Gjatë periudhës së formimit të Shtetit Shqiptar, figura më e rëndësishme e shqiptarëve, si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë saj, pa dyshim që ishte Esat Pashë Toptani. Për fat të keq, veprimtaria e tij politike, diplomatike dhe ushtarake edhe sot e kësaj dite nuk është e zbardhur përfundimisht. Kjo, pasi që historiografia shqiptare ende nuk është zhveshur nga kthetrat e stalinizmit dhe sepse meritat e tij i janë mveshur figurave tjera historike.
Të ç’mitizohen figurat historike nuk është punë edhe aq e lehtë. Kjo vështirësohet më tepër atëherë kur edhe politika ndërhyn në shkencë dhe dirigjon se cilat figura guxojnë të ç’mitizohen e cilat jo. Poashtu të njihen apo të potencohen meritat e mohuara të një figure historike, të cilat janë injoruar për shkaqe të ndryshme, është punë e vështirë. Kjo, pasi që duhen rrëzuar shumë teza dhe keqinterpretime që i janë mveshur një personi të caktuar historik. Rast i tillë është edhe veprimtaria e Esat Pashë Toptanit.
Por, nuk ka dyshim që në vitet në vijim, veprimtaria e Esat Pashës do të zbardhet përfundimisht dhe ai do ta merr vendin e merituar në historinë shqiptare. Kjo nënkupton se nofka e tradhëtarit, që ia mveshën kundështarët e tij politikë, do t’i takojë së kaluarës, pasi dhe “tradhëtinë” e tij sot më askush nuk e beson.
Një nga “fajet” që ia kanë mveshur Esat Pashës, është se ai Malit të Zi ia dorëzoi apo shiti Shkodrën. Ajo që e bën më interesante këtë ngjarje, është dhe shpifja që i mvishet Esat Pashës, se ai dha urdhërin për vrasjen e komandantit të ushtrisë osmane në Shkodër, me qëllim që t’ia dorëzojë Shkodrën Malit të Zi.
Në këtë punim nuk do t’i trajtoj detajet e aktivitetit luftarak 7 mujor që u zhvillua në Shkodër dhe rrethinën e saj, prej tetorit të vitit 1912 deri në prill të vitit 1913, pasi që kjo është një temë shumë e gjerë dhe nuk mund të përmblidhet në pak fletë. Qëllimi i këtij punimi është që të analizoj se a e meritonte Esat Pasha titullin që e mbante: Mbrojtës i Shkodrës.
Për ta shpjeguar këtë, duhet t’i analizojmë veprimet e tij lidhur me mbrojtjen e Shkodrës dhe veriut të Shqipërisë, gjithashtu duhet analizuar thëniet e figurave të rëndësishme historike për veprimtarinë e tij.
Përmbajtja
Në janar të vitit 1913 në Shkodër vritet komandanti osman me origjinë tatare, Hasan Riza Pasha. Profesionalizmi i tij ushtarak ishte vendimtar në mbrojtjen e Shkodrës në fillim të luftës, dhe poashtu ndërtimi i sistemit mbrojtës të Shkodrës ishte një meritë e tij e pamohueshme. Sot përmendorja e tij me të drejtë qëndron në Shkodër, e që dëshmon se meritat e tij nderohen nga një pjesë e shkodranëve. Pas vrasjes së tij, barra kryesore e mbrojtjes së Shkodrës, prej janarit deri në fund të prillit 1913, i mbeti Esat Pashës, i cili ishte zëvendës i tij. Mbrojtja e Shkodrës u vështirësua më shumë në këtë periudhë, pasi që ushtrisë malazeze iu bashkua edhe ushtria serbe, e cila e kishte nënshtruar shumicën e territoreve shqiptare dhe i kishte duart e lira që t’i ndihmonte aleatit të vet malazez, e i cili nuk përparonte në luftën e tij pushtuese.
Vrasja e Hasan Riza Pashës, sipas logjikës, do të duhej t’i mvishej armiqëve, e jo miqëve të tij. Dhe, përderisa historianët komunistë apo kundërshtarët politikë të asaj kohe akuzojnë se ai u vra me urdhër të Esat Pashës, me qëllim që t’i ketë duart e lira për ta dorëzuar Shkodrën, parashtrohet nevoja që të ndalemi dhe ta elaborojmë këtë ngjarje të hidhur. Nuk ka nevojë  t’i elaborojme detajet se si dhe kush e vrau Hasan Riza Pashën, por është e arsyeshme që të jepen disa konkluzione logjike për këtë vrasje.
1. Historianët që pa asnjë argument e bëjnë këtë shpifje, e humbin konotacionin kohor. Eshtë  e palogjikshme që Esat Pasha ta ketë dhënë urdhrin për vrasjen e Hasan Riza Pashës me qëllim që ta dorëzojë Shkodrën, duke qenë se Esat Pasha u largua prej Shkodre në fund të prillit! Pra, ky i fundit i udhëhoqi luftimet afër tre muaj pas kësaj vrasjeje. Luftimet nën komandën e Esat Pashës ishin më të përgjakshme, pasi që sollën më shumë viktima nga të dyja palët.
2. Pyetja tjetër logjike që parashtrohet, për ta rrëzuar akuzën që me të padrejtë i mveshet Esat Pashës, është: nëse ky kishte për qëllim që ta dorëzojë Shkodrën, pse nuk e vrau Hasan Rizën në tetor apo nëntor të vitit 1912, mbasi atëherë të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë ishin okupuar nga serbët?!
3. Nëse e pranojmë hipotezën se Esat Pasha urdhëroi vrasjen e Hasan Rizës, atëherë parashtrohet pyetja: a është e mundur që Esat Pasha të ketë urdhëruar vrasjen e Hasan Rizës, nga arsyeja që Hasan Riza planifikonte dorëzimin e Shkodrës? Kjo pyetje parashtrohet, pasi që është e ditur se ushtria osmane ishte thyer thuajse në të gjitha fronet nga ushtria e Aleancës ballkanike, dhe se Hasan Riza, si joshqiptar, nuk e kishte motivimin që ta mbronte Shkodrën me çdo kusht, d.m.th ndoshta nuk e kishte motivimin që t’i sakrifikojë ushtarët nën komandën e tij. Nuk ka dyshim që kjo hipotezë është shumë më e arsyeshme për ta pranuar si një të vërtetë. Por, analiza e kësaj hipoteze është po aq fyese, sa dhe hipoteza e urdhërit për vrasjen e tij nga Esat Pasha, me qëllim të dorëzimit të Shkodrës.
4. Ajo që e bën dhe më cinike këtë akuzë për vrasje, dhëne nga historiografia staliniste shqiptare dhe kundërshtarët e tij politik, është se ata e marrin në mbrojtje vrasjen e një tatari-osman, ndërkohë që për po këta tatarë osmanë thonë se na robëruan pesë shekuj. A thua u dhimbsej atyre vrasja e një pashe osman?! Jo, kuptohet që nuk u dhimbsej. Por, te vrasja e tij, ata gjenin një shkas për ta njollosur luftën heroike të Esat Pashës në mbrojtjen e veriut të Shqipërisë. Kjo, pasi përderisa Esat Pasha luftonte, kundërshtarët e tij politik, bënin plane për marrjen e pushtetit dhe bashkëpunonin me agjentë të shteteve të tjera, nga të cilët u vinin oferta të leverdishme.
Prandaj dhe një historian serioz do të largohej nga kjo temë, nga fakti i thjeshtë se nuk ka mundësi që të ndriçohet një vrasje që ka ndodhur në mes të natës para 1 shekulli në rrethana lufte. Nëse sot e kësaj dite ende ekzistojnë historianë që bazohen në thashethemet e atëhershme, për të nxjerrë në dritë këtë vrasje, të njëjtët medoemos do të duhej ta kenë parasysh faktin e ekzistencës së propagandës së luftës. Kjo do të thotë se armikut i konvenonte që të përflitej se mbas kësaj vrasjeje qëndronte Esat Pasha, me qëllim të nxitjes së ndonjë përleshjeje në shtabin ushtarak, apo të rrëzimit të moralit të ushtarëve që e mbronin Shkodrën. Por, u dëshmua që ky tentim nuk pati asnjë efekt, pasi që shtabi ushtarak dhe ushtarët i qëndruan besnik Esat Pashës deri në fund.
