Categories
Fetva

Fërkimi dhe gjithpërfshirja e pjesëve të trupit me ujë

Pyetje: Si mund të bindem që i kam larë të gjithë pjesët e trupit[1] me ujë duke u kujdesur shumë në larjen e çdo pjese të tij sado e vogël që të jetë? A mund të lahet e gjithë pjesa e trupit me ujë nëse në një pjesë të tij uji nuk e prek? Ju lutem më jepni një përgjigje të sqaruar mirë, sepse unë i laj pjesët e trupit por nuk jam i qetë në mbërritjen e ujit tek pjesa e trupit. Allahu jua shpërbleftë me të mira.
Myfti: Një grup studjuesish
Përgjigja: Me emrin e Allahut, falenderimi i takon Atij. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për profetin a.s.
Pjesa më e madhe e dijetarëve janë të mendimit se fërkimi i pjesëve të trupit në marrjen e abdesit apo gusulit nuk është obligim, mjafton gjithpërfshirja e pjesës së trupit me ujë. Gjithpërfshirje nuk do të thotë mbërritja e ujit në çdo ind prej indeve të lëkurës. Mjafton që të lash organin me ujë në atë mënyrë që ai që e shikon (jo me imtësi) të mendojë se ajo është e lagur.
Vëlla i nderuar! Është e mjaftueshme hedhja e ujit në pjesët e trupit të abdesit që në dukje ta përfshijë komplet atë. Është e mjaftueshme që të hedhësh tre grushta ujë në organin përkatës. Është e pëlqyeshme dhe jo obligim fshirja me dorë pas hedhjes së ujit e organit përpara se të thahet.
Vëlla i nderuar! Largoju vesveseve dhe ngacmimeve të shejtanit. Kërko mbrojtje nga Allahu prej tij. Dije mirë se feja është e lehtë, Allahu nuk e obligon njeriun më tepër  se mundësitë që ka. Nëse ka ndonjë vështirësi ajo shndërrohet në lehtësim,  prandaj mos i sill vetes vështirësi.
Doktor Atije Abdul Meuxhud Lashin thotë:
Fërkimi e organeve të abdesit dhe trupit gjatë guslit nuk është obligim, por ajo është sunet tek pjesa e madhe e dijetarëve, megjithëse disa (dijetarët e medh’hebit Malikij) mendojnë se ajo është obligim (farz). Por mendimi më i saktë është mendimi i pjesës më të madhe të dijetarëve, duke marrë si argument atë që është transmetuar në librin e Allahut të Lartësuar në çështjen e abdesit. Ajeti Kur’anor që ka përmendur farzet e abdesit nuk ka përmendur fërkimin prej farzeve të tij. Ky ajet është thënia e Allahut në Kur’an: “O ju të cilët keni besuar nëse çoheni për të falur namazin, lani fytyrat, duart deri në bërryla, fshini kokat dhe lani këmbët deri në nyje.” Po ashtu edhe hadithet profetike, për aq sa jemi në dijeni, nuk e kanw sqaruar dhe nuk e vënë si kusht këtë gjë, d.m.th. fërkimin e organeve të abdesit apo të tërë trupit gjatë gusulit.
Në librin “Keshful Kana’a” të medh’hebit Hanbeli citohet si më poshtë: “Plotësimi i abdesit dhe gusulit: larja e gjithë organit me ujë që uji të rrjedhë, e jo të fshihet, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Lani fytyrat”  Kjo sepse fshirja është ndryshe nga larja. Nëse një organ e fshin me ujë apo thjesht e kalon borën në organ, në këto dy raste nuk konsiderohet se ka marrë abdes apo gusul.. vetëm nëse bora është e shkrifët dhe shkrin shpejt dhe uji i saj rrjedh në organ, atëherë në këtë rast konsiderohet marrja e abdesit apo gusulit, sepse në këtë rast kemi të bëjmë me larjen e duhur.
Është e papëlqyeshme (mekruh) shpërdorimi i ujit edhe nëse merr abdes nga uji i një lumi të rrjedhshëm. Ibnu Umeri transmeton se profeti a.s. po kalonte kur pa Sa’adin që po merrte abdes. Ai tha:  ç’është ky shpërdorim? A ka shpërdorim në marrjen e abdesit- pyeti ai. Po-tha profeti a.s. edhe në qoftë se merr abdes nga uji i një lumi të rrjedhshëm.” Transmeton Ibnu Maxheh.”
Në enciklopedinë kuvajtjane te fik’hut lexojmë si më poshtë: “Dijetarët e medh’heve Hanefi, Shafi’ij dhe Hanbeli janë të mendimit se fërkimi i organeve është synet dhe jo farz, duke u bazuar në thënien profetike: “Të mjafton që të hedhësh mbi kokë tre grushta ujë pastaj të hedhësh ujë mbi trup që të pastrohesh.” Kjo është vetëm larje, e nuk është obligim fërkimi me dorë ashtu siç është obligim larja e enës kur qeni pi tek ajo.”
Allahu e di më së miri.


[1] Në marrjen e abdesit apo të gusulit (sh.pk.)
http://ardhmeriaonline.com/artikull/article/ferkimi-dhe-gjithperfshirja-e-pjeseve-te-trupit-me-uje/#.UsrGF_vzNAM

Exit mobile version