Gjatë ditës së sotme në Maqedoni shqiptarët shënojnë 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 105 vjet në Kongresin e Manastirit.
Kongresi i Manastirit ishte hapur nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908. Në të kanë marrë pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata.
Në këtë Kongres është miratuar vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ata për gjuhën shqipe. Në Manastir në atë kohë kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurtë për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar, shkruan “Zhurnal”.
Kryetar i Kongresit ishte zgjedhur Mit’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit 20, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Për shqiptarët e Maqedonisë kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i alfabetit të gjuhës shqipe,  në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.
105 vjetori i alfabetit të gjuhës shqipe është shënuar gjatë ditës së djeshme në Çair të Shkupit ku u bë edhe hapja solemne e shkollës së re e quajtur “Kongresi i Manastirit”.