Ishte verë e vitit 2000. Gjersa po udhëtoja bashkë me një të afërm dhe disa shokë në relacionin Prishtinë-Vushtrri, në një rrugë anësore të pa-asfaltuar dhe përplotë gropa, gjatë kalimit mbi një urë të metaltë të improvizuar nga trupat e KFOR-it, papritmas, autobusi me të cilin udhëtonim u ndal në mes të rrugës. Defekt, pëshpëriti vozitësi i autobusit! Pas pak kohe, ai i njoftoi të gjithë udhëtarët se duhej të presim derisa të vijë një autobus tjetër, me të cilin do të vazhdonim udhëtimin tonë për në destinacion, ngase defekti ishte i pariparueshëm.
Koha ishte jashtëzakonisht e nxehtë. Rruga në të cilën mbetëm të bllokuar, ndonëse anësore, ishte shumë e frekuentuar, me ç’rast shkaktohej pluhur shumë i madh. E, kur i gjithë ai pluhur kombinohej me temperaturat e larta dhe me frustracionin që ishte krijuar, një gjendje e tillë bënte që disa nga udhëtarët të irritohen pamasë. Kështu, ngaqë minutat kalonin, ndërsa autobusi tjetër po vonohej, disa nga udhëtarët filluan të shfaqin shenja nervozizmi, me ç’rast filluan të ankohen ndaj shoferit dhe ndihmësit të tij. Në atë ambient të tensionuar, një zonjushës apo zonjës të veshur me mini-fund dhe të grimosur paksa tejmase i plasi durimi dhe filloi t’i bërtas shoferit në mënyrë histerike, duke e fajësuar atë për gjithë situatën e palakmueshme në të cilën ndodheshim, bile-bile edhe për grimin e saj i cili kishte filluar t’i rrjedh për fytyre bashkë me djersët dhe, i cili, me të përzier me pluhurin, ia përlyente fytyrën. Në fillim, shoferi u mundua të tregojë mirësjellje dhe mirëkuptim, duke i kërkuar falje zonjushës/zonjës në fjalë për shqetësimin. Mirëpo, pas shumë “sulmeve” dhe insistimeve, shoferi ia ktheu duke i thënë: ‘Nëse nuk dëshiron të presësh, urdhëro e nisu në këmbë’. Një fjalë e tillë e preku tejmase zonjushën/zonjën e pakënaqur, e cila u shpreh e revoltuar: ‘Me kësisoj njerëz nuk shkohet në Evropë’. Në atë çast, njëri prej udhëtarëve, në mënyrë ironike pëshpëriti: ‘Ne jemi nisur për në Vushtrri zonjë, e jo për në Evropë’!
Sidoqoftë, pas pak kohe erdhi autobusi tjetër dhe sa çel e mshel sytë mbërritëm në destinacionin e duhur, e me këtë u përmbyll kapitulli i këtij udhëtimi të shkurtër me ca vështirësi. Mirëpo, kapitulli i cili vazhdon të mbetet ende hapur është ‘rrugëtimi’ jonë për në Evropë, me ç’rast, zonjushës/zonjës së grimosur dhe të përlyer, edhe pas më shumë se një dekade, ende nuk po i realizohet dot ëndërra e të ‘shkuarit’ në Evropë, ‘ëndërr’ kjo e cila po baltoset në realitetin tonë të hidhur në të cilin jetojmë.
Një ngjarje e këtillë reale, sado banale që duket, simbolizon situatën aktuale në të cilën gjendemi si popull: në mes të rrugëtimit të gjatë për përmbushjen e aspiratave për një të tashme më të mirë dhe një të ardhme më të sigurt; të kapluar nga i ‘nxehti’ i problemeve të shumta në gjitha sferat e jetës; si dhe të mbuluar nga ‘pluhuri’ të cilin na e hedhin syve pikërisht ata që supozohet se duhet të na e ndriçojnë rrugën si dhe të na udhëheqin në këtë ‘udhëtim’.
‘Refreni’ mbi të ‘shkuarit’ në Evropë u bë ‘modë’ dhe trend menjëherë pas rënies së monizmit. Bile, për çudi, ato që filluan t’i trumpetojnë më së shumti kësaj fjale ishin pikërisht ata që, deri dje, ‘kible’ të tyre e kishin Beogradin dhe Moskën, e disa prej tyre edhe Kinën. Mirëpo, me të fryrë erërat e demokracisë, ‘shokët’ e dikurshëm u bënë ‘zotërinj’ dhe filluan të hiqen si të emancipuar dhe progresiv. Këta ‘konvertit’ ideologjikë, parullat e tyre të dikurshme komuniste i zëvendësuan me parulla demokratike, pro-perendimore dhe pro-evropjane. Për pasojë, gjithnjë e më shpesh filluam të dëgjojmë refrenin e të ‘shkuarit’ në Evropë. Madje, sa më tepër që shoqëritë tona shqiptare ‘alla-ballkanase’ zhyteshin në ‘kënetat’ e tranzicionit të përjetshëm vetëshkatërrues, rritmi i këtij ‘refreni’ përshpejtohej.
