me mirësinë dhe mëshirën e Allahut të Madhërishëm. Në hadith autentik është vërtetuar se Allahu i Madhërishëm do të thotë:”Ka ngelur ndërmjetësimi Im”, dhe prej zjarri do të nxirren disa njerëz që janë djegur fjesht.
Ky është qëndrimi i pjesës dërmuese të umetit islam:sahabeve, tabi’inëve, dijetarëve të shquar të umetit, dhe këta më pas janë quajtur nga njerëzit “Ehli Sunne vel Xhema’a”. Ky grup janë mesatarë në krahasim me palët tjera, në çështjet që kanë të bëjnë me problemet doktrinare, njejtë si që janë edhe muslimanët mesatarë në krahasim me pjestarët e feve tjera, gjegjësisht hebrejtë, krishterët dhe tjerët.
Prej arabishtes:Bashkim Aliu
(Pjesë e shkëputur prej librit Fetava muasire-Fetva Bashkëkohore, pjesa e III)
 


[1] En-Nisaë: 10.
[1] En-Nisaë: 14.
[1] En-Nisaë: 30.