Të shtunën në hapsirat e “Fluent” – qendër kursesh në Tetovë, me takimin e parë solemn filloi trajnimin për Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun. Pjesë e trajnimit në fjalë janë administratorë shtetërorë, administratorë nga komunat, bartës të zyrave për marrëdhënieve me publikun, drejtues e administratorë ueb-portalesh, përfaqësues nga OJQ, gazetarë, psikolog, informaticient, agjent marketingu dhe të ngjashëm.
Trajnimin e shpalli të hapur drejtori i qendrës “FLUENT”, Mr. Muhamed Jonuzi, ndërkaq fjalë rasti para fillimit të ligjëratës së parë patën edhe dy trajnuesit, Doc.Dr. Sefer Tahiri dhe Prof.Xhelal Neziri.
Është hera e parë që në Tetovë organizohet një trajnim i tillë nga një qendër kursesh e trajnimesh dhe interesimi i kandidatëve ka qenë shumë i lartë. “Ne jemi të kënaqur me atë që kemi arritur, dashamirëve të dijes kemi arritur t’ju ofrojmë diçka të re këtu në Tetovë dhe në të ardhmen shpresojmë që kjo praktikë të jetë e pranishme edhe në vendet tjera ku ka përfaqësi Qendra për gjuhë të huaja, kurse përgatitore dhe trajnime ” Fluent”,  u shpreh Muhamed Jonuzi. Sipas tij, pas suksesit të treguar në trajnimin për Fotografi profesionale dhe trajnimit për Programin statistikor SPSS, trajnimi në fjalë rezulton të jetë projekt edhe më i madh. Ndryshe, pos projekteve rutinore, dy projektet e tjera inovative për hapsirat tona në të cilët është duke punuar stafi i “Fluent” janë trajnimi për Lidership dhe ai për Përgatitje të babysitter”, tha Jonuzi.
Trajmini “Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun” është trajnim semestral ku gjatë periudhës së ndjekjes së ligjëratave të pranishmit do të mësojnë për gazetari dhe marrëdhënie me publikun nga gjërat më bazike deri te teknikat më moderne që përdoren në gazetari dhe marrëdhëniet me publikun.
 
Përkrahës medial i këtij trajnimi është edhe portali Tetova1.com