Mua si një jo historian dhe si një njeri me kërshëri të lartë për të lexuar libra të historisë, kaherë më shqetësonte një fakt i hershëm historik për shqiptarët. Unë nëpër libra këtë argument e gjeja, por me rrëmbim më kaplonte hutia rreth asaj që lexoja. Mendoja se isha duke e lexuar vetëm atë që shkruhej dhe ndoshta ajka e të kuptuarit të atyre rreshtave ishin fshehur në mes rreshtave. Është prej cilësive të nxënësit të zellshëm të pyet për ato gjëra që nuk i ka të qarta, apo për ato që fare nuk i di. Papandehur një ditë e pyeta një historian, nëse shqiptarët kishin qenë të bashkur në një Shqipëri të vetme para ardhjes së Perandorisë Osmane? Shqiptarët deri në vitin 1453 kishin qenë nën sqetullën e parruar e të djerësitur të Perandorisë Bizantine, madje jo vetëm shqiptarët, porse edhe popuj të tjerë, – disi kështu ma ktheu historiani i nderuar. Në sa vilajete atëkohë ndaheshin shqiptarët? Nuk kishte vilajete atëkohë, kishte vetëm principata në të shumtën e rasteve me princër të huaj. Atëkohë shqiptarët ishin të përzier dhe të shpërndarë në më shumë se 100 principata. Duket se më mjatuan këto njohuri, mbase nuk më duheshin edhe hollësira tjera, sepse nuk doja të bëhesha historian edhe unë, por kisha dëshirë të merrja pak erë edhe në këtë fushë.
Ky shqetësim filloi të gëlojë pikërisht atëherë kur prej disa shkrimtarëve dhe historianeve tanë, dëgjova se e keqja e vetma që vështirë ndonjëherë mund të pastrohet, që vrullshëm plandosi për toke qenien tonë, qenkërka Perandoria Osmane. Për t’ia bërë edhe më të zezë shoqërisë shqiptare këtë Perandori, një makineri e tërë gjoja intelektuale ia fillojë të futet në garë me ata që gënjenin e shpifnin gjëra që s’kishin fare lidhje me të vërtetën. Megjithëkëtë, logjika e thjeshtë, lehtas i shporrte këto dokrra sikur të ishin shtëpi të ndërtuara me letër në një mot me murrlan të fuqishëm.
Nëse kjo Perandori qenkërka e keqja jonë, atëherë si është e mundur që Ismail Bej Qemail Vlora, i cili tri të kartën të jetës së tij e harxhoi në këtë Perandori dhe për këtë sistem, të shquhet sot si veprimtari më i rryer i çështjes shqipare, kur dihet mirëfilli i kuzhinës në të cilën ky personalitet u gatua. Prej librave të historisë mësojmë se ky rilindas me rastin e shpalljes së pavarësisë së Bullgarisë në vitin 1908 prej Perandorisë Osmane, ishte mërzitur shumë, për arsye se kishte filluar gjymtimi i kësaj Perandorie, pjesë e së cilës ishin edhe shqiptarët, jo vetëm si hamallxhi por edhe si udhëheqës e lokomotiva të shkencës e të artit.
Gjithësesi, sistemi komunist e bëri të veten, sistem ky që s’kishte fare lidhje me idilin shqiptar, por që ishte një produkt i importuar pa asnjë kontroll doganor prej shtetit i cili me afsh priste të largohej Perandoria Osmane dhe t’i ndrydhte shqiptarët si të ishin sfungjer i blerë lirë që shërbente për t’i pastruar fëlliqësirat e tyre përmes duarve tona. Aktorët e këtij sistemi me lapsin e tyre dhe me diktimin e rusëve filluan të shkruan histori që për dekada të tëra kjo histori në vend se t’i shërbente shoqërisë shqiptare i shërbeu ideologjisë vrastare komuniste. Shkrimtari i cili hiqet se kishte hequr të zitë e ullirit përgjatë atij sundimi gjakatar, sot përmes një nënshkrimi të një peticioni çjerrë fytyrën e tij të vërtetë, duke thënë përmes gjesteve të tij se gjithçka që është shkruar në oborrin komunsit shqiptar ulur në karrigen e sovjetikëve komunist është në rregull. Ky ka të drejtë këtu, ngase misioni i tij prej islamofobi lehtas tejkalon edhe këtë bregore. Aleatët tanë turq dhe shkencëtarët e mirfilltë shqiptar nuk janë duke kërkuar fshirje të historisë sonë, por përmirësim të atij shtrembërimi që daton prej kohës kur shkrimtari ynë i madh e njeriu ynë shumë i vogël me ngazëllim i shkruante poezi Stalinit e Enverit, duke ndërtuar kështu pirgje aq të forta sa që edhe murrlaneve më të forta që mbahej mend atëkohë në Shqipëri i bënin ballë.
