Në kuadër të studimeve të kulturës mediale dhe të studimeve kulturore, që gjithnjë e më shumë po përfshijnë brenda vetes edhe studimin e ndikimit që kanë masat dhe grupet në komunikimin medial on-line, thënia e famshme e Valter Lipmanit për shumicën e publikut si “grigja e hutuar”, tash është në provë shumë më shumë se sa në kohën kur ai e pati shqiptuar. “Gjatë viteve të tetëdhjeta erdhi gjithashtu deri te dukuria e teknologjive të reja, të cilat e ndryshuan mënyrën e jetës dhe ushtruan ndikim të fuqishëm në kohën e punës dhe në kohën e lirë. Teknologjitë e kompjuterëve i bënë të panevojshme shumë profesione dhe njëkohësisht sollën krijimin e të rejave, duke ofruar forma të reja të këmbimit të informatave, komunikimeve ndërnjerëzore dhe duke sjellë përparësi të shumta të ndikimit kompjuterik në sferën publike. Mirëpo, teknologjitë e reja mediale dhe kompjuterike paraqesin shpatë me dy tehe dhe efekte e tyre janë kundërthënëse.” Njëra anë e tehut të shpatës, sipas Dagllas Kellnerit, mundëson reinkarnimin e “Vëllait të Madh”, e që këndej edhe mbylljen në botën e argëtimit dhe largimin nga aksioni konkret politik. Por, nga ana tjetër e tehut të kësaj, ata që dikur Valter Lipmani i quante “grigja e hutuar”, po bëhen njëfarë subjekti interesant i komunikimit medial dhe i imponimit në komunikimin medial të kulturës së tyre problematike, falë një numri të madh e gjithnjë në rritje kauzimediumesh e mediumesh on-line. Disa nga bllogjet, fejsbuku dhe disa portale sot janë bërë ushqyesi më dinamik i informimit dhe i dezinformimit të njeriut, ndërsa për pjesëtarët e “grigjës së hutuar” janë bërë arena për kauzën e tyre vetmitare, e shpesh herë anarkiste. Por, aksioni është i dyanshëm: nga njëra anë ato bllogje dhe adresa të tjera të komunikimit social vetë janë bërë miniera të dezinformatave të shpifjeve e të propagandës së çoroditur, në synimin e tyre që të tërheqin vëmendjen, të klikimizohen sa më shumë e prej këndej edhe të vjelin sa më shumë reklama. Nën peshën e këtij synimi të qartë dhe agresiv, etika profesionale ka marrë goditje të fortë dhe është në sprova serioze, diku edhe në grahmat e fundit. Lufta e paepur për sa më shumë klikime i ka shtyrë që t’u dorëzohen pasioneve të anonimëve, që komunikimin e shfrytëzojnë për shfryrjen e frustrimeve të veta, të luftës me tjetërsimin dhe me frikën e tyre neurotike nga realiteti që nuk u ofron siguri elementare ekonomike dhe shoqërore. Kjo aleancë e përçudshme e kuazimediave me kuazilexues, tash për tash po tregohet funksionale, duke dhënë shenjat e para se po e sfidon seriozisht gazetarinë e vërtetë. Dhe, jo vetëm gazetarinë e vërtetë, por edhe komunikimin normal, sepse me leksikun e vet vulgar dhe me paditurinë e lemerishme, po e godasin edhe gjithë sistemin e vlerave që ka shoqëria në dispozicion. “Kultura mediale dhe kompjuterike krijojnë sajber hapësira të reja të cilat duhet të hulumtohen e të analizohen dhe fusha të reja të konflikteve politike dhe të intervenimeve. (…) Këto teknologji mund të përdoren si instrumente të dominimit ose të çlirimit, manipulimit ose iluminimit shoqëror; kjo varet nga prodhuesit e kulturës dhe nga intelektualët-aktivistët e kohës sonë dhe të kohës së ardhshme, që do të vendosin se në ç’mënyrë do të shfrytëzohen dhe zhvillohen teknologjitë e reja dhe cilave interesa do t’u shërbejnë”
Konfliktet politike dhe manipulimi
Ajo që shohim tash për tash në tregun medial on-line të Kosovës është e para, bartja e konflikteve politike në këtë terren dhe e dyta, tendenca e hapur e manipulimit dhe e imponimit me anën e shantazhit të shijeve vulgare të individëve dhe grupeve të caktuara. Këta persona anonimë dhe këto grupe, që nuk mund të identifikohen qartë, megjithëse në disa nga temat qendrore vërehet se janë mbartës të ideologjisë ekstremiste, gjejnë në një numër të madh kuazimedia hapësirën e nevojshme që të shprehin opinionet e veta agresive. Këto opinione dallohen për dy gjëra: e para, për nivelin e ulët gjuhësor të komunikimit dhe, e dyta, për mospreokupimin me temat që trajtohen (mungesë totale e dijes) po për përpjekjet që të imponojnë versionin e tyre të së vërtetës, qoftë dhe me anën e etiketimeve, të kërcënimeve dhe të shantazhit.
