Përpjekjet e propagandistëve dhe të atyre nacionalistëve që besonin në formimin e kombit shqiptar pa vështirësi të mëdha, ranë në ujë. Shqiptarët ortodoks dhe mysliman u ndeshën përsëri në luftime gjatë luftës Osmano-Greke në vitin 1897, gjatë Luftës Ballkanike dhe po ashtu gjatë përpjekjeve për funksionimin e Shtetit Shqiptar në vitin 1914. Tentimi i formimit të Shtetit Shqiptar pas Luftës Ballkanike dhe ri-tentimi i funksionimit të tij pas Luftës së Parë Botërore, i bindi shqiptarët që problemi kryesor i shqiptarëve për formimin dhe funksionimin e shtetit të tyre ishte ndasia fetare në mes tyre. Me këtë rast, përvoja e diplomatit osman-shqiptar Vaso Pasha u dëshmua profetike, kur para disa dekadave kishte shkruar se shqiptarët duhej të qëndronin nën sovranitetin e Sulltanit, pasi që vetëm një dorë e fortë mundeshe t’i qeverisë ata të ndarë në besime të ndryshme. Ai shkruante: “Gjith ashtu Shqipëtarët e dinë se duke qenë të ndarë në tre besime dhe mësime botnuer duke qenë akoma në gjendje fillestare, nuk do të mundnin të mereshin vesh lehtas me njëri tjetrin për t’u sunduar me vehtëhe pa pasur një dorë të fortë që t’i prijë e t’i kryesoj”. Mirëpo pasi që rrethanat në Shqipëri ndryshuan dhe Sulltani nuk ishte më faktorë, shqiptarët duhej gjetur një dorë tjetër të fortë edhe ate një shqiptare. Faik Konica dhe të tjerë kishin besim tek Esat Pashë Toptani se ai mund të ishte ajo dora e fortë që i nevojitej Shqipërisë, prandaj dhe iu bashkuan atij. Edhe Kongresi i Lushnjës kur u mblodh gjatë mbajtjes së Konferencës së Paqes në Paris, u mbajt në bashkëpunim  me Esat Pashën dhe kishte për qëllim edhe shpalljen e tij Mbret i Shqipërisë. Noli për Kongresin e Lushnjës shkruante: “Esatistët të trembur u muarrë vesh me nacionalistët për Kongresin e Lushnjës me një konditë të hapur, rrëzimin e qeverisë së Durrësit dhe me një konditë të fshehur, ftimin e Esatit në Shqipëri më vonë. […] Në krye të esatistëve të Lushnjës kush ishte? Ahmet Zogolli, i cili me maskën demokrate dhe nacionale, u bë ministër i Punëve të Brenshme, i cili vuri kudo në Shqipëri përmbi Shkumbinin prefekt dhe nënprefektë esatistë, i cili iku nga Tirana në Mat , kur krisi lëvizja e dytë esatiste nën Osman Balin dhe kur u rrethua Tirana”. Mirëpo pasi Esat Pasha u vra, sytë u kthyen tek nipi i tij Ahmet Zogu, si dora e fortë që mund të vinte rend në Shqipëri. Pas Kongresit të Lushnjës shqiptarët ndoshta do të ndesheshin në luftime ndërfetare më të ashpra, mirëpo Greqia ishte e preokupuar në luftë me ushtrinë osmane, e s’mundej tu dilte zot edhe grekomanëve në Shqipëri. Noli për këtë arsye në një artikull shkruante: “Se sikur grekët të mos i kishin duart të zëna në Anadoll me Mustafa Kemalin, nuk do të na kishin lënë rahat në Korçë e në Gjirokastër,[…]”. Megjithëse ortodoksët e Shqipërisë u lanë jetim nga shteti i Greqisë, ata nuk u lanë jetim edhe nga Patriarkia e Stambollit, e cila propagandonte se gjoja shqiptarët mysliman kishin bërë pastrime etnike të grekëve në Turqi. Ata e propagandonin këtë, për shkak se parashikonin se nëse Fuqitë e Mëdha me shqiptarët mysliman do të bënin që të funksionoj Shteti Shqiptar, popullata ortodokse e Shqipërisë (greke, sipas Patriarkiës) rrezikohej të zhdukej apo të shqiptarizohej. Patriarkia e Stambollit, në librin e saj shkruante:  ”Në mars 1914, filloi persekutimi i pamëshirshëm i të krishterëve[…]  Zbatuar nga romët (giepssies) dhe shqiptarët mysliman, të cilët e detyruan popullatën greke që t’i lëshonin vendet e tyre”. Ortodoksët e Shqipërisë, të ndodhur në një situatë të pavolitshme pas dështimeve greke në fushëbetejat e Anadollit dhe pas kacafytjeve në mes monarkistëve me venizelolistët në Greqi, ata pranuan që të jetonin në Shqipëri dhe të integroheshin në shtetin e ri. Ata vendosën të integrohen edhe për shkak se nacionalizmi shqiptar nuk parashihte zhdukjen e ortodoksëve të Shqipërisë, por shqiptarizimin e tyre.  Veç asaj, ortodoksët e Shqipërisë nuk ishin të unifikuar.  Ishte një pjesë e vllahëve të cilët u pajtuan të integroheshin në Shqipëri, pasi ata parashikonin rrezikun e asimilimit të plotë të tyre nëse aneksoheshin nga Greqia. Situatën me vllahët e Shqipërisë, e shfrytëzoi qeveria e Shtetit Shqiptar për t’i integruar dhe që ata t’i përfaqësonin ortodoksët në pushtetin e Shqipërisë. Kjo nuk ishte hera e parë që një pjesë e vllahëve të Shqipërisë u integruan në Shtetin Shqiptar. Në vitin 1912 ata po ashtu morën pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe u integruan në Qeverinë e Vlorës. Integrimin e tyre e përkrahte shteti i Rumanisë, e cila përkujdesej që të mos helenizoheshin vllahët e Shqipërisë. Kjo ishte dhe arsyeja që në nëntor 1912 edhe qeveria rumune i kishte dhënë përkrahje financiare Ismail Qemalit për zbatimin e projektit të kryesuar nga ai. Prandaj në Kuvendin e Vlorës u vendos që ortodoksët e Shqipërisë të ishin të përfaqësuar me një funksion të rëndësishëm dhe vllahu Kristo Meksi u emërua kryetar i Senatit të Shqipërisë, i cili po ashtu përfaqësoi Qeverinë e Vlorës në Kongresin e Trieshtës të vitit 1913. Përfaqësimi i feve të ndryshme në pushtetin shqiptar ishte me rëndësi për legjitimimin e tij dhe për njohjen ndërkombëtare të qeverisë shqiptare.