Kësisoj, nëse pranojmë rolin e armikur kundrejt Perandorisë Osmane, atëherë me pahir ose qëllimisht jemi duke u rreshtuar kundër vetë qenies sonë. Pjesë e kësaj Perandorie nuk ishin vetëm turqit, ishin edhe shqiptarët, mbase ishin edhe shumë kombësi të tjera. Me të drejtë këtu thotë Arben Xhaferi se Perandorinë Osmane nuk duhet t’ia lëjmë vetëm turqve. Si për ngritjen, si për mbarvajtjen, ashtu edhe për vdekjen e kësaj Perandoria nuk bën të lihet anash kontributi i shqiptarëve. Rilindasit tanë shqiptar u bënë të tillë, ngase ishin rritur, ushqyer e forcuar në sofrën e kësaj Perandorie. Ata jo vetëm që ishin ushqyer në sofrën e kësaj Perandorie, por ata edhe e kishin ushqyer këtë sofër të kësaj Perandorie. Perandoria Osmane ishte njëfarë Bashkimi Evropian në kuptimin e një organizate që pranonte integrimin e shoqërive të ndryshme në korpusin e saj dhe dallonte dukshëm në kuptimin ideologjik me BE-n. Sistemi dhe koncepti i kësaj bashkësie ishte i tillë që deshte apo e urrejte këtë sistem të funksionimit, duhej pranuar veten në këtë organizëm gjigant e gjithëpërfshirës. Duhej bashkuar në një njësi të madhe për t’u mbrojtur kështu prej njësive tjera të gjerë e të mëdha. Nuk mund të punonin shqiptarët vetjakisht, ngase pastaj mund të zhdukeshin përbashkërisht.
Pernadoria Osmane ishte e të gjithve. Që të kishe një rol pak më të zëshëm varej edhe prej forcës demografike që kishe si popull. Përkundër këtij fakti, shqiptarët edhe pse demografikisht ishin më të dobët se disa popuj tjerë, ata sërish gëzuan të mira të shumta. Kështu që, nuk duhet t’ia lëjmë këtë organizëm të madhe si trashëgimi vetëm turqve, ngase as turqit as shqiptarët sot nuk gjallërojnë brenda përvijimeve territoriale të Perandorisë së dikurshme. Sot trashëgojmë të gjithë prej kësaj Perandoria, përpos atyre që duan ende të ushqehen me shpifje “xhaxhiste”! Autorësi kemi të gjithë, jo vetëm turqit mehmetis, kemalist dhe rexhepist. Xhamitë në trojet tona nuk i ndërtoi turku, por shqiptarët nën ombrellën e shtetit osmanë, shtetar të denjtë të të cilit ishin edhe shqiptarët. Nuk e mbrojtën turqit Shkodrën prej mësymjeve sllave, por shqiptarët së bashku me turqit që luftonin rreth të njëjtit flamur. Sot nëse sulmohet NATO-ja në ndonjë mision të kësaj organizate politike dhe ushtarake, para se të themi se u sulmuan disa shqiptar apo francez, themi se u sulmuan disa ushtar të NATO-s.
Për pesë shekuj si shqiptar, arritëm të mbrohemi prej hordhive ruse e sllave. Ata si ujqër që ishin të lidhur me zinxhirin e kuajve të ujit, pandehnin t’i gllabërojnë vetëm me një të përtypur shqiptarët dhe vetëm në saje të aftësisë së pranimit tonë që edhe ne të jemi pjesë përbërëse e kësaj Perandorie, mishi ynë qe i ndaluar për ata ujqër të tërbuar e të uritur për llojin e mishit tonë. Vetëm pasi iku një pjesë e qenies sonë, vrulli rus përmes dorës sllave na kapi vrundull për koke dhe na plandosi për trungun e gjatë të plepave në thellësinë e malit ku vështirë se shkilte këmba e njeriut. Vetëm atëherë shqiptarët filluan të lavdrohen si kaçakë trima, ngase duhej të luftonin atë që disa herë e kishte luftuar edhe Perandoria Osmane.
Pas gjithë atij vargani pozitash të rëndësishme brenda këtij korpusi, Ismail Bej Qemaili në këtë Perandori për një kohë të shkurtër ishte edhe kryetar i Kuvendit Osman. Ndërkaq, sot ende dikush e sheh si ëndërr vështirë të realizueshme ndonjëherë, që edhe një shqiptar të bëhet kryetar i Kuvendit të Maqedonisë, pavarësisht mekjeve që kjo shoqëri i bëri për të arritur një detyrë të tillë. Pashko Vasa ishte guvernator i Libanit dhe si i tillë edhe vdiq. Ende në Maqedoni partitë politike shprehen të gatshme për të flijuar ministri të ndryshme vetëm e vetëm ndonjë shqiptar të bëhet guvernator në Maqedoni. Sami Frashëri u bë i madh në oazën e kësaj Perandorie dhe shumë personalitete të tjera, të cilët i kënduan e shkruajtën me emfazë thesareve të kësaj Perandorie. Ata i shkruajtën këtyre thesareve, ngaqë këtë organizëm e ndjenin si të tyren.
Kësisoj, pirgjet e murit komunist, mburoja dhe dhelpëria e tyre duan të mos jemi vetja dhe pastaj përmes arratisjes sonë për në mësymje të pacaktuar, duan të na shohin seç e rrahim veten përmes teknikave të cilat i mësuam prej atyre që këto teknika i kishin mësuar prej armiqve tanë!
EDITOR
12 years ago
previous article
Studimi, 1.685 futbollistë shqiptarë në klubet italiane
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago