Categories
Fjala e Kryetarit Lajme

FLEKSIBILITET, PËRKUSHTIM, ARRITJE!

Veprimtaria shumëdimensionale e organizatës sonë, tashmë dy dekadëshe nuk mund të kurorëzohej kaq suksesshëm pa vendosjen e qëllimeve të qarta, zbatim të përpiktë të strategjive, si dhe ndjekjen e një metodologjie, në thelbin e së cilës qëndrojnë pikërisht fleksibiliteti në veprim dhe përkushtimi i tërësishëm për arritjen e qëllimeve dhe realizimin e misionit tonë.
Këto koncepte, të cilat FRI që në fillet e saj i ka vendosur si parimet bazë të të vepruarit, ne kemi vendosur t’i shndërrojmë në moton e këtij mandati katër vjeçar, jo vetëm për të përshkruar historicitetin e veprimtarisë sonë, por edhe për t’i bërë frymën, me anë të së cilës ne e orientojmë vizionin, strategjitë dhe aktivitetet tona, me qëllim shërbimin sa më të suksesshëm në shoqëri.
Motoja e këtij mandati: “Fleksibilitet, përkushtim, arritje!”, përveç se historicitet dhe metodologji, në vetvete është edhe ftesë për aktivistët tanë dhe popullatën tonë në përgjithësi që t’i përvetësojë këto koncepte si parime dhe vlera themelore, si kushtin bazë për të realizuar suksesshëm misionin e tyre, atë të mëkëmbësisë së Zotit në tokë, për ndërveprim korrekt me të tjerë dhe si strategjinë e vetme për t’u bërë ballë fenomeneve të shumta negative, e shumë prezente në shoqërinë tonë.
Është fakt tashmë evident se koha në të cilën po jetojmë, na bën të ballafaqohemi me një mori situatash jo të lehta, si në aspektin personal, familjar, shoqëror e global dhe për këtë detyra jonë si myslimanë është që të veprojmë dhe veprimi ynë të mbështetet mbi parime dhe vlera të shëndosha, mbi metodologji të parapërcaktuar mirë dhe mbi të gjitha mbi shembullin më të mirë që Zoti na e dërgoi në tokë, Muhamedin alejhi selam.
Duke e marrë shembull atë, salallahu alejhi we selem, mëkëmbësia e Zotit na bëhet mision, shoqëria e shëndoshë vizion, e fleksibiliteti dhe përkushtimi maksimal rrugët më të mira për t’i realizuar ato.
Ashtu siç ka thënë edhe vet Muhamedi alejhi selam: “Kur ta bëni një punë, përsoseni atë!”
Zoti na bëftë prej atyre që e kuptojmë drejt misionin tonë dhe detyrat tona në këtë botë dhe prej atyre që i zgjedhin rrugët më të duhura për t’i jetësuar ato!

Mr. Xhabir Emini
Kryetar i FRI-së

27.08.2021, Shkup

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version