Gjatë Luftës Ballkanike, shqiptarët katolik sikurse dhe ortodoksët e Shqipërisë u ndeshën në luftime me shqiptarët mysliman. Prandaj dhe në fillim të viteve 20 armiqësia në mes tyre ishte ende e freskët dhe pajtimi përfundimtar në mes tyre dukej i largët. Vendimi gradual dhe kolektiv i ortodoksëve të Shqipërisë për t’u integruar në Shtetin Shqiptar në fillim të viteve 20-ta, e përforcoi edhe fakti kur në vitin 1921 disa bajraktar katolik të Shqipërisë, edhe pse të mbështetur nga Serbia, dështuan në përpjekjet e tyre për tu shkëputur nga Shqipëria. Gjatë rebelimit të Mirditës, krerët e saj kishin përhapur një proklamatë e ku në mes të tjerave deklaronin se:“Serbija asht miku i jon[…]Kshtenimi i Shqypnisë don derzaven (F.D. shtetin) e lirin e vet, jose dot luftojn deri ma t’mramin pik gjakut”. Mirëpo mirditasit nuk arritën t’i realizonin qëllimet e tyre dhe rebelimi i tyre u shuajt me dhunë nga qeveria e Tiranës. Ky veprim rigoroz i qeverisë së porsaformuar shqiptare kundër tentimeve separatiste të disa shqiptarëve katolik, ishte edhe porosi ndaj ortodoksëve të Shqipërisë, që nëse edhe ata do të ndërmerrnin diçka të ngjashme, do t’i gjente fati i njëjtë. Ortodoksët e Shqipërisë, të bindur se në atë kohë aneksimi i tyre nga Greqia nuk kishte më gjasa reale, ata tentonin që të rikthenin vetëadministrimin e Vorio-Epirit; për të cilën kërkesë kishin edhe legjitimitet ndërkombëtar bazuar në  Protokollin e Korfuzit të vitit 1914. Kërkesa e vazhdueshme e ortodoksëve të Shqipërisë për autonomi ishte dhe arsyeja që ata nuk morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, që u mbajtën në vitin 1922. Me bojkotimin e zgjedhjeve nga ana e ortodoksëve, kuptohet që parlamentit i mungonte legjitimiteti i plotë. Në ndërkohë Anglia e dha kontributin e vetë që të bindte Greqinë që t’i linte mënjanë armiqësitë me Shqipërinë pasi rrezikohej hapja e një fronti tjetër nga Shqipëria kundër Greqisë për interesat edhe të Turqisë. Pasi ortodoksët hoqën dorë nga autonomia e Vorio-Epirit, ata morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 1923. Megjithatë, integrimi i tyre i vërtetë në pushtetin e Shqipërisë filloi kur në fillim të vitit 1925 kryeministër i Shqipërisë u zgjodh vllahu Koço Kota. Me zgjedhjen e tij për kryeministër, u formua një balancë në pushtetin e Shqipërisë edhe pse me këtë rast ortodoksët e Shqipërisë i përfaqësonte një vlleh. Noli si disident kishte dilema nga kjo aleancë myslimane-vllahe në pushtetin e Shqipërisë, prandaj dhe shkruante: ”Vatani a është i prishur apo i shpëtuar? Nofta është edhe i prishur edhe i shpëtuar. Se nga njëra anë e prish kucovllahu (F.D. vllahu)  Koço Kota dhe nga tjetra anë e shpëton Selemboza (F.D. Ahmet Zogu),[…].” Nolit me këtë rast i kujtohej këshilla e Sami Frashërit kur kishte shkruar: “Janë ca Vlleh që duanë të tregojnë n’Evropë që Vllehtë janë mendja e Shqipëtarëtë trupi, që Shqipëtarëtë duhet të lëftojn e të vritenë e Vllehtë të qeverisinë e të gjykojnë.[…] Prandaj edhe Vllehët nukë duhetë t’u besojmë aqë teprë,[…]”. Nolit shumë mirë i kujtohej ky citat i Samiut, pasi librin e tij në greqisht e kishte përkthyer vetë ai dhe prandaj sikurse Samiu më herët edhe Noli tani me të drejtë brengosej për vatanin. Mirëpo dyshimet e Nolit rezultuan të pabaza pasi që dalëngadalë u integruan edhe grekomanët në pushtetin e Shqipërisë dhe e morën pjesën që u takonte. Me kyçjen e tyre në pushtet ata u kthyen gradualisht prej grekomanëve të flaktë në patriot shqiptarë. Rast i tillë ishte Pandeli Evangjeli i cili u zgjodh kryetar i Parlamentit dhe më vonë edhe Kryeministër. Faik Konica në një raport të mëhershëm të tij të dërguar në Vjenë shkruante si vijon: “Evangjeli Pandeli, me origjinë nga Korça, banon në Bukuresht; mjaft i shkathët, i shkon shumë fjala te shqiptarët e Bukureshtit. Grekoman i flakët, por dhe Rusinë e simpatizon njësoj. I vetmi qëllim i tij është ortodoksia.” Mirëpo për shkak të rrethanave të reja të krijuara, këta grekoman të flaktë siç i quante Konica, e lanë anash doktrinën e tyre të ortodoksisë dhe simpatinë ndaj Rusisë pasi dhe Rusia gjendej në luftë qytetare përderisa Greqia ishte e traumatizuar nga humbja e luftës me Turqinë. Pasi këta grekoman u integruan vetë në pushtetin shqiptar, ata ia kthyen shpinën edhe Patrirarkisë së Stambollit dhe tani kujdeseshin për shqiptarizimin e ortodoksëve nëpërmjet Kishës Autoqefale Shqiptare dhe shkollave në shqip. Visarion Xhuvani i cili do të kryesonte Kishën Ortodokse Shqiptare ishte nip i Pandeli Evangjelit. Në një mbledhje të parlamentit, përderisa Visarion Xhuvani ishte deputet, ai kërkonte ndihmë financiare për shqiptarizimin e ortodoksëve nëpërmjet kishës, e që sipas tij ai veprim ishte interes kombëtar. Ai në mes tjerave thoshte: “Kështu edhe nji herë ky Parlament t’i marri parasysh gjithë nevojat dhe gjendjen delikate të Kishës Autoqefale Kombëtare dhe të mos kursejë nje dhuratë të vogël që ka me prumun njisimin dhe shqiptarizimin e ortodoksëve, punë që ka aq vlerë për interesimin ma të naltë të shtetit në kohën e ardhme, sa nuk mund ta shpjegoj me kohën e pakët që kemi”. Kërkesa e tij u pranua dhe u ndanë mjetet financiare për atë mision.
Në periudhën pasi u stabilizua Shteti Shqiptar, bëhej propagandë shtetërore se shqiptarët duhej t’i tejkalonin ndasitë fetare pasi ata tani ishin vetëm shqiptarë dhe nuk kishin më asnjë dallim. Propaganda zyrtare e shtetit thoshte që shqiptari tani e tutje fe dhe besë e ka kombin dhe atdheun. Për qëllime propagandistike edhe Kristaq Floqi kishte shkruar një dramë, tematika e së cilës prekte një çështje delikate për sa i përket traditës familjare të shqiptarëve. Floqin e preokuponte mungesa e martesave me fe të ndryshme në mes shqiptarëve dhe sfidat që mund t’i sillte kjo dukuri për formimin e kombit. Floqi, që ishte vetë ortodoks, e kishte shkruar dramën në vitin 1914, e që sipas autorit ajo ishte e para dramë shqipe me tematikë kombëtare. Në atë dramë, autori bënte fjalë për një ortodokse me emrin Morrua dhe për një mysliman me emrin Gani, të cilët u martuan edhe pse i takonin feve të ndryshme. Kjo dramë më vonë luhej nëpër teatro të improvizuara te shkollat e Shqipërisë, me ç’rast stimulohej martesa ndërfetare në mes shqiptarëve. Ja disa pjesë të dramës: Ganiu: “[…] Je kaq e bukur, si një yll, të dua kaq sa më s’tregohet.[…] Morrua: Ah, o Gani sa shumë shpejt harron se ngjanë të këqia,/ Është mëkat kjo dashuri, këtë s’e do as Perendia,/ Ganiu: E pse. O Marro, bënj mëkat unë i gjori që të dua, Aherë Zoti pse më dha këtë fuqi të shpirtit mua? […] Marrua: […] po fe e din s’lipset as fare të kujtojmë? Ganiu: Të thashë, Marro, fe e din s’kanë asgjë me dashurinë,[…]Para se të kemi fe e din, si sot që ndodhemi të ndarë,/ Një fe na lithte gjithë tok, embri që ishim Shqipëtarë, […] Kush nuk i njeh këto që them, kush s’ep të madhe rëndësirë,/ S’është përveç se fanatik, njeri i dëmshim egërsirë! /Si mjerë ay i zi që s’njeh vehten e ti e kombësinë,/ Është fatzi, është i lik, ay s’beson as Perëndinë! Marrua: Të keqen unë, o Gani, sa bukur flet edhe sa mirë,/ Të lumt goja që po derth mjaltë, sheqer e ëmbëlsirë,/ Tani të njoh me të vërtet, se shoh një burr, trim të rallë,/ T’a njoha zëmbrën, o Gani, haj të të puth në ball.” Pasi Marrua i tregon nënës së vetë për vendimin e martesës me Ganiun, nëna i thotë asaj: “S’menton as fare që ai ëshë Turk e ti Kaurkë, moj e ngratë,/ Si t’a pret mëndja, që të dy të rroni tok? Pika të rëntë!” dhe Marroja i përgjigjet nënës së vete: “Na kanë ritur kësisioj në fanatisëmë, në pa dije,/ Njërinë Turk, tjetrin Kaur, gjëra që s’kanë fare hije,[…]Leri me nj’anë këto ment s’janë për shekullin që rrojm,[…].”
Përkundër propagandës që bëhej në favor të martesave të përziera ndërfetare në mes shqiptarëve,  popullata e vazhdonte traditën që kishte. Se sa të papranueshme  ishin martesat ndërfetare në mes shqiptarëve mund ta kuptojmë nga një rast që na e përshkruan Faik Konica. Ai në një shkrim të tij drejtuar shoqatës Vatra në ShBA, i qortonte ata se pse kishin organizuar vrasjen e një greku që ishte martuar me një shqiptare myslimane. Çifti nga Shqipëria për të shpëtuar nga persekutimet e familjarëve të tyre ishte arratisur në ShBA. Ata ishin arratisur duke shpresuar në fillimin e një jete të re, mirëpo, anëtarët e Vatrës këtë martesë e kishin pranuar si një provokim dhe prandaj e kishin vrarë grekun. Pas këtyre ngjarjeve me siguri që edhe nacionalizmi romantik i Kristaq Floqit (i cili së bashku me Faik Konicën ishin bashkëthemelues të Vatrës) u zbeh dhe prandaj në një libër tjetër ai shkruante: “Ah, sa mjerime na pruri kjo përçarja jonë në dy fe të ndryshme!”
