Fitorja e thellë e VMRO-së dhe BDI-së në zgjedhje i bën këto dy parti me pushtet absolut dhe si të tilla ata obligohen të jenë më të ndërgjegjshme ndaj votës që kanë marrë nga qytetarët. Tani nga to pritet llogari për çdo dështim, keqpërdorim apo sukses. Kështu kanë vlerësuar analistët për Portalb, fitoren e BDI-së dhe VMRO-së në shumicën e komunave në Maqedoni në zgjedhjet lokale 2013.
“Nëse opozita deklaronte se këto zgjedhje, edhe pse lokale, duhet të paraqesin referendum ku do të ndëshkohej politika e partive në pushtet, ndodhi e kundërta. Pra, u ndëshkua politika e opozitës. Tani gjithçka është në duart e pushtetit. VMRO dhe BDI do të kenë meritat për çdo sukses eventual dhe përgjegjësinë për çdo dështim të radhës. Rreziku këtu qëndron në keqpërdorimin e këtij pushteti absolut, si në drejtim të ngulfatjes së demokracisë ashtu edhe për motive lukrative. Shenja e parë e keqpërdorimit të pushtetit të plotë është vërshimi që ndodhi sot me statuja të reja në qendër të Shkupit, të paguara edhe me tatimet e shqiptarëve” thotë për Portalb analisti Xhelal Neziri.
Për analistin Bashkim Bakiu, Maqedonia është një ndër shtetet më të centralizuara dhe kjo u dëshmua gjatë zgjedhjeve kur partitë në pushtet por edhe kandidatët përmendnin pushtetin qëndror si ndihmë kryesore në mandatin e ardhshëm.
“Pushteti absolut do ti bëj më përgjegjës , aq më shumë se partitë në pushtet kanë marrë shumicën absolute të komunave, që nga ana tjetër i obligon të jenë më të ndërgjegjshëm ndaj votës të dhënë nga qytetarët. Kur më veç kemi një decentralizim të tillë që në të shumtën e rasteve “varet” nga pushteti qendrore tani është momenti që të dëshmojnë vetën kryetarët e ardhshëm të komunave. BDI duhet të insistojë për një sërë ndryshimesh të ligjeve që kanë të bëjnë me decentralizimin, duke i rritur edhe më shumë ingerencat e pushtetit lokal që të krijojnë një të ardhme më të mirë dhe mvetësim të komunave, duke filluar nga zhvillimi i regjioneve te caktuara(që për momentin ekziston ligji) pastaj çështjen e decentalizimit fiskal, si dhe menaxhimin e resurseve natyrore nga vetë komunat” thotë Bakiu.
Është normale të kërkohet dhe pritet që një qeveri me një pushtet të këtillë të zgjidhë çështjen e emrit dhe të integrojë vendin në BE dhe NATO,vlerëson Neziri.
“Por, VMRO e di se votuesit maqedonas nuk i intereson edhe aq shumë integrimi dhe imazhi i vendit në Bruksel, ashtu sikurse BDI që e ka të qartë se nuk do të ketë rënie të rejtingut te shqiptarët nëse integrimet mbeten peng të inateve të partnerit të koalicionit. Ky pushtet absolut do t’u sjellë më shumë arrogancë dy partive të koalicionit qeverisës, por jo edhe përgjegjësi për zgjidhje të problemeve” përfundon Neziri.
VMRO DPMNE-ja në këto zgjedhje lokale  fitoi 56 Komuna dhe qytetin e Shkupit ndërsa BDI ka shënuar fitore në 14 komuna. /Portalb