Me kredinë e fundit në vlerë prej 570 milionë eurove për ndërtimin e autostradës Kërçovë -Strugë dhe Shtip-Shën Nikollë, borxhi i jashtëm i Maqedonisë tejkalon shifrën prej mbi 2.2 miliardë eurove. Trendi i futjes në borxh te institucionet e jashtme financiare dukshëm është rritur në pesë vitet e fundit. Borxhin e parë në vlerë prej 175 milionë eurove Qeveria e mori në vitin 2009 dhe që kishte afat kthimi prej tre viteve. Kështu, për të kthyer ketë borxh në vitin 2011 i cili së bashku me kamatën arriti shifrën prej 183 milionë eurove, Qeveria sërish u fut në borxh të ri në vlerë prej 475 milionë eurove te Fondi Monetar Ndërkombëtar, me kamatë prej 9.7 për qind dhe afat kthimi prej 3 viteve. Kjo do të thotë se në janar të vitin 2014 Qeveria duhet të kthejë vlerën bazë të kredisë prej 475 milionë eurove dhe kamatë prej 48 milionë eurove. Poashtu gjatë viti 2012, Qeveria huazoi dy kredi, njëra në vlerë prej 46 milionë eurosh për rikonstruimin e hekurudhës prej Kumanovë deri në Belakovcë dhe huaja tjetër prej 50 milionë eurove nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH). Afati i kthimit të dyja kredive është 15 vjet. Kredinë e parafundit Qeveria e morri nga Deutsche Bank në janar të këtij viti dhe kap vlerën prej 250 milionë eurosh. Këtë kredi Maqedonia do të duhet ta kthejë në afat prej shtatë vjetësh, në dy këste. Kësti i parë në vlerë prej 95 milionë eurove do të duhet të paguhet pas pesë vjetësh, ndërsa kësti i dytë prej 155 milionë eurosh do të duhet të paguhet në fund të afatit, në vitin e shtatë. Në ndërkohë, për të gjitha kreditë e mara Maqedonia do të duhet të paguaj edhe kamatat. Ndërkaq kredinë e fundit, e cila kap shifrën e mbi gjysmë miliard eurove, Qeveria do ta merr nga banka kineze Eksim. Kjo kredi duhet të kthehet për 20 vjet, me grejs periudhë prej pesë viteve dhe kamatë prej 2 për qind në vit. Në ndërkohë, Qeveria paralajmëron se do të merret kredi prej thuajse 200 milionë eurove nga BERZH për gazifikim primar të Maqedonisë. Duke iu referuar Strategjisë për kthimin e borxhit në etapa, të miratuar nga Parlamenti, atëherë i bie që Maqedonia huat e mara gjatë këtyre 4 viteve së bashku me kamatat duhet t’i kthejë deri në fund të vitit 2034. Po sipas të njëjtës Strategji, gjysmën e borxhit të jashtëm Maqedonia duhet të kthejë deri në fund të vitit 2017, edhe at150 milionë euro. Në vitin 2015 duhet të kthejë rreth 500 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 dhe 2017 do duhet të kthehen 400 milion euro, që njëherit do të thotë se brenda katër viteve do të kthen borxh në vlerë prej mbi 1 miliard euro, pa llogaritur kamatat. Ndërkaq, sa i përket borxhit të mbetur në vlerë prej 1.2 miliard eurove, i njëjti duhet të kthehen deri në fund të vitit 2034.
Me paralajmërimin e huamarrjes së fundit në vlerë prej mbi 570 milionë eurove, ekspertët ekonomik theksojnë se Qeveria e ka ngushtuar hapësirën për marrjen e borxheve të reja. Maqedoninë e presin vite të vështira pasi, sipas tyre, nuk do të ketë mundësi të futet në borxhe të reja me qëllim të riprogamimit të borxheve të vjetra dhe niveli aktual i ngarkesës me borxhe do të ndikojë mbi të gjitha huazimet eventuale të ardhshme.“Kur caktohet kamata për huazimet, për kreditorët jashtëzakonisht i rëndësishëm është niveli i ngarkesës me borxhe të një vendi. Pra, problem kyç nuk është se Qeveria edhe më tej po e rrit borxhin e jashtëm, por çështja se me çfarë huazimesh të reja do të kthen borxhin bazë si dhe kamatat. Pra, çështja kryesore nuk është se sa Maqedonia është futur në borxh, por se prej ku dhe si do të sigurohen paratë për të kthyer huamarrjet e deritanishme”, thotë Marjan Nikollov, ekspert ekonomik.
Me kredinë e paralajmëruar prej 500 milionë eurove nga banka kineze, profesori i ekonomisë Besnik Fetai, thotë se Maqedonia hynë në grupin e vendeve me borxhet më të mëdha. “Me këtë nivel të borxhit të lartë dhe me këto parametra, Maqedonia nuk e plotëson kushtin për hyrje në in Monetar Evropian. Gjatë 20 viteve të ardhshme vetëm për kamat e borxhit prej 2.2 miliardë eurove, duhet te kthen 500 milionë euro. Prandaj, pas kësaj çdo hap i ri i Qeverisë që të merr kredi nga jashtë për të mbuluar borxhet e mëparshme, e rrezikon ardhmërinë e qytetarëve”, thotë profesori i ekonomisë në UEJL, Besnik Fetai. /KOHA/
Categories