Lajme të mira për Barcelonën. Pas vendimit për bllokadë 14-mujore në shitblerjene lojtarëve nga FIFA për shkeljen e rregullave në transferimet e disa lojtarëve minorenë, klubi blaugrana mund të vijojë normalisht aktivitetin, të paktën gjatë kësaj vere.
FIFA komunikoi zyrtarisht se ka aprovuar kërkesën e Barçës për të pezulluar përkohësisht masën që ishte marrë deri në përfundim të procesit që tashmë ndodhet në Apel.
Presidenti i Komisionit të Apelit në FIFA, Larry Mussenden argumentoi se në pamundësi për të dalë me një vendim para 1 Korrikut 2014, ndëshkimi i Barcelonës i aprovuar më parë nga Komisioni i Disiplinës do të lihet pezull për të garantuar në të njëjtën kohë respektimin e të drejtave të klubit.
Nëse përgjigja e Apelit nuk do të ishte pozitive, drejtuesit e blaugranave do t’i drejtoheshin më pas Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, pra një merkato e çuar dëm edhe nëse klubit në fund do t’i jepej e drejta që kërkon.
Me këtë justifikim, presidenti i Komisionit të Apelit deklaroi se ndërkohë që çështja vazhdon të shqyrtohet, Barça mund të përforcojë ekipin në përfundim të sezonit dhe të p arët që priten të mbërrijnë në Camp Nou janë portieri Marc Andre Ter Stegen si pasues i Victor Valdes dhe talenti i ri kroat, Alen Haliloviç.