 
Me shpalljen e Shqipërisë monarki u soll edhe kushtetuta e Shqipërisë. Përderisa Kushtetuta e  Perandorisë Osmane e vitit 1908 Islamin e definonte si religjion shtetëror dhe ai ishte burim i së drejtës, Kushtetuta e Shqipërisë e vitit 1928 Shqipërinë e shpalli shtet laik dhe në te nuk përmendej as Islami e as Krishterimi. Klasa e re politike shqiptare erdhi në përfundimin se për të qenë shqiptar duhej të ishe shekullar apo laik. Kuptohet që popullata e Shqipërisë nuk ishte e përgatitur për këtë ndryshim rrënjësor për më pak se 20 vite distancë. Me këtë rast dispozitat ligjore miratoheshin nga parlamenti duke e pasur si burimi kushtetutën laike të Shqipërisë edhe pse ato ligje i adresoheshin popullatës së saj besimtare. Kjo situatë e re solli në një paradoks e cila konsistonte në lindjen e një shteti laik në mesin e një popullate besimtare. Kjo situatë e re solli edhe në  humbjen e realitetit në mes gjendjes faktike në terren dhe klasës politike, e cila i miratonte ligjet për popullatën që përfaqësonte, por pa mos u brengosur për mentalitetin e asaj popullate dhe për gatishmërinë e tyre për t’i përqafuar ata ndryshime. Humbja e besimit të popullatës tek klasa sunduese politike u reflektua edhe në funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri, pasi për zbatimin e ligjeve nuk mjafton vetëm parashikimi i sanksionit nëse dispozita ligjore nuk zbatohet, por nevojitet që ligjet t’i përshtaten popullatës së cilës i adresohen. Megjithatë Shteti Shqiptar hyri në një stabilitet politik pas stabilitetit të sigurisë në periudhën e diktaturës së Zogut. Nuk ka dyshim që për stabilitetin politik ndikoi edhe përvoja e klasës politike të Shqipërisë që kishin fituar si funksionar në Perandorinë Osmane. Disa prej tyre kishin studiuar në universitetin prestigjioz për administratë publike në Stamboll dhe jo vetëm që ishin pajisur me dije për administrimin e shtetit por ata po ashtu e kishin përjetuar funksionimin e parlamentit dhe qeverisë së Perandorisë Osmane në një përbërje shumetnike dhe shumfetare. Në parlamentin e Perandorisë Osmane merrnin pjesë edhe shqiptarët në përbërje të partive politike, përderisa në qeverinë e saj kishte edhe ministra të krishterë që përfaqësonin grekët dhe armenët. Mënyra e suksesshme e funksionimit politik të Perandorisë Osmane, e bindi klasën politike të Shqipërisë, se për funksionimin politik të  Shqipërisë do të duhej të vazhdonin traditën politike të njëjtë. Prandaj dhe ata i kishin të gatshme modalitetet e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe përbërjes shumkonfesionale të parlamentit dhe qeverisë, por vetëm duhej që t’i zbatonin ato komfor rrethanave të reja në Shqipëri. Pra në vitet e para të funksionimit të Shtetit Shqiptarë, bashkëjetesa fetare në mes të shqiptarëve, edhe pse e brishtë por funksionale, nuk ishte rezultat i “rilindasve”, por ishte vazhdimësi e traditës së sistemit politik osman. Në Perandorin Osmane shqiptarët mysliman i  përfaqësonte Kalifi-Sulltani, ortodoksët Patriarku në Stamboll, përderisa katolikët shqiptar ishin nën protektorat kulturor të Perandorisë së Austrisë (Austro-Hungarisë) si perandori katolike. Ky organizim institucional fetar iu mundësoi shqiptarëve që për disa shekuj të kishin një jetë më të qetë nga konfliktet fetare në mes tyre. Ky organizim dhe sistem politik tolerant, që për atë kohë u tregua i suksesshëm, funksionoi deri sa nuk ndërhyn Fuqitë e Mëdha për ta prishur ate. Me shuarjen e fuqisë politike të Perandorisë Osmane erdhi edhe zvogëlimi i ndikimit fetar të Kalifatit dhe si pasoj erdhi dhe shuarja përfundimtare e Kalifatit Islam në vitin 1924. Në po të njëjtën kohë, hyri në binaret e veta edhe funksionimi gradual i mëvetësishëm i Shtetit Shqiptar. Popullata shqiptare myslimane e Shqipërisë, në prag të shuarjes së Kalifatit, e formoi Komitetin Mysliman të Shqipërisë. Në anën tjetër, popullata katolike shqiptare e humbi proteksionin kulturor që e kishte prej Perandorisë së Austro-Hungarisë pasi edhe ate perandori e gjeti fati i Perandorisë Osmane. Katolikët shqiptarë mbetën vetëm nën ndikimin e Vatikanit, fuqia politike e së cilës ishte zvogëluar në masë të madhe. Popullata ortodokse e Shqipërisë u vu nën ndikimin politik-fetar të Kishës Autoqefale Shqiptare, kishë kjo që u shkëput nga Patriarkia e Stambollit dhe funksiononte pa bekimin e saj. Me ndërmarrjen e këtyre veprimeve, çështjet fetare të shqiptarëve hyrën përfundimisht nën ombrellën e shtetit laik shqiptar. Pasi shteti i kishte nën ombrellën e saj kishat dhe xhamiat dhe më vonë ushtrinë edhe shkollat, ai i shfrytëzoi këta institucione për përhapjen e nacionalizmit shqiptar dhe për rritjen e luajalitetit ndaj shtetit. Luajalitetit ndaj flamurit kuq e zi e jo  ndaj simboleve fetare si gjysmëhëna apo kryqi; ndaj Mbretit të shqiptarëve e jo ndaj Sulltanit; ndaj kombit shqiptar e jo ndaj komunitetit (miletit) fetar apo fisit; ndaj kushtetutës e jo ndaj Kuranit apo Biblës; ndaj ligjeve e jo ndaj sheriatit apo kanuneve kishtare; ndaj gjuhës shqipe e jo ndaj turqishtes apo greqishtes; ndaj plisit e jo ndaj fesit; ndaj alafrangës e jo ndaj alaturkës etj.