Për luftën e Shkodrës janë shkruar disa libra, artikuj gazetash dhe ditarë nga dëshmitarët e asaj ngjarjeje. Pjesa dërmuese e këtyre shkrimeve është e njohur për ne dhe prandaj nuk ka nevojë të ndërhymë në detajet e kësaj beteje. Pikat kryesore që nevoiten për ta zbërthyer dhe për ta kuptuar rolin e Esat Pashës në mbrojtjen e Shkodrës janë: 1. Duke qenë se Shkodra dhe rrethina e saj popullohej me shqiptarë katolikë dhe myslimanë, cili ishte qëndrimi i tyre në këtë luftë? 2. Si arriti Esat Pasha të mbajë disiplinën e ushtrisë? 3. Kushtet e jetesës në Shkodër gjatë rrethimit, 4. Demonstrimi i flotës navale evropiane në ujërat territoriale të Shkodrës, 5. Interesat gjeopolitike në rajon, 6. Rrethanat politike në Shqipëri dhe Mal të Zi, 7. Marrëveshja politike për Shkodrën me Malin e Zi, dhe 8. Çka pas largimit të Esat Pashës prej Shkodre.
-Pjesë e madhe e popullatës myslimane shqiptare, dhe jo vetëm ajo e Shkodrës dhe rrethinës së saj, u bashkua në mbrojtjen e Shkodrës.

luftetaret
Foto: Luftëtarë vullnetarë në luftën kufitare me Malin e Zi në vitin 1911.

Nga ana tjeter, qendrimi i popullatës katolike shqiptare mund të ndahet në tri pjesë: 1. ata që luftuan bashkë me malazezët dhe serbët për ta pushtuar Shkodrën, 2. ata që mbetën neutralë për shkak të ndikimit austro-hungarez dhe 3. një pjesë e vogël që përfaqësonin të ashtuquajturit nacionalistë shqiptar, të cilët vetëm me fjalë përkrahnin mbrojtjen e Shkodrës
Shkodrani Hil Mosi, që vepronte si komit kundër ushtrisë osmane në vitin 1911, nuk u pajtua me bashkëluftëtarët e tij të mëparshëm, që u lidhën me Malin e Zi dhe prandaj nuk mori pjesë aktive në luftimet rreth Shkodrës. Kur Esat Pasha mbronte Shkodrën, Hil Mosi qëndronte në Cetinë (kryeqytet i Malit të Zi). Ai atje, më 3 Nëntor 1912, shkruan një vjershë të cilën më vonë e boton në një përmbledhje vjershash të tij. Në fund të faqes së asaj vjershe,  ai e jep këtë dëshmi: “Kur e shkrova ket vjershë disa prej nesh, të rrejtun prej premtimeve të Malit të Zi, shkune e i ndihmune”.
 
Hil Mosi qëndrimin e tij nuk e ndryshoi deri në përfundim të luftës dhe prandaj disa muaj më vonë, përderisa gjendej në Trieste më 27 mars 1913, ia përkushton një vjershë Shkodrës që mbrohej nga invazioni i shkjeniës (sllavëve) me këte përmbajtje:
Lavd ty të kjoft, o Shkodra e j’on arbnore,
Ti nder dhe fam e re e t’gjith Shqypniës!
[…] Nonse me hov ket her t’u turr shkjenia
 Nër t’kater ant me top e pushk tuj t’ra,
Ti s’deshte t’dish aspak çka asht ligshtia.
 
Por, pjesëmarrja aktive e shumë bajraktarëve shqiptarë në luftimet që synonin pushtimin e Shkodrës nën flamurin e Malit të Zi, është mbajtur në heshtje nga historiografia shqiptare. Ajo mbahej apo mbahet në heshtje edhe sot e kësaj dite, ndoshta duke menduar se fshehja e së vërtetës do t’u ndihmonte gjeneratave të reja të forconin patriotizmin dhe ta formonin kombin shqiptar. Ky mendim u shfaq sidomos në historiografinë komuniste shqiptare, e cila pretendonte formimin e një kombi, që gjoja gjatë gjithë “ekzistencës” së tij, prej antikës deri në ditët e sotme, ka pasur vetëdije kombëtare, është sjellë gjithmonë arsyeshëm dhe ka luftuar vetëm për t’u vetëmbrojtur. Kuptohet që fshehja e së vërtetës historike nuk ndihmon në ngritjen e vetëdijes kombëtare, pasi që nuk mund të mbahen të fshehura ngjarjet e dokumentuara. Ekzistojnë metoda shumë më të sofistikuara se si të shpjegohet apo të interpretohet një ngjarje historike që përbën një pjesë të hidhur të një populli.
Por, angazhimi i disa bajraktarëve për ndihmë dhënë serbëve dhe malazezëve nuk ishte temë tabu në periudhën e Zogut, pasi që kujtimet ishin ende të freskëta. Mit’hat Frashëri në vitin 1929 e diskuton në një shkrim të tij fenomenin e pjesëmarrjes së disa katolikëve shqiptarë në luftë bashkë me malazezët. Ai shkruante: “Dhe ajo çka çudit është se Malsorët Shqiptarë dhe katolikë po e prijnë Shqaun kaur në këtë mësyjtje të tokësë shqiptare”.
 
ush
Foto: Ushtarakë serbë në takim me disa luftëtarë dhe priftin. Lezhë, fillim i prillit 1913.

Poeti dhe kleriku Gjergj Fishta në veprën e tij “Lahuta e Malësisë” nuk e përmend historinë e rrethimit të Shkodrës gjatë Luftës ballkanike. Kjo është për t’u habitur, pasi që ky poet i kreshnikëve nuk ka lënë ngjarje pa përmendur në poemat e tij, përderisa për ate më të rëndësishmen nuk ka shkruar asgjë. Ai bile në poemat e tij i përmend si trima edhe krerët e komitëve Sokol Baci dhe Mirash Luca, të cilët deri në vdekje u mbetën besnikë aleatëve të tyre sllavë dhe që ishin komandantë të njësive shqiptare, që së bashku me malazezët e sulmonin Shkodrën. Këtë lëshim të qëllimshëm Fishta e përmirëson kur i boton vargjet për Esat Pashën dhe heroizmin e tij, në një përmbledhje tjetër të tij. Vargjet janë këto:
Mo ‘le’ Toptan, me shpatë t’ande binde
Nji shekull mbarë m’at maje Taraboshi!
Prap shpaten njesh, e priju prap ti gjind’e
Ndejun n’voter s’prarohet e jo kondoshi
Mblidh toskë e Lapë, e sod per Shqyptari
Qindro, si ‘i herë qindrove me trimni.
 
-Për sa i përket disiplinës ushtarake osmane në Shkodër, duhet që së pari të shpjegojmë organizimin e kësaj ushtrie. Esat Pasha në fillim të luftës ishte komandant i redifëve (të rezervistëve) për vilajetin e Shkodrës, por ai poashtu – përshkak të ndikimit politik që e kishte si deputet i zonës së Durrësit, Krujës, Kavajës dhe Tiranës – ndikoi në mobilizimin e shumë vullnetarëve nga ajo zonë, për mbrojtjen nga invazioni sllav në veri të Shqipërisë. Prej janarit 1913, me zgjedhjen e tij komandant i përgjithshëm i korpusit të Shkodrës, ai i kontrollonte ushtarët nizamë (të rregullt), redifët dhe vullnetarët. Redifët dhe vullnetarët kuptohet që ishin të gjithë shqiptarë, përderisa ushtria e rregullt ishte e përzier me popuj osmanë, përfshirë këtu edhe shqiptarët. Numri i përgjithshëm i tyre ishte afër 35.000 vetë.
