Asociacioni për Afirmimin e Gruas (AAG) e filloi fushatën “Nga paqa në shtëpi, drejt paqes në shoqëri”, fushatë kjo e cila organizohet me rastin e ditës ndërkombëtare kundër dhunës në familje.
Aktiviteti i parë në kuadër të kësaj fushate ishte ligjërata e cila u realizua sot (19.11.2013) në Komunën e Haraçinës, gjatë të cilës ligjëroi prof. Esma Sherifi (teologe), në temën “Toleranca në familje – përgjegjësi dhe obligim i çdo besimtari”.
Ligjëruesja theksoi se qëllimi i krijimit të një familjeje të qetë dhe të lumtur arrihet vetëm kur bashkohen përpjekjet e çdonjërit anëtar të familjes, në të qenit të kuptueshëm dhe tolerantë ndaj njëri-tjetrit. Ajo gjithashtu shtoi se mirësjellja në familje është një nga parimet kryesore që proklamon Islami, e për rrjedhojë, një nga elementet kyçe në jetën e çdo besimtari.
Aktiviteti i dytë në vargun e aktiviteteve të kësaj fushate ishte ligjërata e realizuar në Qendrën Rinore të Forumir Rinor Islam në Tetovë. Ligjërata u zhvillua në dy seanca. Tema e seancës së parë ishte “Frenimi i dhunës si dukuri shoqërore”, dhe u elaborua nga Mr. Alije Alimi (psikologe). Znj. Alimi foli mbi dhunën si dukuri e pranishme në shoqëri, mbi format që ajo merr dhe mbi rreziqet që paraqet.
Seanca e dytë u zhvillua mbi temën “Raportet ndërnjerëzore në këndvështrimin islam”, të cilën e elaboroi prof. Hasan Baftijari (teolog). Përgjatë ligjëratës, theks i veçantë u vu mbi natyrën e njeriut si qenie humane, bashkëpunimin ndërnjerëzor dhe respektimin e dinjitetit dhe integritetit të tjetrit.
Pas ligjëratave, kryetarja e Asociacionit për Afirmimin e Gruas, znj. Ajgyl Sulejman u prononcua për mediat duke folur mbi qëllimin e organizimit të kësaj fushate dhe objektivat që e njejta tenton t’i përmbush përmes aktiviteteve të këtilla.
Përveç ligjëratave, AAG shpërndau edhe fletushka me materiale vetëdijësuese mbi dukurinë e dhunës në familje, metodat për parandalimin e saj si dhe mbrojtjen e viktimave të këtij fenomeni.
Materiale të kësaj natyre do të shpërndahen edhe në qytete tjera të vendit ku do të shtrihen aktivitetet e fushatës.
Fushata do të zgjasë deri më 30 Nëntor 2013.
Detajet për aktivitetet e radhës në kuadër të kësaj fushate do t’i gjeni në https://www.facebook.com/events/434070626714964/
Departamenti për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun
Asociacioni për Afirmimin e Gruas
EDITOR
11 years ago
previous article
Shtohen rastet e abuzimit ndaj fëmijëve
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
15 mins ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
17 mins ago