Nga analiza e ligjërimit të tyre agresiv, etiketues dhe shantazhues, nuk është e vështirë të kuptohet se prapa atyre fjalive të ashpra, të padenja, fshihen persona të kapluar nga frustrimi, nga tjetërsimi kulturor dhe nga frika neurotike. Përpjekja e tyre që të shkëputën nga “grigja e hutuar” është problematike, sepse me nivelin e tyre të komunikimit dhe me zbulimin e dobësisë së vet psikologjike, sociale e kulturore, vetëm sa e konfirmojnë pozitën e tyre në pjesën e margjinalizuar të shoqërisë. Në këtë aspekt ata duken nganjëherë si masë. “Masa është një koncept i paqartë, i paqëndrueshëm, artificial dhe i ndryshueshëm në strukturën e vet. Si e kundërta e popullit, masën e përbëjnë elementet e pabarabarta, shpeshherë të çrrënjosura e të shkëputur nga vendlindja, që bëhen bashkë gati rastësisht ose në bazë të disa parullave. Në fund, masa bëhet shumë aktive dhe emotive. Atyre që e përvetësojnë, ajo në fillim u duket lojale, deri në çastin kur fillon të bëhet pre e teprimeve”
Disa nga këta elementë, si paqëndrueshmëria, artificialiteti, shkëputja nga vendlindja, lidhja pas parullave dhe emocionaliteti i lartë, janë tipike për një pjesë të njerëzve që participojnë me opinionet e veta në mediat on-line dhe rrjetet sociale ndër ne, zakonisht me anën e pseudonimeve. Është e sigurt se veprimet e kësaj natyre e kanë një motiv ose edhe një sërë motivesh, që i provokojnë të manifestohen në atë mënyrë. Pra, frustrimi, tjetërsimi dhe frika kanë një histori konkrete në jetën shoqërore. Kësaj here këto shfaqje kanë qëlluar të përjetohen me intensitet tepër të lartë pikërisht në periudhën e lulëzimit të internetit dhe të mediave on-line, prandaj e kanë gjetur një kanal ku mund të vërshojnë.
Historia e vërtetë e këtij frustrimi, këtij tjetërsimi dhe kësaj frike neurotike, ka të bëjë me ngjarjet konkrete në jetën shoqërore, familjare dhe personale të shumicës së këtyre pjesëtarëve të këtij komunikimi problematik. E para, eksodi si pasojë e katastrofës humanitare, e spastrimit etnik dhe e gjenocidit të viteve 1998/1999, provokoi një përmbysje të plotë të jetës shoqërore, kulturore dhe demografike të Kosovës. Shkulja nga vendbanimet, ku kishin jetuar me shekuj familjet shqiptare, brenda një sërë traditash e kodesh të organizimit social, përmbysi një mënyrë jetese dhe organizimi social. Me mijëra familje shqiptare mbetën madje edhe pa një pjesë të kujtimeve të tyre, sepse edhe fotografitë u janë djegur. Të dëbuar nga vendlindjet e veta, të persekutuar e të poshtëruar, ata rifilluan një jetë të re në kushtet e lirisë së një vendi të shkatërruar nga lufta. Njëra nga sfidat e para ishte që të harrohej vuajtja dhe poshtërimi. Përpjekja u bë që vuajtja dhe poshtërimi të zëvendësoheshin me një triumfalizëm të skajshëm, në diskursin e të cilit flitej vetëm për trimëri, heroizma dhe kontribute legjendare për kombin. Bashkë me këtë retorikë ndodhi edhe një trend i moskthimit në vendlindje dhe, rrjedhimisht, edhe një ikje nga tradita dhe vlerat tradicionale të jetës familjare e shoqërore. Kjo përpjekje e ikjes nga vetja, solli në qytete, veçmas në kryeqytetin e Kosovës, një numër shumë të madh të familjeve që për shekuj kishin jetuar në fshatra dhe kishin një kulturë tipike tradicionale dhe një mënyrë rurale të jetesës. Por, të ardhur në qytete si “fitimtarë”, një kontingjent i banorëve rishtarë të qyteteve, u shndërruan shpejt në uzurpatorë të banesave, të shtëpive e të dyqaneve të huaja dhe në plaçkitës të pronave të mbetura pa pronarët e vet. Këta banorë të rinj, me bindjen se ishin fitimtarë dhe se atë status e kishin fituar me luftë, madje edhe ata që nuk kishin qenë fare në të, bënë përpjekje të mëdha që ta shartojnë sistemin e vet të vlerave në qytete, faktikisht duke ruralizuar jetën shoqërore dhe kulturore në shumë aspekte, përfshirë edhe të folurit dhe gjuhën, së cilës i imponuan një funksion më të ulët shprehësie, meqë idetë dhe ndjenjat e tyre të cekëta nuk kishin nevojë për stërhollime gjuhësore. Futja e shprehjeve vulgare dhe pranimi i tyre edhe nga folës të shtresave të tjera sociale e kulturore, është dëshmi e agresivitetit të tyre po edhe e dobësisë së konstituentëve të tjerë të shoqërisë së re. Ato shprehje vulgare, përkatësisht tendenca që komunikimi të jetë sa më vulgar dhe sa më brutal, u bart pastaj edhe në komunikimin në media, përgjithësisht e veçmas në mediat on-line, në rubrikat e opinioneve dhe të komentimeve. Këtë nivel komunikimi e kanë pranuar edhe pjesëtarë të tjerë në këtë komunikim, por autorësia gjithsesi u mbetet ikanakëve, që solli batica e çlirimit të Kosovës në qytete e veçmas në Prishtinë.
Tjetërsimi
Mirëpo, pozita e disa kategorive të famijeve dhe pjesëtarëve të tyre të shkulur nga vendlindja, në vitet që pasuan është përkeqësuar. Një numër jo i vogël qenë shtrënguar të ktheheshin në vendlindje, por pa arritur që të riintegroheshin në jetën e mëparshme, veçse duke mbetur me një status të dyzuar, psikologjikisht triumfues, ndërsa shoqërisht humbës. Prej këndej ka filluar edhe një proces i tjetërsimit të një pjese të këtyre qytetarëve. Ata kanë mbetur pezull mes ambicieve të mëdha që ta ndryshojnë statusin social nga “fitorja e tyre” dhe mundësive të vogla që mund t’u ofrojë një shoqëri dhe një shtet i varfër. Nuk duan ta jetojnë jetën reale, me mundësitë modeste që afron, por duan të gjejnë mënyra që të jetojnë “si të tjerët”, që jetojnë jetën e vet reale në kushte krejt të tjera ekonomike, shoqërore e kulturore. Kështu, ambicia e shfrenuar konsumeriste dhe iluzioni se mund të jetohet jeta e të tjerëve ose si të tjerët, e prodhon tjetërsimin.
“Sot një pjesë e bashkëkombësve tonë edhe në Kosovë, po e përjeton procesin e tjetërsimit kulturor, besimor e kombëtar ashtu siç përjeton një njeri i sëmurë përparimin e sëmundjes në organizmin e tij, duke e ndier përparimin e saj, po në të njëjtën kohë duke mos e pasur as guximin që ta pranojë se ai përparim po ndodhë dhe po e shpie drejt ndryshimit jetën e tij. Si edhe të gjitha analogjitë e tjera, edhe këto e kanë një asimetri brenda vetes: përderisa sëmundja nuk është e vullnetshme, nuk është zgjedhje e vetë njeriut të sëmurë, tjetërsimi në rrethanat tona të anarkisë së zgjedhjes, tingëllon si i vullnetshëm, si zgjedhje e lirë e atyre që i janë ekspozuar atij ndryshimi, paçka se në fakt është i nxitur nga naiviteti dhe nga prirje hedoniste që nuk frenohen lehtë.”
