Pak ditë më parë, kur Amr Musa në emër të Komisionit ia dorëzoi draft-kushtetutën e porsapërfunduar presidentit të përkohshëm të Egjiptit, z. Adli Mensur, u vërejt se në Egjiptin, edhe ashtu tejet të tensionuar, do zhvillohet një betejë e ashpër në mes qeveritarëve të përkohshëm, të cilët prej kohësh kanë bërë përgatitjet e duhura për ta kaluar projekt-kushtetutën e ndryshuar, nëpërmjet një referendumi me pjesëmarrjen e një numri sa më madh të qytetarëve, ndërkohë që “Vëllazëria Myslimane”, dëshiron bojkotimin dhe dështimin e tij.
Qeveria e përkohshme dëshiron ta kalojë kushtetutën e saj me një përqindje më të lartë se përqindjen që kishte kaluar “Vëllazëria Myslimane” kushtetutën e saj në fund të vitit të 2012, kur mbi (63%) të popullatës kishte votuar pro kushtetutës. Me këtë hap pushteti aktual në Egjipt do ta legjitimojë vetveten nëpërmjet kutive të votimeve. Në ndërkohë që sipas shumë analistëve egjiptianë, “Aleanca për Mbështetjen e Legjitimitetit”, të cilën e udhëheq “Vëllazëria Myslimane” janë të vendosur që ta bojkotojnë referendumin që të mos i jepet legjitimitet grusht shtetit ushtarak apo njohjen e hartës së rrugës.
Në konferencën për shtyp që mbajti, Amr Musa apeloi tek qytetarët që ata të dalin sa më shumë në referendum dhe të votojnë pro referendumit me qëllim që t’i japin fund dhunës, e cila ka përfshirë tërë Egjiptin dhe të dalin nga kjo situatë e vështirë dhe e rrezikshme në të cilën gjendet vendi për më shumë se tre vjet. “Mendoj se nëse ne kemi sukses që referendumin ta kryejmë në kohën e tij të paraparë, ne me këtë do të tregojmë se jemi në gjendje që edhe obligimet tjera t’i kryejmë në kohën e duhur”.
Në ndërkohë shohim kryeministrin e Egjiptit, Hazim Beblavi, i cili u bën apel “të gjithë atyre që morën pjesë në Revolucionin e 30 qershorit apo simpatizantëve të tij që të marrin pjesë në referendumin ku do të votohet për kushtetutën e Egjiptit”. Për të shtuar se “Egjipti kaloi një pjesë të mirë të rrugëtimit të tij “të hartës së rrugës”, ashtu siç ishte paraparë pas Revolucionit të 30 qershorit të këtij viti që po e lëmë pas”.
Ndërkohë që zëdhënësi i “Vëllazërisë Myslimane”, Muhamed Hassan, thotë se “nuk ka kurrfarë garancish se dalja e jonë në referendum nuk do të keqpërdoret nga ana e pushtetit aktual për këtë vendimi ynë definitiv është bojkotimi i referendumit”.
I të njëjtit mendim është edhe Jusri Hamad, nënkryetar i Partisë selefiste, i cili pohon se ”mendimi i përgjithshëm është bojkotimi i referendumit”. Pastaj shton: “Ne kemi vërejtjet tona për nenet e Kushtetutës, të cilat në asnjë mënyrë populli nuk lejon ndryshimin e tyre, si dhe nuk ka kurrfarë garancie për ndershmërinë e votimeve, gjyqësori ka qenë pjesë e grushtshtetit, ndërkohë që mbikëqyrja ndërkombëtare është vetëm formalitet”.
Por, ajo çka paralajmëron konfrontimin vërtet që mund të ndodhë ditën e referendumit është atë që e zbuloi, këto ditë, zëdhënësi i “Vëllazërisë Myslimane” se “Aleanca për Mbrojtjen e Legjitimitetit” mendon të thërrasë, më 14 e 25 janar, përkrahësit e saj në një demonstratë madhështore ku bota të sheh se sa është numri i radhëve të votuesve dhe i atyre që janë kundër hartës së rrugës dhe kundër Kushtetutës”.
Për këtë, gati për çdo ditë jemi dëshmitarë të demonstratave të qindra studentëve përkrahës të “Vëllazërisë Myslimane”, në të gjitha universitetet egjiptiane, të cilët duke iu përgjigjur thirrjes së “Aleancës për Përkrahjen e Legjitimitetit” ngrihen në demonstrata kundër studentëve që po përkrahin e strukturat politike që janë tash në pushtet. Kjo sjellje e tyre e kishte shtyrë ditë më parë ministrin e Punëve të Brendshme të Egjiptit, Muhamed Ibrahim të deklarojë se “ky është një komplot i “Vëllazërisë Myslimane” për t’u rikthyer në pushtet, për çka ua tërhoqi vërejtjen studentëve që të mos bien në një grackë të tillë”.
Kështu, pra, egjiptianët më 14 e 15 janar do të dalin në referendum për të votuar kushtetutën e re të përgatitur nga grupi i pesëdhjetë ekspertëve, në një atmosferë të tensionuar në mes dy palëve rivale. Grupi parë pretendon se po voton një kushtetutë qytetare dhe moderne, ndërkohë që grupi i dytë pretendon se ai po e mbron kushtetutën islamike për të cikën ishin deklaruar një vit më parë 63% e popullatës së Egjiptit. Mbetet të shohim si do të jetë epilogu i votimit të këtij viti nga i cili ndajnë edhe pak ditë.