Nga data 14 deri më 22 nëntor 1908 në Manastir u mbajt Kongresi panshqiptar, i cili mbeti në historinë e popullit me emrin “Kongresi i Alfabetit”.
Në këtë kongres ideologët shqiptarë u pajtuan për dy alfabete zyrtare dhe të detyrueshme. Në këtë mënyrë u hap rruga drejt unifikimit të alfabetit shqiptar.
Kërkesa e shqiptarëve ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që do nënkuptonte mosnënshtrim, qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lërë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja i cili përdoret deri më ditët tona.
Vendimi për alfabetin e gjuhës shqipe
Nismën për thirrjen e kongresit e mori përsipër klubi shqiptar në Manastir – “Bashkimi”. Gjergj Qiriazi dhe Shahin Kolonja luajtën një rol kyç në organizimin e këtij klubi dhe të gjithë kongresit.
Në Kongresin e Manastirit u mblodhën intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të asaj kohe dhe përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes nacional-çlirimtare shqiptare. Krah për krah me delegatët e mirëfilltë ose ata që e kishin të drejtën e votës në kongres u radhitën Shahin Kolonja dhe Thoma Avrami, gjithashtu përfaqësues i emigracionit shqiptar në Bullgari. Ndërsa Dhimitër Mole nga kolonia shqiptare në Plovdiv dhe Adam Shkaba nga Sofja ishin delegatë pa të drejtë vote.
Shahin Kolonja pati nderin të zgjidhet njëri nga 11 anëtarët e Komisionit të Alfabetit. Pas një pune intensive komisioni vendosi njëzëri që “për alfabet të përgjithshëm shqiptar pranohet Alfabeti i Stambollit dhe krahas tij, edhe një alfabet tjetër, krejt latin. Këto dy alfabete duhet të mësohen dhe të përdoren nga të gjithë shqiptaret”, thuhej në vendim.
Kongresi i Manastirit luajti një rol jashtëzakonisht të madh në njësimin e gjuhës shqipe. Mungesa e një alfabeti unik shqiptar ndihej fort deri në atë moment dhe e pengonte zhvillimin e lëvizjes nacional-çlirimtare. Edhe pse çështja e alfabetit ishte një problem sa kulturor e historik, aq edhe i ngutshëm politik, u kontribuua tepër në marrjen e vendimeve për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Për nga thelbi i tij Kongresi i Manastirit ishte një mbledhje politike, ku u shqyrtuan dhe u zgjidhën çështje me rëndësi të përgjithshme kombëtare.
Shihni në foto delegatë nga Kongresit i Manastirit(1908).
Categories