Ndërsa, emocionaliteti i lartë, shprehjet vulgare, sharjet, mallkimet, ulërimat e thekshme, që shtrihen gjerë e gjatë opinioneve dhe komenteve në mediat on-line, dëshmojnë se një grup tjetër, përtej tjetërsimit, shpërfaqin edhe një gjendje të frikës së fortë nga realiteti dhe nga e ardhmja. Ata duken të pashpresë, kur shkruajnë se ky vend nuk bëhet, se me këta njerëz (drejtuesit e vendit) puna është më keq se sa në kohën e sundimit të Millosheviqit. Të folurit me eufemizma, me terma të zbutur, për sundimin serb dhe sharja e drejtuesve të vendit, është element tipik i frikës. Por, kontaminuesit e bllogjeve, të protaleve e të rrjeteve sociale kontaminuese të komunikimit, nuk janë të vetmuar në ndërmarrjen e tyre absurde. Aleatë të tyre, megjithëse pa qëllim, janë bërë lexuesit e po këtyre bllogjeve, portaleve dhe rrjeteve sociale, sepse ata ashtu ndihen të çliruar nga propaganda e mediave tradicionale proqeveritare e korporative (a mundet që rënia në kurthin e bllogjeve ka ndodhur pikërisht nga ikja prej propagandës që vjen nga mediat klasike?). Bile, ky lloj lexuesi më të shumtën as nuk ka vullnet që të krahasojë informacionet që merr nga këto kuazimedia me informacionet që ofrojnë mediat klasike (gazetat, radioja dhe televizioni), qofshin ato proqeveritare, opozitare ose korporative. Të mbyllur në vetminë e vet, si pasojë e mungesës së kohës së lirë, lexuesit e kuazimediave janë viktima të vullnetshme të manipulimit kuazimedial. Dallimi i tyre nga lexuesit e mediave të periudhave të sistemeve totalitare është marramendës: ata nuk kanë pasur zgjidhje të shumta në dispozicion, lidhur me informimin, por ajo që kanë bërë ka qenë mprehja e refleksit kritik ndaj informacioneve të servuara, me çka gradualisht e kanë shtruar edhe terrenin e opozitarizmit ideologjik e politik. Prandaj, konsideroj se lexuesit e bllogjeve të sotme problematike janë viktima të vullnetshme të manipulimit kuzimedial. Mund të jetë që arsyeja e kësaj prirjeje të shumë lexuesve, që të jenë të manipuluar, e ka burimin po ashtu te trauma e mëhershme, e cila i motivon të marrin “distancë kritike” ndaj mediave profesionale e institucioneve shtetërore, duke u bërë viktima të manipulimit të kuaizmediave dhe grupeve anonime që në këto hapësira zhvillojnë luftën e tyre klandestine kundër institucioneve. Duke i konsumuar dezinformatat dhe shpifjet e shumta që i janë servuar përmes kuazimediave e pastaj edhe duke i interpretuar, lexuesi i manipuluar bëhet bashkëpërgjegjës për pasaktësinë që përhapet edhe me interpretimet e tij. Transmetimi i informatave të marra nga burime të paverifikuara, e kryen pikërisht misionin për të cilin janë ngritur bllogjet dhe gjithë kuazimediat: përhapjen e të vërtetave të pjesshme, promovimin e jovlerave dhe çrregullimin e standardeve të komunikimit publik. Në këtë pikë, bllogjet dhe portalet e sotme problematike konceptualisht u afrohen thashethemeve që përdorte sistemi totalitar, për të përhapur dezinformata dhe për të sheshuar terrenin për ndërmarrjet e veta ideologjike ose represive. Në sistemin totalitar “mjafton që rrjeti i thashethemeve të aktivizohet dhe pastaj po ata që e kanë inicuar, bëhen konstatuesit e ekzistencës së tij”. Por, nga ana praktike, bllogjet dhe portalet e sotme problematike nuk kanë asnjë lidhje me thashethemet e sistemit toatlitar, sepse tash gjithçka është e lirë, e pakontrolluar dhe madje argëtuese.
Saktësia e informacioneve
Do të ishte me shumë interes shkencor nëse do të mund të matej në mënyrë empirike cilësia dhe saktësia e informacioneve të marra me anën e bllogjeve, portaleve dhe fejsbukut, dhe po të mund të krahasohej me cilësinë dhe saktësinë e informacionet që publikojnë mediat klasike. Meqë kjo ndërmarrje është shumë e zorshme, mbetet vetëm që të meditohet për të. Ajo që sot mund të vërehet edhe me sy, është ndryshimi i sjelljes së lexuesit të bllogjeve, portaleve e të fejsbukut: informacionet me të cilat operojnë janë sipërfaqësore, miniaturale, jokoherente, jokritike dhe vetëm pjesërisht të sakta. Standardet e gazetarisë klasike, ku përdoren citatet, identifikohen burimet e informimit, ku informata strukturohet brenda një zhanri mediatik, ku fotografitë përplotësojnë informacionin dhe mesazhin, në këtë lloj informimi praktikisht janë të përjashtuara. Rrjedhimisht, informacioni që merret, edhe me kushtin që të jetë i saktë, është jostandard dhe joprofesional. Kjo pa dyshim që ndikon edhe në sjelljen e lexuesit të këtyre materialeve, sepse ua shton hutinë dhe konfuzionin e gradualisht i paaftëson që të marrin gjykime të pavarura e kritike për ngjarjet për të cilat janë informuar në këtë formë. Pra, nga niveli joprofesional i informimit rezulton zvogëlimi i aftësisë së interpretimit të ngjarjeve dhe krijimit të lidhjes kauzale të tyre. Prandaj, është e nevojshme që krahas përpjekjeve për të qenë sa më drejt të informuar, lexuesi duhet të bëjë përpjekje e të gjejë mënyra adekuate të interpretimit të ngjarjeve dhe të realitetit përgjithësisht.
Në këtë kontekst, fillimisht duhet të zgjidhet dilema: a mund të përmirësohen informatat që vijnë nga bllogjet, portalet, fejsbuku e format e tjera të komunikimit social? Nëse kjo do të ishte e mundshme, atëherë kriza e tashme e cilësisë dhe e nivelit të informacioneve që qarkullojnë nëpërmjet tyre do të konsiderohej si kalimtare dhe shpresa do të rritej se korrigjimi është i mundshëm. Por, përmirësimi substancial i këtij komunikimi varet nga përmirësimi substancial i cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet e shkollimit, nga krijimi i një shoqërie më të drejtë dhe nga ngritja morale e pjesëmarrësve në këto rrjete të komunikimit shoqëror.
Niveli i tashëm i arsimit, jo vetëm në vendin tonë po në shumicën e vendeve të botës, është problematik edhe në këtë aspekt. Ndërsa, kriza morale është shoqëruesi më besnik i të gjitha problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria njerëzore sot. Rrjedhimisht, me nivel jo të dëshirueshëm arsimimi dhe me mungesë të theksuar të vlerave morale, komunikimi në këto rrjete është stimulues dhe legalizues i injorancës dhe i çmoralizimit. Një numër shumë i madh i opinioneve që shoqërojnë tekste e informacione të ndryshme në bllogje e madje edhe me mediat on-linë, e zbulojnë këtë injorancë dhe çmoralizim të pjesëmarrësve në këtë lloj komunikimi. “Fyerjet, shpifjet, akuzat dhe mallkimet që shpalosen në këtë formë komunikimi, janë nga më të shëmtuarat që mund të imagjinohen. Thjesht, është e zorshme ta imagjinosh se çfarë mendjesh të çoroditura janë ato që prodhojnë gjithë atë urrejtje, gjithë atë antivlerë në komunikim. Meqë janë të fshehura pas anonimatit, është e vështirë të identifikohen këta “autorë” dhe motivet që i shtyjnë të prodhojnë këtë bërllog medial, të paketuar gjoja si opinion. “
Mbrojtja
Nëse nuk mund të shpresohet se përmirësimi i nivelit të arsimit dhe i moralit do të ndodhin shpejt, atëherë mbetet të kërkohet një mekanizëm mbrojtës ndaj këtij komunikimi agresiv e shfytyrues. Teknikisht, mbrojtja nga vërshimi i bërllogut kuazimedial, po edhe medial, mund të bëhet nëse aplikohet kjo metodologji e përzgjedhjes dhe e vlerësimit të tij: fillimisht hetohen qëllimet që ka plasuesi i informacionit. A ka për qëllim promovimin e vetes e denoncimin e të tjerëve, a ka për qëllim ndonjë formë përfitimi nga “prodhimi i pajtimit” tënd apo është dëshirë për participim në komunikim? Pastaj vlerësohen mjetet që përdoren. Është e ditur se qëllimi i mirë nuk mund të argumentohet me fjalë të këqija, me fyerje e me dezinformata, prandaj nëse mjetet nuk janë të pastra, është e logjikshme që të dyshohet edhe në qëllimin e proklamuar. Rrjedhimisht, opinionet dhe komentimet fyese, me nivel të ulët të shprehësisë gjuhësore e të drejtshkrimit, me fyerje e kërcënime, nuk duhet të pranohen nga publiku, që u ekspozohet. Vetimunizimi i publikut ndaj këtij niveli të ulët të komunikimit medial është mënyra më efikase e refuzimit të këtij degradimi kulturor, moral e medial.
