Pyetje: I nderuar dijetar! A lejohet dhikri me xhemat pas faljes së namazit të xhumasë dhe a lejohet leximi i Kur’anit në grup?
Emri i Myftiut: Abdulla El Fekih
Përgjigjja: Me emrin e Allahut, falënderimi i takon Atij, paqja dhe bekimi i Allahut i takon profetit Muhamed.
Për sa i përket dhikrit me xhemat këto janë mendimet e dijetarëve:
Transmetohet nga imam Maliku se ai e konsideronte dhikrin me xhemat të papëlqyeshëm (mekruh). Imam Ahmedi ka thënë: “Nuk ka ndonjë problem nëse bëjnë dhikër me xhemat nëse nuk kanë rënë dakord që në fillim, vetëm nëse ky veprim bëhet shpesh atëherë është i papëlqyeshëm.” d.m.th. bëhet zakon. Për këtë arsye Ibnu Akil ka thënë: “Jam i larë përpara Allahut për një grup njerëzish që grumbullohen në xhami në netë të cilat i quajnë: “Ihja”[1].” Dijetari i nderuar Ibnu Tejmije ka thënë: “Grumbullimi për leximin, dhikrin dhe lutjen me xhemat është i pëlqyeshëm nëse nuk bëhet zakon ose të  konsiderohet sunet apo t’i bashkëngjitet një risi.” Leximin dhe dhikrin njëzëri imam Shatibi e ka konsideruar si një shembull të risisë në format e adhurimit.
Imam En Nevevij ka thënë: “Është e pëlqyeshme ulja në halekatët[2] e dhikrit.” Këtë thënie ai e ka argumentuar me hadithin e transmetuar nga imam Muslimi dhe imam En Nesai se profeti (a.s.) pa disa shokë të ulur rreth e qark. Ai (a.s.) i pyeti: Përse jeni ulur? Jemi ulur që të përmendim dhe të falënderojmë Allahun që na udhëzoi në Islam – u përgjigjën.  Xhibrili më erdhi dhe më njoftoi se Allahu i jep më hijeshi uljes tuaj me prezencën e engjëjve – tha i dërguari i Allahut (a.s.). Në një hadith tjetër që e transmeton imam Ahmedi, profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse një grup njerëzish mblidhen për të përmendur Allahun, ata do t’i rrethojnë ëngjëjt, do t’i përfshijë mëshira, do t’u zbresë qetësia e siguria dhe do t’i përmendë Allahu tek ata të cilët ndodhen tek Ai…” Ky hadith tregon për pëlqyeshmërinë nga Allahu dhe profeti (a.s.) për grumbullimin për të përmendur Allahun. Libri i dhikrit[3] përmban dhikër dhe lutje profetike. Kështu që leximi i dhikrit me xhemat nuk është problem nëse nuk bëhet zakon ose të caktohet një orar fiks që nuk mund të ndryshohet apo të bëhet njëzëri. Sepse nuk është transmetuar nga të parët tanë të kenë vepruar në këtë mënyrë. Ndoshta ata të cilët kanë thënë që dhikri me xhemat është i papëlqyeshëm, kanë menduar në këtë mënyrë që kjo të jetë një parandalim i formës së dhikrit me xhemat që është njohur tek mistikët.
Ndërsa përsa i përket leximit të Kuranit me xhemat:
Marrja zakon e leximit të Kuranit në formën e përmendur konsiderohet risi e shpikur në fe që nuk ka ndodhur në kohën e profetit (a.s.)
Megjithatë nuk shikojmë ndonjë problem që të hysh në xhami ndërkohë që ata janë mbledhur përderisa nuk i shoqëron në veprën e tyre.
Allahu e di më së miri.


[1] Që do të thotë gjallëri.
[2] Një grup njerëzish që ulen rreth e përqark dhe përmendin Allahun.
[3] Si psh: “mburoja e muslimanit” apo ndonjë libër tjetër.