Në atë periudhë disa intelektual mysliman shqiptarë i pranuan idetë liberale dhe disa të tjerë edhe ato socialdemokrate nga Perëndimi dhe prandaj pretendonin që të gjenin formë që ato ide t’i zbatonin edhe në Shqipëri. Mirëpo nuk ka dyshim që shumica e tyre u ndikuan nga reformat e Mustafa Qemalit në Republikën e Turqisë. Sikur që na dëshmon edhe një shkrim gazetaresk në atë kohë nga intelektuali Branko Merxhani:”Turqia e sotme mundi të bëjë mrekullira, me qenë se pati forcën që të dërmojë çdo përpjekje reaksionare. Turqia e sotme provoi, në mënyrë më të shkëlqyer, se edhe një Shtet Musulman mundet fare bukur të lartësohet në sheshin e qytetërimit evropjan. Arrin, po të dojë!”
Prandaj edhe në Shqipëri ndiqej një politik skajsishtë shekullare, duke tentuar apo shpresuar në afrimin e shqiptarëve të Shqipërisë dhe tejkalimin e dallimeve të tyre fetare. Pasi që Turqia e inkorporoi të plotë kodin civil zviceran në rendin juridik të saj, po ashtu  edhe Shqipëria e inkorporoi ate të kombinuar me kodin civil francez. Me këtë veprim, brenda natës në Shqipëri u zëvendësua e drejta e sheriatit apo kanunet kishtare, që kishin një traditë disa shekullorë në zgjedhjen e kontesteve civile, me dispozita ligjore që ishin krejt të panjohura për shumicën e shqiptarëve. Reformat që ndërmerreshin si në Turqi po ashtu në Shqipëri nuk reflektoheshin njëjtë në popullatën e tyre. Kjo pasi nacionalizmi turk e kishte për bazë Islamin dhe kombi turk u formua pas bashkimit të popujve osman-mysliman: turq, kurdë, shqiptarë, çerkez, laz, pomak etj. Prandaj dhe laicizmi i Turqisë nuk përfaqësonte rrezik për identitetin mysliman të popullatës së Turqisë, përderisa shekullarizimi i Shqipërisë  dhe nacionalizmi i saj prekte direkt identitetin fetar të popullatës së Shqipërisë. Këtë politik afetare të Shqipërisë e gjykonin shumica e hoxhallarëve dhe prandaj qysh në vitin 1924  Hafiz Ali Korça nëpërmjet vargjeve i paralajmëronte deputetët për rrezikun që mund të sillte kjo politik :
Këta nuk njohin të parë as fe nuk duan të lënë,
[…] Këto bij e këto bija fare do një faj nuk kanë,
Prindët s’u interesuan ndjenja feje nuk i u dhanë,
Më qaf i paçin të parët një trumbë nga afetarët,
E hoqën nga shkollat fenë foshnjat n’errsir i lanë.
Këto i qitën Çifutët kundra Isajt, Muhammedit,
Karli (F.D. Marksi) Çifut i mallkuar shkaktar i kiametit,
Turbëlloj botën e tërë me një program që ka ngrehun,
Ja kjo ëndër do t’i bëjë dëmin e math këti Shteti.
Hafiz Ali Korça edhe pse vetë ishte nacionalist, ai i urrente mendimet se largimi prej fesë do të ndihmonte formimin e kombit dhe i kritikonte intelektualët që përfaqësonin atë frymë dhe që talleshin me fenë: “U bë modë pabesia/ shihen ca nga vogjëlia/ faqe-zinj u bënë tallen/ me ato njerëz që falen/ s’mentojn, as derde as halle/ por veç kënga e valle!/ janë bërë shok me dreqin/ njëri tjatrin po tërheqin!/ Le palë ca mendjele-fellë/ hiqen intelektualë!/ gjoja flasin me logjik/ marin vesh kimi, fizik/ tregohen si liberal/ nga feja s’dinë një fjalë/[…] çkrepëtinjë si rrufeja/ përpiqen të çduket feja/ Janë njerëz të paguar/ nga dreqi janë dërguar.”
 
Me okupimin e Shqipërisë nga Italia, rezistenca shqiptare thuajse ishte joekzistente. Katolikët shqiptarë e mirëpritën intervenimin italian, përderisa shumica e pushtetarëve mysliman nuk u trazuan pasi që ata vazhduan t’i mbanin të pacenuara privilegjet e tyre.  Të tjerët që shprehën revoltën nëpërmjet protestave u arrestuan dhe u dënuan. Sulmi i Italisë kundër Greqisë prej territorit të Shqipërisë, si dhe pasi që qeveria kolaboracioniste shqiptare i shpalli luftë Greqisë, i irritoi ortodoksët e Shqipërisë, të cilët vazhdonin t’i mbanin simpatitë e tyre për Greqinë. Pas sulmit të Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik u krijuan kushtet për themelimin e partisë komuniste në Shqipëri dhe përgatitjen e tyre për një rezistencë të armatosur. Në këtë rast, pasi ortodoksia ndodhej në rrezik, u zgjuan qelitë e fshehta pan-sllaviste në Shqipëri, ashtu sikur që kishte shkruar Faik Konica para katër dekadave: “Shoqërit pravosllavnike të Rusisë kanë në Shqipërië të pakën tri degë të mpsheta, qi ndodhen njëra në Shkodrë, tiara në Shkup, e treta në Monastir, përveç shumë piestarëve të përhapur kudo në Shqipërië.” Prandaj dhe me vendim të Kominternës së Rusisë menjëherë arritën në Shqipëri agjentët serb dhe filluan t’i organizonin grupet komuniste në Shqipëri, e që ishin kryesisht ortodoksë. Mirëpo agjentët serb ishin të vetëdijshëm se lufta e armatosur nuk do të ishte efektive nëse Partinë Komuniste të Shqipërisë e përbënin vetëm ortodoksët. Prandaj ata i integruan në parti edhe disa bektashi për të treguar se dhe myslimanët ishin të përfaqësuar, ashtu sikur më herët shqiptarët mysliman që i kishin integruar vllahët për të dëshmuar se dhe ortodoksët e Shqipërisë ishin të përfaqësuar në qeverinë shqiptare.