Ky ‘refren’, në ditët e sotme dëgjohet rëndom në formë të togfjalëshit ‘integrime euro-atlantike’, togfjalësh ky, i cili, në fjalorin e disa “politikbërësve”, “intelektualëve”, “opinionistëve” dhe “analistëve” tanë ballkanas dhe shqiptar konsiderohet si akt më i lartë i pjekurisë politike dhe intelektuale. Bile-bile, një shprehje të këtillë, disa prej tyre e konsiderojnë ‘magjike’, ngase, mendojnë se, përmes saj, mund të mbulojnë çfarëdo dobësie apo turpi si dhe të arsyetojnë çfarëdo sjellje dhe dëshirë të tyre hedoniste dhe sadiste. Kështu, në bazë të ideologjisë së këtij klani “pan-evropja”, nëse populli shqiptar dëshiron të përparojë dhe të integrohet në instancat euro-atlantike, ai duhet të hjek dorë nga përkatësia Islame dhe të kalojë në katolicizëm; qoftë edhe nëse nuk pranon t’i respektojë dhe praktikojë ‘dhjetë urdhëresat’. Madje, sipas njëmendësisë së tyre, nëpërkëmbja e identitetin dhe dinjitetin të popullit, gjunjëzimi i tij në aspektin politik, ekonomik dhe moral, si dhe dhunimi i lirisë, ndjenjave dhe intelegjencës së tij, të gjitha këto janë të falshme, në funksion të ‘evropeizimit’ të cilin e trumpetojnë. Me fjalë tjera, ‘qëllimi i arsyeton mjetet’.
Arroganca e këtyre neo-makiavelistëve arrin kulmin pikërisht në momentet kur, me qëllim që ta mbulojnë injorancën, bëmat dhe pisllëqet e tyre, ata i vërsulen popullit, të cilin pretendojnë se e përfaqësojnë, duke e fajësuar atë jo vetëm për mosintegrimin tonë në Evropë, por edhe për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendemi si popull. E, të mjerët, harrojnë se, ajo që vazhdon ta mbajë peng këtë popullatë si dhe aspiratat e tij për integrim të mirëfilltë, zhvillim dhe progres janë pikërisht politikat e gabuara, demagogjia dhe dredhitë dinake të këtij klani, të cilët, përveç interesave të tyre personale, çdo gjë tjetër e kanë kamuflazhë dhe shfryrje epshesh.
Në këtë mënyrë, këta demagogë vazhdojnë ta polarizojnë, etiketojnë, përçajnë dhe dezintegrojnë shoqërinë shqiptare si asnjëherë më parë, herë në baza partiake, e herë në baza ideologjike dhe fetare, duke mbjellur kështu urrejtje dhe paragjykime në mesin e shtresave të ndryshme. Madje, ata marrin guximin që këtij populli t’ia nëpërkëmbin edhe shenjtëritë. Së këndejmi, atë që nuk arritën ta bëjnë as edhe armiqtë më të përbetuar, një gjë të tillë ky popull po e përjeton nga disa sosh të gjakut dhe fisit!
Për më tepër, ky grup i personave kontroverz, në mesin e të cilëve ka edhe disa sosh prej tyre që janë perverz, e konsiderojnë vehten si ‘pronar’ të së vërtetës dhe të drejtës absolute, si dhe ‘trashëgimtar’ të vetëm të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes së këtij populli. Mbase, dikush ua ka mbushur mendjen atyre se, gjoja, ata përfaqësojnë “elitën” e këtij populli dhe se posedojnë të drejtën që ta sundojnë dhe kontrollojnë këtë popull në të gjitha aspektet, jo vetëm në atë politik, ekonomik dhe kulturor, por edhe të menduarit, besimin dhe bindjet e tij!
Këtyre individëve blasfemistë ju pëlqen të hiqen si demokrat dhe progresiv, ndonëse shpirtin e kanë plotë urrejtje dhe despotizëm. Ata, popullin e personifikojnë me vehten, gjithmonë në stilin ‘Unë jam populli’, dhe janë në gjendje që jo vetëm t’i shpallin ‘luftë’ të pakompromis çdonjërit i cili mendon ndryshe, duke e fyer, akuzuar e shantazhuar, por ata shkojnë edhe një hap më parë, duke ftuar në ‘inkuizicion’ dhe ‘dëbime’.