Ekzistojnë shumë të vërteta dhe të pavërteta për këtë luftë të gjatë. Ekzistojnë dhe ngjarje që janë shndërruar në mite. Prandaj, kur shpjegojmë ndonjë ngjarje të asaj beteje, duhet të bazohemi në burime më serioze. Libri të cilin e ka shkruar shefi i shtabit ushtarak serb që e sulmonte Shkodrën, na jep përshkrimin e dy momenteve, të cilat na mundësojnë të njohim anën e ashpër të Esat Pashës, apo anën e tij të një ushtaraku të “pamëshirshëm” për sa i përket disiplinës ushtarake. Momentin e sulmit të përgjithshëm, që e ndërmorën ushtarët serbë, malazezë dhe disa bajraktarë shqiptarë në shkurt të vitit 1913, dhe kur disa ushtarë osmanë-shqiptarë i lëshuan pozicionet e tyre për të shpëtuar nga vdekja, gjenerali serb në librin e tij e përshkruan kështu: “Edhe këtë pozicion turqit e lëshojnë dhe zmbrapsen duke ikur në drejtim të qytetit të Shkodrës, mirëpo Esat Pasha me shtabin e tij dhe me revole në dorë i kthen prapë ata në Bardhaj (M. Bardanjol), ku i konsolidon për rezistencë të mëtutjeshme”. Dhe, lidhur me momentin e dytë, kur në fillim të prillit 1913 ushtarët rebelohen në tri vende për shkak të mungesës së ushqimit, autori na njohton se Esat Pasha shkon personalisht t’i qetësojë të njëjtët, e kur nuk ia del në krye që në një vend në Berdicë të sjellë rendin, ai urdhëron pushkatimin, në vend të ngjarjes, të 50 ushtarëve të tij.
-Për sa i përket urisë që mbretëronte në Shkodër, e sidomos në prill të vitit 1913, ekzistojnë shumë dëshmi. Këto janë shënuar nga vetë ushtarët në kujtimet e tyre, nga gazetarët dhe në raportet apo kujtimet e konsujve të Shkodrës. Cilatdo qoftë citate t’i marrim, për mjerimin që ekzistonte në Shkodër, ato e dëshmojnë të njëjtin trishtim. Gazetari dhe politikani serb Jasha Tomiç, që ishte dëshmitar i këtyre ngjarjeve, në ditarin e tij shkruante: “Esat Pasha dëshironte të jetë “ushtar i ndershëm”. E mbrojti Shkodrën edhe kur më nuk mundej ta mbrojë. […] Ajo bukë ishte e mykur dhe e krimbur. E pashë një copë buke të tillë. Krimbat e kishin mbuluar atë. Ushtari i uritur dhe gjysmë i vdekur u trishtua dhe e la atë. Prej datës 8 të atij muaji nuk e kishte dhe atë biskotë. E lajmëroi ushtrinë se nuk mund ta ushqente më, e më datë 10 u dorëzua. […] Dy javët e fundit më kishin filluar që të vdesin nga uria. Ata dhe qentë e tyre. […], do të ishte lehtë të paramendohet uria në Shkodër, pasi ngordhën thuajse të gjithë qentë. Kur thernin për ushtrinë, lejonin që fëmijët ta mbledhin gjakun dhe mëlçinë. Hanin bretkosa, bar dhe mish të kalit të ngordhur. Por edhe ajo nuk mjaftonte. […] vetëm në rrugë çdo ditë vdisnin nga uria prej 6 deri 7 njerëz, gra dhe fëmijë”.
Po të njëjtën dëshmi e jep edhe gjenerali serb: “Prej komandës lokale në Shkodër popullata merrte në ditë nga 15 kuaj të artilerisë për ushqim, […] Tri javët e fundit para kapitullimit, filluan të paraqiten rastet e para të vdekjes nga uria. Prej asaj kohe nga uria vdisnin 30-40 vetë në ditë”.
Kuptohet që këto figura udhëheqëse serbe dhe njëkohësisht autorë të librave për luftën e Shkodrës nuk dëshironin të shkruanin se Esat Pasha u detyrua ta dorëzojë qytetin shkaku i urisë. Ata do të dëshironin që të shkruanin për luftën e lavdishme serbo-malazeze dhe kapitullimin e Shkodrës. Mirëpo, ata nuk mund të shkruanin vepra krejtësisht të pavlera, ndërkohë që dhjetëra gazetarë përcillnin veprimet luftarake në Shkodër dhe e tërë diplomacia evropiane ishte përqendruar në zhvillimet që ndodhnin aty. Të përcjellë me dëshmitarë lidhur me ngjarjet që ndodhnin, autorët serbë mbase nuk preferuan të zgjedhin opsionin e pseudo-historianëve të Shqipërisë, të cilët na lanë në letër të pavërteta për rrethimin e Shkodrës.
Edhe britanikët shkruanin për gjendjen në Shkodër pas përfundimit të luftimeve. Koloneli Sir Rankin, që ishte korrespodent i luftërave, shkruante: “Shkodra, në atë kohë, ndoshta nuk ishte vend i përshtatshëm për të banuar. Kur hynë malazezët, i gjetën të gjithë banorët të rraskapitur. Shumica e klasës së ulët kishte vdekur nga uria, spitali ishte në kushte mizore, përderisa spitali i përkohshëm në zonën e bombarduar ishte i mbushur me kufoma të pavarrosura. Esat Pasha, nuk kishte guxuar të dalë në rrugë për disa ditë, pasi që ndiqej nga turma të uritura, të cilat e lusnin për bukë ose të kapitullojë”.
-Për sa i përket interesave gjeopolitike të Ballkanit, vlen të përmendet roli i Austro-Hungarisë. Ajo e kishte aneksuar Bosnjën në vitin 1908 dhe pretendonte ta okupojë edhe Selanikun, apo ta ndërkombëtarizojë portin e saj, prandaj dhe mund të thuhet se interesat e saja prekeshin direkt nga Lufta ballkanike. Sulltan Abdulhamidi në shënimet e tija, para Luftës ballkanike, shkruante:
Ëndërra e Austrisë është të zotërojë qytetin e Selanikut; mirëpo, për mendimin tim, kjo gjë nuk do të mund të realizohet, sepse themelimi i shtetit jugosllav duke pasur në krye të saj një sundimtar aktiv, është një çështje ditësh.
Austro-Hungaria planifikonte të ndërtonte linjën hekurudhore prej Bosnje nëpërmjet krahinës së Sanxhakut për të dalë në Mitrovicë, e cila atëherë më ishte e lidhur me linjë hekurudhore me Selanikun. Ajo dhe e kishte marrë koncesionin për ndërtimin e kësaj hekurudhe dhe prandaj shpresonte se nëse nuk do të arrinte ta okupojë Selanikun, të paktën do të arrinte që nëpërmjet rrugës diplomatike të ndërkombëtarizonte portin e saj. Por, me okupimin e krahinës së Sanxhakut nga forcat serbo-malazeze gjatë Luftës ballkanike, de facto Serbia u bashkua me Malin e Zi dhe, si rezultat, e ndërpreu rrugën e zbatimit të planeve të Austro-Hungarisë. Ajo rrezikun e ndërprerjes së kësaj rruge nga Serbia e kishte shprehur edhe gjatë mbajtjes së Kongresit të Berlinit në vitin 1878. Prandaj dhe që atëherë i kishte dërguar trupat e saja në Sanxhak, për të parandaluar pikërisht bashkimin e Serbisë me Malin e Zi dhe e kishte marrë në administrim Bosnjën, e cila vazhdoi të jetë nën sovranitetin e Sulltanit deri në vitin 1908. Nga kjo arsye, Serbia kishte mbetur si shtet i vetëm në Evropë pa dalje në det (me përjashtim të Zvicrës). Për shkak të infrastrukturës së dobët, në atë periudhë, dalja në det ishte elementare për zhvillimin ekonomik të një shteti. Kjo situatë e shndërroi ekonominë e Serbisë deri atëherë të varur nga Austro-Hungaria, pasi ajo mund të eksportonte dhe importonte kryesisht vetëm në dhe prej kësaj të fundit. Serbia, për të dalë nga kjo situatë kishte dy mundësi: 1. okupimin e bregdetit shqiptar, ose 2. okupimin e krahinës së Sanxhakut me qëllim të bashkimit me Malin e Zi – krahinë kjo që lidhte Bosnjën me Kosovën, e që popullohej kryesisht me muslimanë, boshnjakë dhe shqiptarë. Gjatë Luftës ballkanike, Serbia i okupoi të dyja këto vende strategjike. Mirëpo, dalja e Serbisë në bregdetin shqiptar ishte një sfidë e madhe, për shkak të marrëveshjes paraprake bilaterale mes Italisë dhe Austro-Hungarisë. Ato dy shtete ishin pajtuar që në rast të kolapsit të Perandorisë osmane, në zonën bregdetare të Shqipërisë të përpiqeshin të formonin autonominë e Shqipërisë, me qëllim të ndërprerjes së daljes së Serbisë në Detin Adriatik dhe të neutralizimit të konfliktit të mundshëm në mes tyre, për shkak të interesave gjeostrategjike në bregdetin shqiptar. Nëpërmjet bllokimit të daljes së Serbisë në Detin Adriatik, ato luftonin edhe politikën pan-sllaviste në krye me Rusinë, që pretendonte ta risë ndikimin e saj në Detin Mesdhe, nëpërmjet daljes së Serbisë në Detin Adriatik. Por, pasi që Serbia kishte arritur ta okupojë Durrësin, më 20 dhjetor 1912, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, u parashikua ndërtimi i linjës hekurudhore për qëllime tregëtare, që do ta lidhte Serbinë me portin e Durrësit – linjë kjo që Serbisë i siguronte dalje në det për qëllime ekonomike, por jo dhe ushtarake.
Austro-Hungaria kishte dhe planin B, për sfidën sllave që i kërcënonte interesat e saja. Ajo kishte ndikimin e saj te shqiptarët, e sidomos te popullata katolike e Shqipërisë. Kjo, për arsye se ajo kishte rolin e protektorit mbi popullsinë katolike shqiptare në bazë të traktateve me Perandorinë Osmane. Austro-Hungaria pretendonte që ta evitonte ndikimin sllav në territoret shqiptare, nëpërmjet formimit të një principate katolike shqiptare, e që do të përfshinte territorin e Shqipërisë Veriore (krahinën e Mirditës, Lezhën, Shëngjinin, Shkodrën, Malësinë e Mbishkodrës, Gjakovën, Malësinë e Gjakovës, Rugovën, Dukagjinin dhe Pukën). Qendra e kësaj principate planifikohej të jetë Shkodra. Prandaj dhe për interesat e Austro-Hungarisë, Shkodra përfaqësonte një vend gjeostrategjik. Mirëpo, ky plan nuk arriti të realizohej, pasi katolikët shqiptarë nuk ishin të gjithë nën ndikimin austriak. Disa prej tyre ishin nën ndikimin sllav apo italian dhe, si pasojë e kësaj, në Luftën ballkanike disa nga këto territore u pushtuan nga ushtritë serbo-malazeze.
Austro-Hungaria gjatë Luftës ballkanike duhej t’i luftojë edhe pretendimet ruse dhe ato britanike, që kishin për qëllim të formonin një Konfederate Ballkanike, që do ta ndërpriste zgjerimin e ndikimit teutonik (Gjermani, Austro-Hungari) në Lindjen e Mesme – nëpërmjet linjës hekurudhore Berlin-Bagdad, që ishte duke u ndërtuar dhe që kalonte nëpërmjet Ballkanit.
Por, pasi në Luftën ballkanike u cënuan ndjeshëm interesat e Austro-Hungarisë, ajo u përpoq që ta kthejë në favor të saj situatën e re të krijuar në Ballkan. Në fillim ajo e shfrytëzoi pakënaqësinë e Bullgarisë nga ndarja e territoreve ne mes Aleancës ballkanike, dhe prandaj diplomacia austro-hungareze i inkurajoi planet e Bullgarisë për ta sulmuar Serbinë dhe Greqinë. Mirëpo, pasi Bullgaria dështoi në atë luftë, që njihet si Lufta e dytë ballkanike, nuk kaloi shumë kohë dhe Austro-Hungaria e sulmoi vetë Serbinë dhe e okupoi atë sëbashku me Shqipërinë.
-Demonstrimin që e bëri flota navale evropiane në bregdetin në afërsi të Shkodrës, kishte rëndësi në përfundimin e Betejës së Shkodrës. Fuqitë e Mëdha shpallën bllokadë në bregdetin shqiptar, pasi që kryqëzori osman “Hamidije” më 12 mars 1913 në Shën Gjin sulmoi me sukses anijet greke. Këto anije e mbanin të bllokuar bregdetin shqiptar dhe transportonin ushtarë serbë, të cilët prej Selaniku zbrisnin në Shqipëri me qëllim që të shkojnë në fronin kundër Shkodrës. Pas kësaj ngjarjeje, më 22 mars 1913 në Konferencën e Londrës u vendos që Shkodra t’i takojë Shqipërisë. Prandaj dhe Qeveria ruse sëbashku me shtetet tjera i kërkuan Qeverisë serbe dhe asaj malazeze që t’i tërhiqnin trupat e tyre nga rrethimi i Shkodrës. Qeveria serbe e pranoi këtë vendim dhe ushtria serbe filloi të tërhiqej. Me këtë rast, Kryeministri i Perandorisë osmane i dërgoi një depeshe Esat Pashës, ku këtij i sugjerohej që të mos sulmohen trupat serbe, pra pasi ato ishin duke u tërhequr. Nga ky moment për Esat Pashën ishte e qartë, se fati i Shkodrës ishte vendosur nga Fuqitë e Mëdha në favor të Shqipërisë.
Esat Pasha pas këtyre ngjarjeve ndoshta shpresoi se pas tërheqjes së trupave serbe dhe duke qenë se flota navale e Fuqive të Mëdha demonstronte në ujërat territoriale të Shkodrës, po këto Fuqi të Mëdha do të intervenonin që ta parandalonin katastrofën humanitare në Shkodër. Por, kjo nuk ndodhi dhe ato nuk ndërmorën asgjë në mënyrë që të mundësohej hyrja e ushqimeve dhe e ilaçeve në Shkodër. Ato vazhdonin të mbanin Shkodrën e bllokuar, në po të njëjtën mënyrë siç e mbanin, para tyre, luftëanijet greke. Esat Pasha, nga kjo indiferencë e tyre e qëllimshme, i kuptoi dhe planet e tyre. Kjo situatë me flotën navale evropiane i inkurajoi malazezët që të vazhdonin me bombardimin e qytetit, pasi edhe ata ishin në dijeni për situatën e vështirë në Shkodër dhe me të drejtë besonin se ishte vetëm çështje kohe se kur do të dorëzohej ushtria osmano-shqiptare.
Nga një dëshmi e sekretarit personal të Presidentit Willson, i cili e takoi Esat Pashën gjatë punimeve të Konferencës së Paqes në Paris, kuptojmë se Esat Pasha i ishte ankuar atij, se gjatë Luftës së Shkodrës flota navale evropiane kishte qenë kundër tij. Esati, mes tjerash në atë bisedë, sipas dëshmisë në ditarin e diplomatit amerikan të shkruar më 4 dhjetor 1918, thotë:”U dorëzova”, thotë Esadi, te anijet e mëdha të bashkësisë së kombeve të cilët shumë padrejtësisht ishin armiqësisht kundër meje, […] Atyre dhe vetëm atyre iu dorëzova, që të mund të jetoj e të luftoj edhe një ditë. Dhe ajo ishte një ditë e zezë për Nikolën [F.D. mbreti i Malit të Zi].
Nga dëshmia që na jep diplomati amerikan, dhe veprimet e lartpërmendura të flotës navale evropiane, kuptojmë që Esat Pasha flotën navale evropiane me të drejtë e konsideronte si armiqësore, e cila nëpërmjet intrigave dëshironte ta merrte nën kontroll Shkodrën dhe ta ndërkombëtarizonte bregdetin e saj. I vetëdijshëm për qëllimet e tyre, Esati, gjatë asaj beteje, gjendej para një akti të kryer të diplomacisë së huaj lidhur me fatin territorial të qytetit të Shkodrës dhe në një situatë të mjerueshme në fushëbetejë. Fuqitë e Mëdha nuk kishin arsye që ta ndryshonin qëndrimin e marrë me konsensus kohë më parë dhe ato e prisnin momentin derisa të gjenin një pretekst që të ndërhynin në Shkodër. Fuqitë e Mëdha ishin të informuara se rezistenca e Shkodrës ishte çështje ditësh dhe e prisnin me padurim kapitullimin e kësaj të fundit. Të njëjtit prisnin pretekstin e marshimit të ushtrisë malazeze në Shkodër, për të ndërhyrë. Esat Pashës, në atë situatë të rënduar, i erdhi edhe oferta nga Austro-Hungaria: nëse Shkodra i dorëzonin armët, ajo do të merrej në mbrojtje ndërkombëtare.
-Esat Pasha, si një politikan, mendonte për mënyrën se si ta kthejë këtë situatë edhe në interes të tij personal. Ai e analizonte edhe situatën politike në Shqipëri. Territoret e autonomisë së Shqipërisë, të dala nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ishin të okupuara nga ushtria serbe, që ishte stacionuar në Durrës, Tiranë, Krujë, Elbasan, Lezhë etj. Situata ishte më e vështirë në Shqipërinë jugore, pasi që në Gjirokastër e Korçë, më prill 1913 princi i Greqisë pritej nga turma të mëdha shqiptarësh me lule dhe flamuj të Greqisë, si çlirimtar i tyre. Enklavë e vetme ku nuk kishin depërtuar trupat okupatore ishte rrethi i Vlorës, i Lushnjës, i Fierit e i Beratit, pasi që aty ishin të stacionuar, për t’u konsoliduar, ushtarët osmanë që ishin tërhequr pas disfatave në fushëbeteja. Nga ana tjetër, Qeveria e Vlorës jo vetëm që ishte dëshmuar përgjatë 5 muajve e paaftë që të mobilizojë vullnetarë për t’i dalë në ndihmë Shkodrës, por politika e saj ndikoi dhe në dezertimin e ushtarëve shqiptarë që e mbronin Janinën. Kjo situatë në terren, me siguri që e pati brengosur Esat Pashën, duke u nisur nga dëshmia e mëvonshme, se ai ia kishte vënë vetes për detyrë që veprimtarinë e tij politiko-ushtarake t’ia përkushtojë formimit të Shtetit Shqiptar.
Esat Pasha, i vetëdijshëm se hyrja e ushtrisë malazeze do të nxiste ndërhyrjen përfundimtare të trupave ndërevropiane në Shkodër, veproi me një plan strategjik të menduar mirë. Në fillim, ai e pranoi insistimin e malazezëve për negociata për të ardhmen e Shkodrës. Negociatat nëpërmjet ndërmjetësuesve ishin bërë edhe më herët, mirëpo pa sukses, pasi që malazezët kërkonin kapitullimin e pakushtëzuar të Shkodrës. Por, tani rrethanat kishin ndryshuar, pasi dhe fati i Shkodrës ishte vendosur në Konferencën e Londrës: flota navale evropiane demonstronte në ujërat territoriale të Shkodrës, ushtria serbe ishte tërhequr, përderisa në Shkodër ishin harxhuar rezervat ushqimore dhe ilaçet. Këto rrethana të reja e përshpejtuan arritjen e marrëveshjes për dorëzimin e Shkodrës. Marrëveshjen e  dorëzimit të Shkodrës e nënshkruan Esat Pasha dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë malazeze princi Danilo, më 9 prill 1913 (22 prill 1913). Kjo marrëveshje (serbisht: “Sporazum”) përmban 15 pika, të cilat përfshijnë: amnistinë e plotë, të drejtën e shkodranëve për pronën, lirinë e besimit, përkujdesjen e të plagosurve, marrjen me vete të armatimit të lehtë dhe të rëndë, marrjen e mjeteve të komunikimit (telefonat, telegrafët optikë, heliografët), si dhe dhënien e ushqimit popullatës dhe ushtrisë. Pika qendrore e kësaj marrëveshjeje konsistonte në largimin e ushtrisë nën kryesinë e Esat Pashës prej Shkodre, dhe në hyrjen e asaj malazeze në Shkodër. Kjo nënkuptonte se Shkodra do t’i takonte Malit të Zi.
Por, Esat Pasha ishte ushtarak, ai nuk ishte sovran që të mund t’ia dorëzonte Shkodrën Malit të Zi. Ndryshimin e kufijve të saj mundeshin ta ndërmerrnin vetëm Fuqitë e Mëdha dhe prandaj ishte irelevante marrëveshja mes Shkodrës dhe Malit të Zi për fatin e Shkodrës. Palët që e lidhën marrëveshjen për Shkodrën nuk ishin naive, pasi që ato njëkohësisht ishin edhe politikanë. Ato në radhë të parë mendonin për interesat e tyre dhe të atyre që i përfaqësonin, prandaj dhe bënin edhe një marrëveshje politike.
Mbreti i Malit të Zi me anë të kësaj marrëveshjeje fitonte para syve të ushtrisë dhe popullit malazez “kryeqytetin” e tyre historik. Malazezët pretendonin se varret e mbretërve paraardhës të tyre gjendeshin në Shkodër dhe se prandaj kishin të drejtë historike që ta pushtonin këtë qytet. Sipas malazezëve, çlirimi i Shkodrës duhej të realizohet pas mbi 400 vite lufte me të pafetë shqiptarë, të cilët së bashku me turqit-osmanë e okupuan qytetin në vitin 1479. Megjithëse në momentin kur shqiptarët së bashku me turqit-osmanë e çliruan (okupuan) Shkodrën ajo ishte pjesë integrale e Republikës së Venedikut, Shtefan dhe Ivan Crnojeviçi (princër të Malit të Zi) asokohe i kishin ndihmuar mbrojtjes së pasuksesshme të Shkodrës. Ky fakt historik u lejonte malazezëve të pretendojnë se Shkodra qe e tyre para pushtimit (çlirimit) shqiptar-osman, megjithëse ajo në atë periudhë qe formalisht pjesë e Republikës së Venedikut.
Për malazezët, përveç Shkodrës, edhe Prizreni përfaqësonte qytet me simbolikë historike. Prandaj ata u vërsulën që ta okuponin edhe këtë të fundit dhe mundësisht ta shpallnin kryeqytet të ri. Mirëpo, pasi ushtria serbe e okupoi Prizrenin para ushtrisë malazeze, malazezët u përqendruan në pushtimin e Shkodrës. Këta megjithate dështuan edhe në këtë qëllim, për shkak të rezistencës së fortë në Shkodër. Nga dështimet për “çlirimin” e dy qyteteve historike të mbretërisë së vjetër serbe, mbreti malazez rrezikonte humbjen e përkrahjes së populli i tij. Mirëpo, rreziku nuk qëndronte vetëm te humbja e përkrahjes nga populli; çështja ishte edhe më e thellë. Së pari, serbët në atë periudhë ishin një komb me dy shtete. Dy shtetet (Serbia dhe Mali i Zi) udhëhiqeshin nga mbretër të dinastive të ndryshme. Në atë periudhë ende nuk kishte lindur identiteti kombëtar malazez, pasi ata e konsideronin veten pjesë e kombit serb. Pastaj në vitin 1910 princi i Malit të Zi e shpalli veten mbret, përderisa principatën e tij e shpalli mbretëri. Shpallja e tij mbret, nënkuptonte politikë me pretendime pan-serbe (Mali i Zi, Serbi, Bosnjë, Kosovë, Maqedoni, Kroaci, Vojvodinë). Prandaj dhe ekzistonte një rivalitet mes dy dinastive serbe lidhur me atë se kush do ta mbante kurorën në shtetin e ri sllav, që pritej të formohej në Ballkan. Në këtë periudhë, Qeveria serbe kishte arritur të infiltrojë në politikën malazeze idenë e bashkimit nën kurorën e mbretit të Serbisë.
Dështimi në pushtimin e Shkodrës dhe Prizrenit e kishte rënduar situatën e mbretit të Malit të Zi dhe kjo mund t’i kushtonte humbje kurore familjes mbretërore malazeze. I vetëdijshëm për situatën delikate në të cilën gjendej, mbreti i Malit të Zi ishte i gatshëm të pranojë çdo kusht për marrjen e Shkodrës.
Këtë situatë e shfrytëzoi Esat Pasha, i cili insistoi që dorëzimi i Shkodrës të mos quhej kapitullim, por marrëveshje. Kjo marrëveshje i mundësoi atij që ta nxirrte armatimin e rëndë jashtë Shkodrës dhe ta sigurojë ushqimin nga Mali i Zi për ushtrinë e tij.
Ngjarjet që ndodhën në dy javët e ardhshme, prej kur u arrit ajo marrëveshje deri në stacionimin e ushtarëve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, ishin vetëm një manovër politike që i ndihmoi dinastisë mbretërore malazeze të mbrojë pushtetin e vetë, pas bashkimit territorial të Serbisë me Malin e Zi. Mbreti i Malit të Zi, i cili nuk e kishte dhënë urdhërin e tërheqjes së ushtrisë që e kishte rrethuar Shkodrën edhe përkundër kërkesës së Rusisë, tash më ishte në një pozitë shumë më të mirë për të dhënë një urdhër të tillë. Kjo situatë e re, i mundësoi atij të arsyetohej se e gjithë ajo sakrificë prej mbi 5000 të vrarëve nuk ishte e kotë, sepse ata, sipas tij, e fituan betejën dhe e morën Shkodrën, dhe se ishin forcat evropiane ato që e detyruan atë që të jepte urdhërin e largimit të ushtrisë prej Shkodre.
Ky plan i doli atij me sukses, sepse ushtria e tij, pasi që hyri në Shkodër, mbajti atje fjalime patriotike dhe e lavdëroi qëndresën e mbretit. Mbreti i Malit të Zi, pas kësaj, më 4 maj 1913, i dërgoi telegram kryetarit të Konferencës së Londrës, me çka e njohtoi ate se fatin e Shkodrës e linte në duart e Fuqive të Mëdha, dhe pas kësaj urdhëroi tërheqjen e trupave malazeze prej Shkodre, pa mos e konsultuar aspak Qeverinë e tij. Ndërkohë, kryeministri i Malit të Zi dha dorëheqje me pretekst se nuk ishte konsultuar mbreti me te kur e kishte marrë vendimin, përderisa gjeneralët malazezë, të cilët kishin insistuar të luftojnë deri në vdekje, qenë të pafuqishëm  ta kundërshtojnë urdhërin e mbretit. Nëse Mbreti malazez do ta kishte dhënë urdhërin e tërheqjes së trupave nga rrethimi i Shkodrës para se ta okuponin Shkodrën, ai rrezikonte fronin e tij. Me këtë manovër ushtarako-politike, mbreti i shpëtoi mundësisë së grushtit të shtetit nga Qeveria malazeze dhe ushtria. Poashtu, Mbreti malazez e mbijetoi betejën e brendshme politike, pasi dhe popullata tani më nuk e akuzonte atë, por i akuzonte Fuqitë e Mëdha, të cilat nuk e lejuan aneksimin e Shkodrës nga Mali i Zi, megjithate e okupuan vetë atë me trupat e tyre.(Në vitin 1918, me formimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, ishin po ata politikan malazezë që dhe formalisht e bashkuan Malin e Zi me Serbinë nën kurorën e mbretit serb të dinastisë së Karagjorgjeviqëve; përderisa mbreti malazez dhe trashëgimtari i tij vdiqën në egzil).
Nga ana tjetër, edhe për Esat Pashën kjo marrëveshje kishte përparësitë e veta. Ai manovronte, nga arsyeja se parashikoi, se nëse trupat evropiane hynin në Shkodër para atyre malazeze, të njëjtat do t’i konfiskonin armët e ushtrisë osmano-shqiptare, e sidomos armatimin e rëndë. Nxjerrja e armatimit  ishte çështje mbijetese në atë periudhë. Jo për ushtarët osmanë, sepse për ta lufta kishte përfunduar. Ata e kishin kryer me nder detyrën dhe planifikonin të ktheheshin në Perandorinë osmane. Ndërkohë që për trupat shqiptare që e kishin mbrojtur Shkodrën, lufta ende nuk kishte përfunduar. Kjo, për arsye se Shqipëria e cila e kishte fituar autonominë nën sovranitetin e Sulltanit në Konferencën e Londrës, ekzistonte vetëm në letër. Poashtu në këtë periudhë, shqiptarët ishin çarmatosur nga ushtritë e Aleancës ballkanike dhe të gjitha armët që ishin gjendur në depot e ushtrisë osmane ishin konfiskuar nga ushtritë aleate. E vetmja shpresë për shqiptarët mbetej që mbrojtësi i Shqipërisë së Veriut tash më të shndërrohej në shpëtimtarin e Shqipërisë. Prandaj, kur Esat Pasha me ushtrinë e tij u largua nga Shkodra, ai i dërgoi Kryeministrit të Perandorisë osmane një telegram me këtë përmbajtje: “Meqë në kështjellë nevojat për jetesë u harxhuan, unë e kisha të domosdoshme që prej 10 prill 1329 ta evakuoj kështjellën, dhe këtë në kushte speciale t’ia dorëzoj komandantit të përgjithshëm të ushtrisë malazeze. Me trupat e armatës së rregullt, redifët dhe ata të ushtrisë së mbrojtjes territoriale, me të gjitha mitralozat dhe artilerinë, jam i gatshëm që të nisem në drejtim Lezhë-Tiranë, Komandant i Korpusit të Armatës së Shkodrës- Esat”. Nga përmbajtja e telegramit kuptojmë se Esat Pasha nuk mendonte të shkojë në Stamboll, e ku do të pritej si hero. Në atë kohë, ish ministri i flotës osmane Mahmud Muhtar Pasha, në librin e tij për Luftën ballkanike, që e kishte botuar para përfundimit të asaj lufte, shkruante se ishte trimi Esat Pasha ai i cili gjatë gjashtë muajve e mbronte flamurin osman në Shkodër, me çka dhe e kishte rikthyer dinjitetin e ushtrisë osmane. Lufta për mbrojtjen e Shkodrës ishte shndërruar në një temë ditore në shtypin osman, pasi që beteja e Shkodrës ishte një ndër tri betejat e fundit në të cilat ushtria osmane tregonte rezistencë – në Janinë dhe Edrene. Mirëpo, pas kapitullimit të Janinës dhe Edrenesë, Shkodra kishte mbetur front i fundit në tërë Ballkanin. Ky fakt edhe më shumë ndikoi në famën e Esat Pashës, në tërë Perandorinë osmane. Por, siç u dëshmua, Esatin nuk e tërhiqte ajo famë dhe prandaj ai e zgjodhi rrugën e sakrifikimit. Rrugë ajo që deri në vitin 1916 i solli atij katër dënime me vdekje (nga princ Vidi, rebelimi pro-osman, Perandoria osmane dhe Austro-Hungaria) dhe në fund vrasjen e tij nga një vrasës me pagesë (sipas të gjitha gjasave edhe agjent i Italisë). Por, rruga që ai e përzgjodhi, atij njëkohësisht i solli edhe medalje të shumta nga shtetet më të fuqishme evropiane. Prandaj dhe sot, pa asnjë dyshim, mund të thuhet se Esat Pasha është burrështetasi më i dekoruar në gjithë historinë e Shtetit shqiptar.
Pas largimit të Esat Pashës nga Shkodra, gazeta “Liri e Shqiprisë” me drejtor Kristo Laurasin shkruante:” Ra fortesa e Shkodrës, Taraboshi i cili u mbajt trimërisht kundër rrethimit t’ushtrisë malazeze 190 ditë […] se u dhanë si i sosnë gjithë çephanetë [F.D. municioni] dhe ushqimet. Duket se me këto kondicie dot jetë dhënë trimi Esat pasha”.
Kuptohet që në aspektin ushtarak do të kishte qenë e logjikshme që pas “kapitullimit”, ushtria e Esat Pashës të shpërndahej apo të stacionohej në një vend bregdetar për t’i pritur anijet që do t’i transportonin ushtarët. Por, pas largimit nga Shkodra, ushtria e Esat Pashës vazhdoi me lëvizje taktike dhe me manovra ushtarake, e që dëshmonte se ata përfaqësonin forcë të vërtetë ushtarake. Esat Pasha i ndërmori këto lëvizje, pasi që ai nuk planifikonte kapitullimin dhe dorëzimin e Shqipërisë serbëve apo grekëve. Ai, pasi i la disa batalione në periferi të Shkodrës, që ta kenë nën kontroll sjelljen e ushtrisë malazeze ndaj civilëve shqiptarë, dhe pasi një pjesë e ushtrisë mbeti në Lezhë për t’u transportuar në Anadoll, së bashku me rreth 25.000 ushtarë u drejtua në Tiranë, e cila gjendej nën okupimin serb. Me stacionimin e trupave të tij në Tiranë, ai e shndërroi atë në qendër logjistike të Shqipërisë së re. Armatimi i nxjerrë prej Shkodre u shpërnda në brendësi të Shqipërisë dhe në Tiranë. Atij iu bashkuan edhe gjeneralët tjerë osmanë-shqiptarë me ushtarët e tyre të stacionuar në Fier, Lushnjë dhe Berat. Me bashkimin e tyre, u formua një ushtri prej mbi 50.000 ushtarë të rregullt dhe të armatosur mirë. Taktika ushtarake që e përzgjodhi ai ishte vendimtare për ekzistencën e Shqipërisë. Kjo, pasi që ushtria serbe dhe ajo greke, që deri në këtë periudhë e kontrollonin Shqipërinë e Mesme dhe atë Jugore, së bashku me bajraktarët mercenarë dhe bandat epirotase, tani më kishin një sfidë të re. Ata, së bashku me mercenarët shqiptarë, e kishin pasur lehtë ta kontrollonin Shqipërinë dhe shqiptarët e çarmatosur. Forca e re ushtarake e formuar në Shqipëri dhe armatimi i popullatës me armët e dala nga Shkodra, e ndryshoi situatën në terren dhe filloi gradualisht çlirimi i territoreve shqiptare nga grekët, serbët dhe bashkëpunëtorët të tyre.
Në atë kohë, përderisa Esati ishte në Tiranë, ai e dha edhe një intervistë, ku mes tjerash thoshte: “Është e vërtetë se konsulli i Austro-Hungarisë dhe ai i Italisë e kishin mirësinë që të më informonin se ekziston një Qeveri e tillë [F.D. Qeveria e Vlorës]. Por, nga ana ime unë nuk di asgjë për te dhe nuk më intereson. Për sa i përket marrëdhënieve të mia me Qeverinë osmane, asgjë nuk mund të jetë më e thjeshtë. Unë i pres urdhërat të cilat më dërgohen nga Ministria e Luftës në Stamboll. […] Unë nuk jam vetë. Unë kam shokë dhe të njohshëm në vend. Unë mundem t’i bashkoj krerët e vendit dhe të gjithë së bashku ndoshta mund të bëjmë diçka të dobishme. Ah, e di shumë mirë që ne kemi nevojë për ndihmën evropiane, financiare (monetare) dhe teknike. Por, ajo ndihmë duhet të jetë pa prapavijë. Çka dua – çka ne duam – është që me çdo kusht të na lini rehat”.
Esat Pasha në këtë intervistë fliste si fitimtar, si një gjeneral që e kishte ushtrinë fitimtare pranë tij dhe që kishte ndikim në Shqipëri. Edhe vetë titulli i artikullit tregonte se ai situatën në Shqipëri e kishte nën kontroll. Në atë intervistë ai fliste për bashkëpunimin mes shqiptarëve dhe poashtu tregonte se ata kishin kapacitet për të krijuar diçka të dobishme, e që nënkuptonte formimin e Shqipërisë. Ai poashtu fliste për nevojën që evropianët të mos përzien në punët e brendshme të Shqipërisë. Nëse duan të na ndihmojnë – thoshte ai, le ta bëjnë atë, por pa prapavijë. Ai u shmangej kontakteve me Ismail Qemalin, sepse atë, siç u dëshmua më vonë, e konsideronte si një kukull të shteteve që pretendonin okupimin e Shqipërisë, gjithashtu ngase ai nuk përfaqësonte asnjë forcë ushtarake. Forca e vërtetë e Shqipërisë ishte vetë ai, Esat Pasha, me ushtrinë e tij. Së këndejmi, në intervistën në fjalë ai dhe pretendonte që lidhjet me Perandorinë osmane në shtetin e ri që pritej të formohej të mbeten me çdo kusht të paluhatura.
Shndërrimi i Esat Pashës në një forcë reale të Shqipërisë i shqetësoi Austro-Hungarinë dhe Italinë, të cilat kishin arritur ta vënë nën kontroll Qeverinë e Vlorës. Duke i parë si rrezik forcat e ushtrisë osmano-shqiptare, konsujt e Austro-Hungarisë dhe Italisë, të cilët i kishin vënë vetes si detyrë parësore mbrojtjen e interesave të tyre nga ambiciet pan-sllave, u takuan me Esat Pashën në Tiranë, me qëllim që t’i dëgjojnë nga ai planet e tija. Në këtë takim, për dallim nga ajo që Esat Pasha e thotë në intervistë, ai i kishte siguruar ata, se qëllimi i tij ishte formimi i Shqipërisë dhe prandaj planifikonte t’i bashkëngjitej Qeverisë së Vlorës me qëllim që ta legjitimojë ate me një ushtri. Ai poashtu kishte shprehur gatishmërinë e tij që ta merrte përsipër Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe t’i transformonte ushtarët në xhandarë, detyra e të cilëve do të kishte qenë mbajtja e rendit dhe e qetësisë së Shqipërisë, para njohjes së saj në Konferencën e Ambasadorëve si principatë autonome. Vendimi i Esatit e lehtësoi pozitën e Austro-Hungarisë dhe Italisë, pasi shtetet tjera të Fuqive të Mëdha hezitonin lidhur me njohjen e Qeverisë së Vlorës. Ata hamendeshin për njohjen e saj, pasi që nuk besonin se Qeveria shqiptare do të ishte e aftë t’i kryejë detyrat e saja, edhe nga shkaku se ajo Qeveri nuk përfaqësonte asnjë forcë ushtarake. Ata dhe formalisht e injoruan ekzistencën e asaj Qeverie, me rastin e nxjerrjes së proklamatës në kohën kur Fuqitë e Mëdha e morën në administrim Shkodrën. Por, me afrimin e Esat Pashës me Qeverinë e Vlorës, nuk vonoi dhe vendimi i Fuqive të Mëdha, pasi që ata dhe formalisht më 29 korrik 1913 e sollën vendimin e formimit të Principatës Autonome të Shqipërisë.
Shndërrimi i Esat Pashës në një forcë kryesore të Shqipërisë, i rriti edhe spekulimet për shpalljen e tij mbret të Shqipërisë. Ismail Qemali, gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Francë, i përgënjeshtroi këto zëra, gjatë një interviste dhënë për gazetën “Le Matin”. Me këtë rast atë e pyetën se çka mendonte për lajmin se Esad Pasha u proklamua mbret i Shqipërisë. Ismail Qemali përgjigjet: “Unë e njoh shumë mir Esad Pashën, është trim i patrembur. Nukë mbesoj të jetë proklamuar për mbret”.
Por, kjo nuk përflitej vetëm në shtypin e huaj, pasi edhe të ashtuquajturit nacionalistë shqiptarë e debatonin haptazi këtë çështje. Në një letër të hapur që Esat Pashës ia dërgoi Mihail Gramenoja, atij i përmenden meritat e mbrojtjes së Shkodrës, duke e theksuar dhe mundësinë që ai të kurorëzohet Mbret i Shqipërisë: “Luftove Pasha me dragonjtë e Shqipërisë u dhe dërmën anmiqëvet dhe nderove kombin tonë, nderove Shqipërinë[…]Vërtet Shqipëria nuk u mundi t’u kurorzonjë me kurorëne artë, nga shkaku që ishte e shkelur nga armiqtë, po ajo e ruante atë kurorë dhe, kur të vinte ajo ditë e lumtur, do t’u kurorëzonte si duheshe duke thënë gjithë Shqipërisë cili është Esat Pashë Toptani”!
-Gjatë qëndrimit të shkurtër të Esat Pashës në Itali, në korrik të vitit 1913, këtij i shkon për vizitë edhe Faik Konica. Në një telegram që ia dërgon deputetit britanik që lobonte për çështjen shqiptare, Konica i tregon se ishte takuar me Esad Pashën, të cilin e quan Mbrojtës i Shkodrës: “E takova këtu Esad Pashën, mbrojtësin e Shkodrës [I have met here Essad Pasha, the defender of Scutari]”.