Historiani dhe njëri nga krerët e Ballit Kombëtar Abas Ermenji, në një libër për historinë shqiptare i shpjegonte faktorët e formimit të Partisë Komuniste në Shqipëri dhe shkruante: “Kështu një pjesë e mirë e klerit mysliman, sidomos dervisha e shehlerë,dhe pothuajse i tërë kleri orthodoks u bënë komunistë. Por ajo që pati rëndësi vendimtare në marrjen e fuqisë prej komunistëvet ishte qëndrimi i popullsisë orthodokse, e cila përgjithësisht përfaqoi komunizmin. […] Por kishte tre shkaqe psikologjikë: e para, ata që kishin qënë dikur grekomanë nuk mund të merrnin ndjenja të flakta shqiptare gjatë njëzet vjetëve, prandaj në komunizmin gjenin diçka asnjanëse, as shqiptare as greke; e dyta, në pavetëdijën e tërë komunitetit (edhe tek ata që kishin qënë atdhetarë të mirë) mbizotëronte një ndjenjë e vjetër kundrejt Myslimanëvet (ndjenja e natyrshme e pakicës kundrejt shumicës), […].”Ai po ashtu i shpjegonte edhe arsyet se pse sipas tij triumfoi komunizmi në Shqipëri: “Kështu me të hollat që vuri në shërbim të komunizmit borgjezia orthodokse, e cila ishte ndoshta m’e pasura në Shqipëri, dhe me kuadrat që i dha partisë komuniste elementi orthodoks (si propagandë, organizim, ndërlidhje, celulistë, komisarë politikë e shërbime të ndryshme), i cili ishte elementi m’i mësuar e m’i disiplinuar, partia komuniste u bë një forcë e patundshme dhe këtu qëndron arësyeja kryesore e triumfit të saj.” Kuptohet që pasi komunistët e morën pushtetin në Shqipëri, pushteti i vërtet ishte tek ortodoksët e Shqipërisë. Mirëpo edhe pse ata e kishin pushtetin, ky fakt nuk ishte i njohur jashtë, për shkak dhe të propagandës helene, prandaj Abas Ermenji shkruante: “Propaganda helenike kishte krijuar legjendën se Orthodoksit shqiptarë ishin të shtypur prej Myslimanëvet, se Shqipëria ishte një parajsë për Myslimanët dhe një ferr për Orthodoksit. […] kurse në të vërtetën pjesa m’e madhe e aparatit të partisë komuniste, në Shqipëri, është në duart e orthodoksvet.”
Me ngadhënjimin e komunistëve shqiptarë në luftën civile në Shqipëri, ata i përforcuan lidhjet me komunizmin pan-sllavist. Qeveria e re e Shqipërisë i dha titujt më të lart shtetëror Titos dhe negociohej për mundësin e aneksimit të Shqipërisë nga Jugosllavia. Rusia përfundimisht e ndërtoi bazën për flotën detare të saj në Detin Adriatik dhe e siguroi zgjerimin e ndikimit të saj në Mesdhe. Qeveria komuniste shqiptare me këtë rast e harroi Luftën e Krimesë, Luftën Osmane-Ruse dhe Luftën Ballkanike, e me ç’rast shqiptarët-osmanli kishin luftuar për t’i parandaluar pretendimet ruse. Gjaku i derdhur i shqiptarëve gjatë dy shekujve që të ndërprisnin depërtimin e Rusisë në Mesdhe u bë ujë pasi që flota detare ruse u stacionua pikërisht në bregdetin e Shqipërisë. Komunistët për ta thelluar miqësinë me sllavët, i ndaluan librat me përmbajtja që konsideroheshin të dëmshme për marrëdhëniet e reja me sllavët, ashtu siç e dëshmonte edhe Ismail Kadare në një një polemikë me intelektualët serb. Kadareja shkruante: “[…] poetin reaksionar dhe shoven Gjergj Fishtën. Dhe ishte pikërisht antiserbomalazez shovinizmi i tij. Por ç’bëri kultura shqiptare me këtë poet? Ajo e quajti atë përherë mish të huaj të saj dhe më 1944 Shqipëria e re e ndaloi veprën e tij.[…] asnjëherë kultura jonë nuk thirri shovinizmin antiserb të Gjergj Fishtës dhe as ka ndërmend ta thërrasë kurrë atë.” Përderisa letërsia shoviniste antiturke jo vetëm që nuk u ndalua por ajo lulëzoi gjatë periudhës komuniste dhe u thellua edhe në atë islamofobe. Megjithatë pas një periudhe Shqipëria i prishi marrëdhëniet me komunistët sllav dhe u lidh me komunistët e Lindjes së Largët (Kinës, Vietnamit dhe Koresë Veriore). Pas ndryshimit të kursit diplomatik të Shqipërisë, disa ortodoks  përfunduan në burgje, dhe ata sot konsiderohen si kundërshtar të regjimit komunist, por në fakt, ata ishin pro-jugosllav apo pro-rus, e që u hidhëruan me regjimin komunist të Tiranës kur i prishi marrëdhëniet me sllavët.
