Një miliarder, i mësuar me jetën e luksit dhe shpenzimeve marramendëse, ka hequr dorë nga kjo jetë për 33 ditë, duke jetuar si një punëtor i thjeshtë në Dubai.
Ai quhet Arif Mirza, është një investitor nga Kanadaja, me origjinë pakistaneze. Për një muaj, ai ka jetuar si një punëtor i thjeshtë krahu, duke shijuar lodhjen dhe mundin e kësaj shtrese, me një rrogë tepër të ulët.
Në një intervistë për The National, Mirza tha se pasurinë e tij e ka vënë falë një sërë projektesh që menaxhon nëpërmjet internetit. Ai ka kompani në gjashtë vende të ndryshme të botës dhe numri i punonjësve është më qindra.
Ai tregon se një ditë, u përball me një nevojtar i cili kishte tre ditë që nuk kishte vënë gjë në gojë, sytë dhe gjithë trupin e kishte të lodhur dhe nuk dinte nga t’ia mbante. Ky takim me këtë njeri, e bëri miliarderin të heqë dorë nga luksi për 33 ditë, si dhe të jetë më pranë shtresave në nevojë, duke e provuar stilin e tyre të jetës.
Ai hoqi dorë nga banesa e tij luksoze në kullën më të lartë në botë, Khalifa, në Dubai dhe punoi si punëtor krahu për 33 ditë. Dhomën ku banonte, e ndante me 12 punëtorë të tjerë dhe merrte një rrogë minimale.
Për tu përballur me vështirësitë dhe për të siguruar jetesën, ai thotë se i është dashur të merret edhe me shitjen e hekurishteve për skrap, të punojë punë ndërtimi në temperatura tepër të larta për 12 orë në ditë.
Mirza ka mbajtur një ditar lidhur me përvojën e tij 33 ditore si punëtor krahu në ndërtim, madje këtë përvojë, e ka regjistruar dhe në kamera dhe foto të ndryshme, me të cilat ka bërë një dokumentar “Rrugët e diellit”. Ai dëshiron që nëpërmjet përvojës së tij, të ndërgjegjësojë shtresat e pasura qe të gjenden më pranë nevojtarëve dhe hallexhinjve.
“Përgjatë përvojës time, kuptova se i pasur nuk është ai që ka miliona, por ai që arrin të përballet dhe ti kapërcejë sfidat e jetës me sukses.” tha ai. Ai thotë se kjo përvojë ia ka forcuar më shumë vullnetin për më shumë sukses, pasi jeta nuk i jep garanci askujt. /ardhmeriaonline/