Në këtë ‘kryqëzatë’ të tyre ata nuk zgjedhin fjalë dhe mjete, qoftë edhe nëse është në pyetje injorimi dhe nënçmimi i më se 90% të popullatës së tyre. Patetizmi i tyre i bën ata të besojnë se bota rrotullohet rreth tyre dhe se “Shqiptaria fillon dhe mbaron me to”. Dhe, kushdo që guxon të mendojë apo të flasë ndryshe nga që mendojnë ata, rrezikon të shpallet i prapambetur, tradhëtar, fundamentalist, ekstremist, neo-otoman, taliban, e çka jo tjetër. Bile, më e keqja është se, si rezultat i mllefit dhe injorancës së tyre, ata i ngatërrojnë dhe shtrembërojnë edhe termet. Kështu, ata, flasin për talibanizëm, ndërsa kanë për qëllim Islamin dhe muslimanët; flasin për tolerancë ndërfetare, ndërsa kanë për qëllim krishterizimin e muslimanëve; flasin për integrim, ndërsa kanë për qëllim alienimin dhe tjetërsimin… Së këndejmi, vështirë e ke t’i definosh këta ‘inkuizitorë’ “laikë” dhe kontradiktat e tyre. Ata, herë paraqiten nacionalistë të rregjur, e herë pacifistë të skajshëm; herë romantikë nacional, e herë pro-evropjanë liberal; herë laikë agnostikë, e herë musliman tradicional…
Po qe se këta ‘avokatë të dreqit’, energjinë të cilën e harxhojnë duke vjellur vrerë ndaj besimit dhe bindjeve të mbi 90% të popullatës e shfrytëzonin në qasje ndaj problemeve reale dhe jetike të shqiptarëve si dhe në luftimin e anomalive të shumta të cilat po i kaplojnë çdo ditë e më shumë shoqëritë tona, me siguri se gjendja jonë e gjithmbarshme si popull dhe komb do të ishte më e mirë nga ajo që e shohim. Mirëpo, për fat të keq, në kohën kur ‘shqipëritë’ tona po zhyten gjithnjë e më tepër në antagonizma dhe dështime të mëdha në gjitha sferat e jetës, me ç’rast, politika po klanizohet dhe kriminalizohet, agjenda kombëtare po devijohet, elita intelektuale po margjinalizohet, pasuria e popullit po uzurpohet dhe keqshfrytëzohet, ekonomia po korruptohet, administrata po nepotizohet, populli po manipulohet dhe varfërohet, familja shqiptare po shpartallohet, rinia po degjenerohet, nataliteti po zvogëlohet, krimi, vrasja dhe vetëvrasja po shtohet, truri i kombit po migrohet, arsimi po dobësohet, morali po shkatërrohet, kultura po tëhuajësohet e çka tjetër nuk bëhet, fati i këtij populli vazhdon të mbetet në duart e atyre që e shohin atë si makineri votimi, objekt manipulimi, subjekt nënçmimi dhe burim pasurimi.
Në situata të këtilla, kur ‘shushunjëzat’ politike, ekonomike dhe kulturore, përveç që tallen me fatin, pasurinë dhe ndjenjat e popullit të tyre, ata mundohen që ta uzurpojnë edhe bindjen, lirinë, fjalën dhe arsyen e tij, atëherë, atij populli nuk i mbetet zgjidhje tjetër, përpos dy rrugëve: o të vetëdijësohet dhe të ngritet në mbrojtje të nderit dhe dinjitetit që po i nëpërkëmbet, ose ta lejë fatin e vet dhe të gjeneratave të ardhshme në duar të disa ‘çapkënave’ diletantë dhe dështakë, të devalvuar dhe të korruptuar në të gjitha aspektet, qoftë atë njerëzor, intelektual, politik, ekonomik, social, moral apo material, të cilët, më pak se çdo gjë tjetër e meritojnë epitetin ‘pro-perendimorë’ dhe ‘pro-evropjanë’, dhe të cilëve, herët a vonë, duhet të ju tregohet se ku e kanë vendin. Rrugë dhe alternativë tjetër nuk ka. Andaj, zgjidhni dhe merrni!
EDITOR
11 years ago
previous article
Maqedoni, protesta në mbështetje të Erdoganit (Video)
next article
Ushtari i UÇK-së, mbijeton nga kanaqet
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago