Forumi Rinor Islam realizoi manifestim jubilar me rastin e 25 vjetorit të themelimit, nën moton “Një çerek shekulli në shërbim të shoqërisë”. Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë festive ku morën pjesë përfaqësues nga institucione shtetërore, kryetar të komunave, organizata partnere, donatorë, bashkëpunëtorë, anëtarë dhe aktivistë.

Programi filloi me recitimin e disa ajeteve kuranore nga hafiz Xhemail Nuhiju, ndërsa më pas kryetari aktual i Forumit Rinor Islam, Abdulhamid Mustafa mbajti fjalën përshëndetëse, duke vënë në pah rrugëtimin, sfidat dhe arritjet e FRI-së gjatë një çerek shekulli.

Në vijim, Osman Atalay, përfaqësues i IHH-së nga Turqia mbajti një fjalë rasti për të shprehur vlerësimin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj FRI-së.

Në kuadër të programit, të pranishmit patën mundësi të ndjekin një monolog përkujtues dhe një video përmbledhëse, me pamje dhe momente nga veprimtaria e FRI-së ndër vite, si dhe dy video-mesazhe nga ish-kryetarët Dr. Bashkim Aliu dhe Sali Shasivari, të cilët për arsye objektive nuk ishin fizikisht të pranishëm.

Një nga pikat kryesore të aktivitetit ishte paneli me katër ish-kryetarët e Forumit Rinor Islam: hoxhë Rufat Sherifi, hoxhë Fevzi Musliu, Fisnik Shabani dhe Mr. Xhabir Emini.

Panelistët ndanë përvojat dhe reflektimet e tyre për sfidat, sukseset dhe ndikimin e FRI-së ndër vite, duke ofruar një pasqyrë të thelluar të zhvillimit të organizatës.

Në shenjë mirënjohjeje, u ndanë dekorata për komunat partnere që kanë mbështetur aktivitetet e FRI-së ndër vite: Komuna Çair, Saraj, Haraçinë dhe Studeniçan. Po ashtu, panelistët u nderuan me mirënjohje, si shenjë vlerësimi për kontributin e tyre në udhëheqjen dhe forcimin e misionit të FRI-së.

Pas përfundimit të programit, të pranishmit u ftuan të vizitojnë një ekspozitë me fotografi, që dokumenton momente të veçanta nga veprimtaria 25-vjeçare, ndërsa aktiviteti u përmbyll me një kafe të përbashkët, në një atmosferë vëllazërore dhe falënderuese.

Një ditë kujtimi, reflektimi dhe motivimi për të vazhduar rrugën drejt përmirësimit të shoqërisë përmes vlerave të dijes, solidaritetit dhe përkushtimit rinor.

Shkup, 5 korrik 2025