Po ashtu sjelljet e pjesëmarrësve në komunikim janë të rëndësishme, sepse ato e zbulojnë nivelin profesional e moral. Nëse ai nivel është problematik, bëhet e qartë se edhe konsumimi i informacioneve prej tij është po ashtu problematik. Dhe, tjetra, është me rëndësi të hetohet në mënyrë kritike ndikimi që ka jo formë e komunikimit ose e bashkëpunimit për prodhimin e vlerave për shoqërinë ose edhe për tërë njerëzimin.
Prandaj, hetimi i qëllimit dhe i mjeteve që përdoren në një aktivitet të këtillë, është esencial edhe për vlerësimin e ngjarjeve e të realitetit. Vetëm në këtë mënyrë mund të refuzohet “prodhimi i pajtimit” me anë të manipulimit dhe të dezinformimit. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresohet se mund të shpëtohet nga terrori i grupeve agresive që po bëjnë agresion mbi komunikimin e ri kuazimedial.
Por, shpëtimi mund të ndodh nëse analiza dhe vlerësimi i ngjarjeve nga mediat normale dhe nga pjesëmarrësit e tjerë në komunikim bëhet duke përdorur metodat adekuate që na japin një pamje reale të ngjarjeve. Fjala vjen, metoda induktive, që përdoret shpesh, nuk mundëson që të depërtohet në strukturën e ngjarjeve, në motivet e fshehta të saj, në pasojat që ajo shkakton. Duke u kapur për një sekuencë, për një citat, për një burim, për një indikacion, nuk mund të shihet pamja e plotë e ngjarjes/ngjarjeve dhe të nxirren përfundime për lidhjet shkakësore të saj me ngjarjet e tjera dhe me motivet e fshehta të veprimit të njeriut/njerëzve. Ndërsa, kjo është “metoda” më e shpeshtë dhe, praktikisht, e vetme, me të cilën shërbehet për të njohur realitetin. Ajo shërbehet me deklarata e me citate të shkëputura nga konteksti e nga motivet e fshehta, me burime të paidentifikuara, me shifra të paverifikuara, me fakte të palidhura. Si shembull interesant mund të jetë emisioni i KTV-së “Hajt pak”, në të cilin kalimtarë të rastit përgjigjen në pyetje lidhur me ngjarjet aktuale. Përgjigjet e shumicës prej tyre janë me shkallë të lartë emocionaliteti, me shenja frustrimi e afazie gjuhësore. Të gjendur papritur para kamerës, ata e zbulojnë edhe para të tjerëve, po edhe para vetes, se informacionet që kanë kujtuar se i kanë marrë, nuk i kanë të qarta, nuk kanë kuptuar esencën e tyre, prandaj as nuk dinë t’i lidhin logjikisht. Është një fyerje e madhe morale që u bën media, duke i vënë në siklet që ta zbulojnë statusin e tyre si krijesa të manipuluara. E keqja është se krijesat e këtilla shumë lehtë mund të rrëshqasin në fanatizëm, qoftë politik, qoftë fetar, si pasojë e letargjisë, që buron nga paaftësia e njohjes së vërtetë të gjerave. Rrjedhimisht, “grigja e hutuar” është objekti më i përshtatshëm për manipulim, përkatësisht për “prodhimin e pajtimit” me anën e manipulimit. Por, ajo po bëhet gradualisht edhe participuese dhe, ndoshta nesër, edhe zotëruese e hapësirës së komunikimit on-line. Meqë këto janë kryesisht gjenerata të reja, duhet ta kemi para sysh se me këtë trend sjelljesh e veprimesh agresive në komunikimin medial, do të ballafaqohemi shumë më gjatë se sa që do të dëshironim. Ndoshta kështu kemi hyrë në periudhën kur gjeneratat e reja edhe në këtë mënyrë e manifestojnë sjelljen e vet, përkatësisht stilin e vet të jetës. Nëse është kështu, atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me pasojat e shkaktuara nga realiteti ynë lokal, po kemi të bëjmë edhe me një ndryshim rrënjësor, që vjen edhe si pasojë e globalizimit.
EDITOR
11 years ago
previous article
SHBA e skandalizuar nga gjendja e mediave në Maqedoni (Video)
next article
Të gjithë studentët në „Sofër“
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago