Jeta është plotë dhimbje, të cilat i vuajmë për shkak të të tjerëve. Njëri tallet me fjalë të turpshme, e tjetri të gjuan me ofendime, e disa edhe hyjnë në çështje private…
Mirëpo, disa prej nesh aq shumë i zmadhojnë çështjet në mendjet e tyre saqë nuk kanë vullnet t’i falin të tjerët dhe ta harrojnë atë, nuk i pranojnë arsyet e tyre në mënyrë që t’i falin ata. E disa të tjerë duke i mbajtur në mendjet e tyre të gjitha këto, e shkatërrojnë edhe veten e tyre. Kjo është zilia, ajo fillon me pronarin e saj dhe përfundon duke e mbytur atë.
Janë disa gjëra në dynja për të cilat nuk mund ta ndëshkosh askënd. Jo çdokush me të cilin je i mirë të përgjigjet me gjëra të mira, prandaj nëse dëshiron që të jesh i lumtur bëhu zemërgjerë, harroje të kaluarën dhe fali të tjerët. Thotë Allahu xh.sh.:
 “Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt.” (Fusilet:34)
Pejgamberi a.s., doli prej Taifit i lënduar e i shqetësuar shpirtërisht dhe fizikisht…
I erdhi Meleku i urdhëruar prej All-llahut që t’i thotë Pejgamberit a.s., ta shkatërroj atë popull duke i bashkuar dy kodrat.
Mirëpo, Pejgamberi a.s., edhe pse i lënduar, i mërzitur, i shqetësuar… mori fuqi, qetësi e rehati shpirtërore dhe i fali ata duke e lutur All-llahun që ta udhëzoj atë popull!!!
Prandaj, o ti që je lënduar e je lodhur nga lëndimet e të tjerëve, apo ndoshta, edhe nuk ishin falënderues ndaj të mirave që ke bërë për ta… kujto Pejgamberin a.s., në çfarë gjendje ishte dhe ai i fali! Por , ti?
Gjithashtu, kur Pejgamberi a.s., hyri në Meke si çlirues dhe njerëzit filluan të ndiheshin të sigurt. E bëri tavafin rreth Qabesë me Devenë e tij, ndërsa Kurejshitët kishin mbushur Haremin dhe prisnin se çfarë do t’ju thotë i Dërguari a.s. Pas Tavafit Pejgamberi a.s., e falënderoi Allahun, pastaj iu drejtua atyre e ju tha: O popull Kurejshit, si mendoni: Çka keni merituar dhe çka do të veproj me ju? Ata iu përgjigjen, çka të presim nga ti tjetër vetëm se të mira, sepse ti je vëllai dhe biri fisnik. Atëherë i Dërguari a.s., tha: Unë nuk do t’ju them tjetër, vetëm se atë çka ju tha Jusufi vëllezërve të tij: “Unë tani nuk do t’ju qortoj shkoni jeni të falur.”
Sot, Pejgamberin a.s., po e quajnë vëlla fisnik, por a i kishin harruar ata fyerjet e tyre që ia bënë këtij vëllai fisnik! I çmendur, magjistar, falltar… A i kishin harruar ata luftërat që i bënë kundër tij dhe shokëve të tij? A thua e kishin harruar ata bojkotin ndaj të Dërguarit a.s., dhe myslimanëve për tri vite rresht, ku u detyruan myslimanët të hanë gjethe të pemëve, ata nuk patën mëshirë ndaj plakut e as ndaj gruas e as ndaj fëmijës që qante, ndërsa tash po e quajnë vëlla fisnik! A thua kishin harruar që së bashku me Pejgamberin a.s., ishte edhe Bilalli  i cili qëndronte përball tyre, ndërsa shenjat në trupin e tij ende ishin te freskëta? A harruan ata që aty ishte edhe Amari djali i Jasirit dhe Sumejes të cilët u mbytën nga torturat e tyre?
Të gjitha këto, e shumë ngjarje historike të dhimbshme silleshin në kokën e Pejgamberit a.s., në momentin kur ai hipi për të thënë fjalën e tij, dhe po shikonte fytyrat e jomyslimanëve kurejshit. Të gjitha këto kujtime nuk ishin vetëm në kokën e të Dërguarit a.s., por të njëjtat kujtime ndoshta silleshin edhe në kokën e Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit, Aliut, Bilallit e shumë të tjerë. Çdo njëri prej tyre kishte përjetuar vështirësi të tmerrshme nga duart e kurejshitëve. I Dërguari a.s., kishte mundësi t’i ndëshkonte me dënimin më të ashpër, pasi që ata ishin armiqtë e luftës dhe shkelësit e marrëveshjeve. Megjithatë i Dërguari a.s., u përmbajt nga dëshira për hakmarrje dhe i tha fjalët që do të mbahen në histori: “Shkoni jeni të falur.”
Pas kësaj ata shkuan të gëzuar, edhe pse disa prej tyre nuk besonin për sjelljen e Pejgamberit a.s., që bëri ndaj tyre.
Në fillim e përmendëm se të falësh të tjerët do të jesh i lumtur, por tani do t’i përmendim edhe disa dobi të cilat do të llogariten në peshoren e veprave të mira, nesër në Ditën e Gjykimit.
– Njëra prej tyre është se ajo të hapë rrugë për në Xhenet, thotë Allahu xh.sh.:
 “…dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit…Shpërblimi i të tillëve është falja nga Zoti i tyre dhe xhennetet nëpër të cilët rrjedhin lumenj, e aty do të rrinë përgjithmonë.”(Ali Imran: 134-136)
– Gjithashtu, me faljen e të tjerëve e fiton faljen e Allahut xh.sh, thotë Allahu në Kur’anin e Madhërishëm:
“…po le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që All-llahu t’ju falë juve? All-llahu falë dhe mëshiron shumë.” (En-Nur:22)
– Shpërblimi i faljes ndaj të tjerëve është i madh, të mjafton vetëm dashuria e Allahut xh.sh., thotë Allahu:
“… Pra fali dhe mos i qorto. All-llahu i do ata që bëjnë mirë.” (El-Maideh:13)
Prandaj, fali edhe ti, bën dua për ta se nuk arrihet dashuria në mes veti më lehtë se sa duke u lutur për njëri-tjetrin. Duhet ditur se nuk ka njeri pa mëkate, edhe ti ndoshta e ke lënduar dikë dhe ke nevojë për faljen e tij, kështu që ta fitosh faljen dhe mëshirën e All-llahut.
E  lusim Allahun xh.sh., që të na zbus zemrat tona, t’i falim të tjerët dhe atë që e dëshirojmë për vete t’ua dëshirojmë edhe të tjerëve, sepse kështu plotësohet besimi ynë.