Categories
Opinione

Cilin autobus të marrësh?

Në të gjithë vendit, dy “autobusët” e fushatës (të tjerët minibusë) përhapin mesazhe të forta gjatë gjithë kohës, duke na kujtuar se kjo rrugë është vetëm për ata.
A mos ndoshta gjithnjë e më shumë po na kufizohet liria e “transportit” drejt së ardhmes dhe shoqëria jonë nuk po i konvenon ashtu siç duhet demokracia? Kur mungojnë mundësitë e zgjedhjes, atëherë populli thotë: zgjidh të keqen më të vogël, një formë kjo ngushëllimi për të gjitha ata që gjenden në pafuqinë e tyre. Megjithatë, teksa të majtët më të frymëzuar se kurrë nga bashkimi frymor dhe vëllazëror dhe të djathtët me qindra kilometra rrugë të shtruara, na garantojnë secila palë një udhëtim të sigurt katër vitet e ardhshme. Madje, autobusët duken kaq të rehatshëm, saqë secili prej nesh do të dëshironte të udhëtonte jo vetëm në njërin prej tyre, por në të dy.
A mjafton kjo? Jo, për sa kohë që në qarkullim janë vetëm dy shoferë që drejtojnë dy autobusë ndërsa pasagjerët ose i zgjedhin vetë, ose i hedhin nga dritarja kur shohin se prishin sado pak qetësinë dhe kur nuk e zbatojnë tabelën e vendosur në të gjitha anët: mos i fol shoferit, se ai e di më së miri rrugën vet. Edhe nëse nuk e di, njeriu, veçanërisht ai materialist, fillon të besojë tek kulti i vet dhe këtë e ushtron në formë presioni edhe tek të tjerët. Megjithatë, s’është kjo ajo çka na duhet të na shqetësojë, por shqetësimi duhet të jetë interesimi jo i individëve, por i institucioneve karshi qytetarëve. Për sa kohë, regresi në ditë me diell qëndron vazhdimisht si hije tek liderët, i njëjti proces ndiqet edhe në vijim duke u përfshirë në të gjitha shtresëzimet e shoqërisë.
Nga ana tjetër, kur sistemet janë ndërtuar me qëllimin e vetëm të zhvleftësimit të të gjitha vlerave, ajo çka pësohet më pas, është gjurulldia në të cilën po kalojmë kaq vite, duke mos e kuptuar asnjëherë thelbin e së vërtetës. Këtu ka mungesë të theksuar sinqeriteti në lidhje me komunikimin me qytetarët. Po të ishte vërtetë ashtu siç edhe deklarohen, nuk do të pritej kaq gjatë dhe krejt artificialisht për të miratuar tre kushte, ndërsa ndërkombëtarëve më së shumti në rastin e Shqipërisë u është dashur të shënojnë më shumë apele se sa rezultate, teksa duhet të ndodhte e kundërta.
Tani kur kryetarët janë fuqizuar tejet shumë dhe ata vendosin për shumëçka, e kemi të garantuar integrimin në katër vjeçarin tjetër, paçka se deri atëherë shumë gjëra do të jenë harruar dhe mendësia bllokuese siç edhe po ndodh tani, nuk është se do të jetë zhdukur. Qytetarët ndodhen përballë dy alternativave, thuajse të njëjta, që premtojë secila në anën e vet, por që në thelb, të dyja të çojnë në një pikë, atë të përdorimit të pushtetit për qëllime të ngushta vetjake, çka do të thotë, korrupsioni si metodë funksionimi qeverisjeje.
Qytetarët ndodhen edhe përballë dilemës: nëse duhet të votojnë të djathtët, pasi janë ngopur duke vjedhur, por që janë të lodhur nga pushteti, apo të majtët që do t’ia nisin nga e para “vjedhjes” për të vijuar kështu rotacionin më shumë “financiar” (përfitimi) se sa politik me premtime të mbajtura. Në asnjë moment nuk flitet për kriminalizimin me ligj të korrupsionit, përveç se në vija të trasha që nuk do të thonë asgjë. Dhe askush nuk flet se përpara që të bëhen punë të mira, duhet pastruar “rruga” nga të gjitha “ferrat e këqija”! Megjithatë, autobusi i fushatës ka nisur të qarkullojë me ritëm, ndërsa buria dëgjohet thuajse gjatë gjithë ditës për t’i marrë qytetarët me vete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version