Categories
Lajme FRI

FILLOI SEMINARI EDUKATIV RINOR I FRI-SË NË SHKUP

 

Në organizim të Forumit Rinor Islam – Dega Shkup, sot u realizua me sukses dita e parë e Seminarit Edukativ Rinor, aktivitet i cili mblodhi një numër të madh të rinjsh për të përfituar nga ligjërata dhe tema me rëndësi për formimin e tyre fetar, intelektual dhe shoqëror.

Programi filloi me recitimin e ajeteve kuranore nga hafizi Hamza Neziri, duke i dhënë seminarit një atmosferë të veçantë shpirtërore. Më pas, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Forumit Rinor Islam – Dega Shkup, z. Afrim Demiri, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm, aktivizmit rinor dhe angazhimit në ruajtjen e vlerave islame në kohën bashkëkohore.

Në vazhdim të programit, u realizua ligjërata me temën “Identiteti i muslimanit në kohën moderne”, nga hoxhë Rufat Sherifi, i cili trajtoi sfidat dhe përgjegjësitë e besimtarit në një shoqëri që ndryshon vazhdimisht, duke vënë theks të veçantë në ruajtjen e identitetit islam dhe vlerave autentike.

Më pas, hoxhë Xhabir Emini realizoi ligjëratën me temën “Vlera e FRI-së: Mesataria (El-Vesatijje)”, ku foli për rëndësinë e balancës, maturisë dhe qasjes së drejtë në jetë, si një prej parimeve themelore të Islamit dhe një ndër vlerat kryesore që promovon Forumi Rinor Islam.

Programi i ditës së parë u përmbyll me ligjëratën “Të kuptuarit e jetës: mes qëllimit dhe sfidave”, të cilën e realizoi hoxhë Hasan Baftjari. Në ligjëratën e tij u shtjelluan dimensionet e qëllimit të jetës, sfidat me të cilat përballen të rinjtë dhe mënyrat e tejkalimit të tyre duke u mbështetur në parimet dhe mësimet islame.

Dita e parë e Seminarit Edukativ Rinor u karakterizua nga pjesëmarrje aktive, interesim i madh dhe diskutime të frytshme, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin e Forumit Rinor Islam – Dega Shkup në edukimin, ngritjen dhe fuqizimin e rinisë.

Seminari do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me ligjërues dhe tema të ndryshme, duke ofruar një platformë të vlefshme për mësim, reflektim dhe zhvillim personal e shpirtëror të të rinjve.

Shkup, 13 qershor 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version
Forumi Rinor Islam - FRI

FREE
VIEW