Të frymëzuar nga revolucioni kulturor kinez dhe duke dashur të dëshmojnë luajalitetin kinez të qeverisë shqiptare, regjimi komunist i Tiranës e ndaloi ushtrimin e feve në Shqipëri, njëjtë sikur u ndalua në Kinë. Pas ndalimit të fesë në Shqipëri, komisarët komunist luanin edhe rolin e klerikut. Ata tani jepnin direktivat se si duhej të bëhej dasma, si duhej bërë ceremonia për të vdekurin apo për fëmijën e lindur, si duhej të vishej burri dhe si gruaja etj. Me ndalimin e feve ata u deshtë që të ndalonin edhe shumicën e traditave shqiptare, pasi që ato tradita kishin burim fetar. Në Shqipëri nuk dëgjohej më ezani apo kambana dhe u ndalua leximi i Kuranit dhe Biblës. Nëpërmjet filmave artistik, dramave në teatër, këngëve, letërsisë, shtypit etj. propagandohej për konvertim kulturor të shqiptarëve. Të vdekurit mysliman dhe ata të krishterë tani varroseshin në varreza të përbashkëta dhe në gurin mbi varr ndalohej që epitafi të përmbante citime nga Kurani apo Bibla. Po ashtu ndalohej të shënohej simboli i gjysmëhënës apo i kryqit në gurin mbi varr, përderisa në vend të tyre preferohej të qëndroj ylli i kuq si simbol i komunizmit dhe i ateizmit. Myslimanët jo që nuk guxonin të refuzonin ngrënien e mishit të derrit për arsye fetare, por ata përkujdeseshin edhe për rritjen e derrave në kooperativa blegtorale. Myslimanët nuk guxonin të refuzonin ngrënien apo pirjen për shkak se agjëronin apo të refuzonin pirjen e alkoolit për shkaqe fetare. U ndalua synetimi i fëmijëve mysliman dhe pagëzimi i fëmijëve të krishterë. Besimtarët mysliman nuk mblidheshin më për mevlude ku kujtohej jeta e profetit Muhamed, por mblidheshin për mbajtjen e mbledhjeve partiake e ku debatohej për “luftën” heroike të diktatorit; apo ata nuk mblidheshin për lexim të Kuranit, por mblidheshin të debatonin për veprat e diktatorit. Myslimanët nuk uleshin më pranë sofrës për ta çelur iftarin me një gotë ujë, por uleshin pranë tavolinës duke e çelur shishen me verë. Përderisa pas formimit të Shqipërisë Kristo Floqi me dramën e tij propagandonte për martesa të përziera, e pas tij gjatë kohës së Zogut Haki Stërmilli me romanin e tij “Sikur të isha djalë” propagandonte për padëgjueshmërinë e të rinjve ndaj prindërve kur zgjidhnin partnerin e jetës, në komunizëm martesat ndërfetare nxiteshin nga pushteti. Kështu ndodhte që një vlleh të martohej me një shqiptare bektashiane, e që si rezultat lindte një identitet shumë i veçantë në Shqipëri, e që pastaj fëmijët e tyre ishin apo janë ende në kërkim të identitetit të tyre. Emrat e fëmijëve të shqiptarëve preferohej që mos të kishin bazë prej Kuranit, historisë islame apo prej Biblës. Për këtë qëllim në kohën e komunizmit u botua edhe libër i veçantë që përmbante listën e emrave për pagëzimin e të porsalindurve në Shqipëri. Ai libër u hartua nga një komision prej katër vetave, pas konsultimeve paraprake me disa institute dhe organe shtetërore, si dhe pas konsultimeve edhe me filologun Eqrem Çabej. Në hyrje të atij libri shkruanin:”Në të dyja grupet e emrave, -vendës e të huaj,-është krijuar një numër jo i vogël emrash të papërshtatshëm për kohën e për ideologjinë tonë, të cilët dalin e duhet të dalin prej përdorimit.[…]Për t’i zëvendësuar këto emra të papërshtatshëm për kohën tonë është e domosdoshme që të vihet në qarkullim në një mënyrë sa më të gjerë një fond emrash me tipare të shëndosha kombëtare, ideologjike e politike dhe me një ndërtim gjuhësor të drejtë.” Nga citati i lartpërmendur kuptojmë që pushteti komunist i ndante shqiptarët në ato me emra të përshtatshme dhe në ato me emra të papërshtatshme; fenomen ky që ka  pasoja deri në ditët e sotme tek shqiptarët. Është karakteristike që edhe vetë krerët e Shqipërisë  mbanin emra që kishin të bënin me historinë islame dhe osmane dhe ata tentonin që edhe emrat e tyre mos të ekzistonin te gjeneratat e ardhshme. Enver Hoxha, që kishte lindur menjëherë pas revolucionit xhonturk, u pagëzua me emrin e heroit të revolucionit Enver Bej, përderisa kryeministri i cili e kishte pasur babanë e tij pjesëmarrës në rebelimin pro-osman të vitit 1914, ishte pagëzuar me emrin e profetit Muhamed (Mehmet) apo të Sulltan Mehmetit, i cili Sulltan e pushtoi Konstantinopojën dhe e çliroi Shqipërinë Veriore nga Venediku. Emrat e tyre për habi ishin jashtë listës së emrave të përshtatshëm.
Pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik, Ballkani hyri nën ombrellën e Perëndimit dhe u rrënua regjimi komunist në Shqipëri. Rrënimin e komunizmit në Shqipëri e përshpejtoi edhe lëvizja studentore apo revolucioni i pakryer i lëvizjes studentore. Në Shqipëri, partia komuniste (e punës) mbijetoi pasi ata në kohën e duhur u transformuan në parti socialiste dhe vazhduan të mbajnë pushtetin, por kësaj radhe duke u vënë në shërbim të interesave të perëndimorëve, ashtu  sikurse edhe partia tjetër demokratike.
 
Konkluzion
Rruga e gjatë për konvertimin e shqiptarëve dhe propaganda që bëhej për arritjen e këtij qëllimi solli gradualisht ateizmin në Shqipëri. Kuptohet që ateizmi në Shqipëri e dëmtoi më së shumti identitetin mysliman shqiptar për faktin e thjesht se myslimanët përbëjnë afër 80% të popullatës së Shqipërisë. Dëmi për shqiptarët mysliman ishte më i madh pasi që ajo kulturë ateiste u eksportua tek shqiptarët e Jugosllavisë, të cilët thuajse të gjithë janë mysliman. Shqiptarët e Jugosllavisë, duke mos pasur institutet e veta të mirëfillta, i pranuan të gatshme librat historike dhe letërsinë real-socialiste të Shqipërisë. Komunistët e Shqipërisë, nëpërmjet librave të historisë dhe letërsisë arritën që të përhapin tek shqiptarët në Jugosllavi një nacionalizëm pa din e pa iman. Shumë hoxhallarë shqiptarë në Jugosllavi, duke e parë rrezikun  e atij nacionalizmi të importuar, e që përveç se përmbante elemente ateiste ai në thelb ishte islamofob dhe turkofob, reaguan me kohë duke u bërë thirrje besimtarëve që mos t’i dërgonin fëmijët e tyre në shkolla apo të kenë kujdes nëse i dërgonin, se në të kundërtën djemtë dhe vajzat e tyre rrezikonin që të bëheshin kaur apo shkina. Edhe pse thirrjet e hoxhallarëve nuk u morën me seriozitetin e duhur,  besimtarët u bindën vetë pasi dy apo tre dekada më vonë filluan të vinin zërat e parë nga disa intelektualë të Shqipërisë dhe thirrjet e tyre për krishterim masiv të shqiptarëve mysliman me qëllim që të mund të integrohemi si një komb në Bashkimin Evropian.
Kjo frymë e imponimit të kulturës së huaj tek shumica e shqiptarëve vazhdon ende dhe sot por me mjete më të sofistikuara dhe me ndihmën e masmediave. Nëse sot i analizojmë shkrimet e opinionbërësve shqiptarë me ndikim, ata shqiptarët e Maqedonisë i konsiderojnë fanatik fetar që duhet tek të shqiptarizohen. Të bindur se kanë arritur me sukses konvertimin kulturor  në Shqipëri, por dhe pjesërisht në Kosovë, ata kanë vështirësi të kuptojnë se pse nuk kanë sukses edhe tek shqiptarët në Maqedoni. Prandaj dhe në kohë të fundit propaganda e tyre është intensifikuar kundër Islamit në Maqedoni. Ne sot i kemi të freskëta momentet kur një vlleh i Shqipërisë i krahasoi publikisht minaret e xhamive shqiptare në Maqedoni si raketa të shkatërrimit në masë dhe ai vazhdon të çmohet nga mediumet “shqiptare” si intelektual i madh; apo kur një vlleh tjetër për t’i mbrojtur interesat pan-ortodokse brengoset për “rrezikun” e përqafimit të neo-osmanizmit nga shqiptarët e Maqedonisë; apo për brengosjen e të gjithëve atyre islamofobëve shqiptarë për faktin se mbijetesa e identitetit shqiptar mysliman në Maqedoni mund të reflektohet në të ardhmen te ata shqiptarë mysliman që e kanë humbur identitetin e tyre dhe që sot pyesin veten se kush janë. Në ndërkohë, përderisa disa pyesin veten se kush janë, ne shqiptarët e Maqedonisë  pyesim se pse Shqipëria injoron pozitën tonë diskriminuese në Maqedoni dhe pse e gjithë ajo propagandë negative prej Shqipërie për identitetin tonë mysliman? Analizat në këtë punim na japin disa përgjigje për pyetjet tona dhe prandaj me keqardhje mund të thuhet se ne nuk mund të presim që kjo Shqipëri të përpiqet për të drejtat tona. Kjo pasi që një pjesë e madhe e elitës politike, ekonomike dhe akademike të Shqipërisë, në shumë raste, për më të afërt i konsiderojnë ortodoksët grek dhe sllav se sa neve shqiptarëve mysliman të Maqedonisë; dhe prandaj është naive nga ana jonë që të shpresojmë në një intervenim të tyre për mbrojtjen e interesave tona. Injorimi i Shqipërisë për pozitën tonë, ashtu sikur që është dëshmuar deri më sot, është edhe një nga arsyet që ne shqiptarët e Maqedonisë kemi mbetur populli i fundit i okupuar në Evropë. Për arsyet e diskriminimit tonë dhe për qëndrimin pasiv të Shqipërisë, shumë më herët na e kishte qartësuar tetovari Mehmet Gega kur shkruante: “Ne shqiptarët vuajmë prej dy shkaqeve aktuale: së pari pse jemi shqiptarë autokton dhe e dyta se shumica jemi të fesë islame. Për këtë shkak ndaj neve merren represalie, terror dhe masa më barbare […] Derisa India në Azi dhe Egjipti në Afrikë angazhoheshin për tu ndihmuar popujve të robëruar që të lirohen nga kthetrat kolonialiste, Qeveria shqiptare edhe pse këtu afër dhe mbi të gjitha e jona, për ne nuk u angazhua fare.”  Mehmet Gega këtë e thoshte para më shumë se gjysmë shekulli dhe pasi sot konstatojmë që situata nuk ka ndryshuar aspak, kjo nënkupton që ne shqiptarët e Maqedonisë kemi qasje të gabuar për zgjidhjen e halleve tona. Prandaj nëse ne duam që të çlirohemi nga diskriminimi njëshekullor, ne do të duhet që të heqim shpresën nga kjo Shqipëri dhe tu kthehemi rrënjëve tona apo identitetit tonë shqiptar-osman dhe islam.
Në ndërkohë, nëse rrethanat në Shqipëri ndryshojnë, dëshmohet që ajo kujdeset për ne siç parashikon edhe kushtetuta e saj dhe respekton identitetin tonë, atëherë le të jetë ky shekulli i fundit një episod i errët në memorien e një populli të përvuajtur dhe le të filloj epoka e re e respektit reciprok.
Bibliografia
Abas Ermenji Vendi që zë Skëndërbeu në historinë e Shqipërisë Romë 1968.
Ecumenical Patriarchate Persecution of the Greeks in Turkey, 1914-1918 Constantinaple 1919.
Faik Konica Kombi Shqipëtar po zgjohet Shkup 2007.
Fan Noli Vepra 3 Tiranë 1988.
Fan Noli Vepra 5 Tiranë 1988.
Fjalor me emra njerëzish Tiranë 1982
Hafiz Ali Korça Shtat ëndrat e Shqipërisë Shkup 2006.
Hafiz Ali Korça Historia e shenjtë edhe të katër Halifetë Shkup 2006.
Hil Mosi Zan’i Atdheut Trieste 1913.
Krist. V. Floqi Fe e Kombësi Sofje 1914.
Kristaq Floqi Një predikim për Patriotismë dhe Nacionalismë Tiranë 1928.
Nebi Dervishi & Ismet Jonuzi-Krosi Mehmet Gega simboli i qëndresës kombëtare Tetovë 2011.
 
Sami Bej Frashëri Shqipëria ç’ka qenë , ç’është dhe  ç’do të bëhetë? Sofje 1907.
 
Vassa Efendi E vërteta mbi Shqiprinë dhe Shqiptarët Tiranë 1935.
 
Revista:
Albania Bruksel, Londër.
Rrufeja Kajro 1909.