Me të kthyer prej Rome, Faik Konica së bashku me Dervish Himën, të bindur në forcën që përfaqësonte Esat Pasha, filluan të lobonin për te te konsulli i Austro-Hungarisë në Shqipëri. Ata  e morën deri diku edhe pëlqimin e konsullit të Austro-Hungarisë dhe Italisë që Esat Pashën ta vënë në krye të Qeverisë shqiptare. Me këtë rast Esati pranoi të vihej në krye të Shqipërisë dhe prandaj filloi edhe fushata diplomatike për promovimin e tij si lider i Shqipërisë. Në një artikull të gazetës së drejtuar nga Hil Mosi, shkruhej: “Para dy ditësh mrrini këtu i shëndrishmi general e trim i famshëm qi mproj trimneshen Shkodër Naltëmadhërisë e Tij ministër i punëve mbrendshme në Qeverin Shqiptare Esat Pashë Toptani[…] Faik Beu (F.D. Konica) në nji fjalë të shkurt qi mbajti, uroj dhe ngiatjetoj të famëshin general për trimërit e rrepta qi dëftoj në mbrojtjen e Shkodrës”.
Më pas, ata formuan Pleqësinë e Shqipërisë së Mesme, ku u mblodh shumica e parësisë shqiptare dhe e zgjodhi Esat Pashën kryetar të tyre. Kjo Pleqësi e shuajti veprimtarinë e vetë pasi që Esat Pasha pranoi që në emër të Shqipërisë t’ia ofrojë kurorën princit të imponuar nga Fuqitë e Mëdha. Por, para se të nisej me këtë detyrë në Gjermani, Esat Pasha iu drejtua shqiptarëve më një deklaratë: “Për me përgënjeshtrue të gjitha lajme qi epen mi mue, po përkujtoj, se deri sa kjeç gjeneral në shërbim të turkut, un i shërbeva me besnikëri, edhe për ket shkak qi un mbaj gjithnji nji simpatie për Turkien. Sot politikisht jam i ndamun prej saj, shkaku i luftës ballkanike qi mjerisht kje nji rrënim për Turkien, të cilës nuk i mbeti asgjë në Shqypnie. Sot gjithmonë e ndij veten naltësisht shqyptar e të gjithë jetën teme s’kam me punue veç për komb edhe për atdhe t’on tuj i ndjekun me besnikëri vendimet e mbretnive të mëdha për nji Shqypnie të fortë e të jetshme. Pres me nji gëzim të math ardhjen e princit Wied, të zgjedhunit e të cilit s’ka me pasun asnjë kundërshtim, se të gjith Shqyptarët pëlqejnë atë, të cilin fuqitë e mëdha e kanë zgjedhun për regj të Shqypëries”.
 
-Lidhja e Esat Pashës me Shkodrën mbeti përgjithmonë e veçantë. Këtë e dëshmojnë  edhe pullat postare të Shqipërisë gjatë qeverisjes së Esat Pashës në vitet 1914-1916. Ai i zëvendësoi pullat postare të Shqipërisë që mbanin pikturën e Skënderbeut (Skandërbergu) dhe fotografinë e princ Vidit me fotografi të Shkodrës dhe Liqenit të Shkodrës.
 
Konkluzion
 
Veprimtaria e Esat Pashës për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve vazhdoi deri në përfundimin e jetës së tij.
Në këtë punim u përpoqa të argumentoj se pse duhet rishqyrtuar, mbase dhe hedhur poshtë disa manipulime që janë bërë, apo që vazhdojnë të bëhen nga disa historianë shqiptarë, lidhur me veprimtarinë e Esat Pashës gjatë Luftës ballkanike.
“Dorëzimi” i Shkodrës nga Esat Pasha nuk është një inovim i historianëve komunistë shqiptarë. Ai para së gjithash u akuzua nga kundërshtari i tij politik Ismail Qemali, i cili duke pasur për qëllim diskreditimin e Esat Pashës, në një shkrim të tij në vitin 1917 e akuzonte këtë për aktin e “dorëzimit të Shkodrës”. Por, Ismail Bej Qemali harroi të na shpjegojë se si qe e mundur që një “tradhëtar” i përmasave të këtilla, pasi që u largua nga Shkodra, e pranonoi pikërisht ate në Qeverinë e tij, duke ia besuar udhëheqjen e forcave të rendit në Shqipëri. Aq më shumë, siç e dëshmon edhe intervista e lartëpërmendur e Ismail Qemalit, ky nuk e quante tradhëtar Esat Pashën atëherë kur i njëjti u largua nga Shkodra. Përkundrazi, Ismail Qemali asokohe e quante Esat Pashën një trim të patrembur. Kjo na lë të mendojmë se ndërrimi i qëndrimit të tij nuk ishte gjë tjetër përveç se një retorikë e një kundërshtari politik. Megjithate, duhet theksuar dhe një fakt të rëndësishëm, e që sot historiografia shqiptare e mban të heshtur. Kemi të bëjmë me faktin se përderisa Esat Pasha e mbronte Shkodrën, Ismail Qemali, më 8-9 prill 1913, në Milano (Itali) negocionte me përfaqësuesin special të kryeministrit serb. Po ky përfaqësues special i kryeministrit serb për çështjen e Shqipërisë, në mars të vitit 1913 kishte qenë në Shqipëri, dhe në një raport që ia kishte dërguar kryeministrit të tij, e quante Esat Pashën – Mbrojtësi i Shkodrës. Ai në atë raport mes të tjerash shkruan: “Në Durrës nuk ka bejler të dalluar. Qendra për këto është Tirana, ku e tërë fuqia është grumbulluar rreth familjes Toptani, të cilës i takojnë: Esad pasha, mbrojtës i Shkodrës, […]”.
Edhe Syreja Bej Vlora në kujtimet e tija e akuzoi Esat Pashën për shitjen e Shkodrës malazezëve. Mirëpo as dëshmia e tij nuk gjen mbështetjen e ndonjë argumenti. Me këtë rast duhet pasur parasysh se Syreja Bej Vlora ishte i afërt me Austro-Hungarin dhe i mbeti besnik princ Vidit. Përderisa Esat Pasha e detyroi princ Vidin të largohej nga Shqipëria, ndërsa Austro-Hungarisë i shpalli luftë në emër të Qeverisë shqiptare. Me siguri që kjo periudhë i bëri këta dy politikanë osmanë-shqiptarë edhe kundërshtarë politikë, prandaj dhe akuza e tij duhet të merret me rezervë.
Në Shqipëri sot e kësaj dite ka historianë që e quajnë Esat Pashën tradhëtar dhe thonë se ai ia “shiti” Shkodrën Malit të Zi. Por, meqë – siç thonë ata – gjykojnë në baza nacionaliste, atëherë parashtrohet pyetja se pse vallë ata nuk i gjykojnë dhe nuk i quajnë tradhtarë malësorët katolikë të cilët luftonin bashkë me malazezët dhe serbët për ta pushtuar Shkodrën?! Pikërisht këtu dhe fshihet e gjithë enigma e kësaj ngjarjeje historike, që më kot është shtyrë aq gjatë pa u zbardhë nga historiografia shqiptare. Ata përpiqeshin apo përpiqen ta kalojnë në heshtje pjesëmarrjen e disa shqiptarëve gjatë rrethimit të Shkodrës si luftëtarë të Malit të Zi dhe Serbisë, apo faktin e mospjesëmarrjes së shumë prej tyre në luftën e mbrojtjes së Shkodrës, dhe prandaj sot disa historianë shqiptarë na shfaqin interpretime të rrethimit të Shkodrës që janë jashtë çdo logjike të shëndoshë si mundësi për t’i kuptuar.
Mirëpo, në këtë shkrim, përdorimi i citateve nga personalitete historike të asaj periudhe si: Ismail Qemali, Hil Mosi, Faik Konica, Gjergj Fishta, Mihail Grameno, si dhe dëshmitë e kundërshtarëve të tij serbë, të cilët e quanin Esat Pashën Mbrojtësi i Shkodrës, i përgënjeshtron pseudo-historianët shqiptarë që vazhdojnë të shpifin se Esat Pasha qe tradhëtar i Shkodrës dhe i Shqipërisë.