Në hapësirat e Qendrës Kulturore Rinore në Shkup, Forumi Rinor Islam organizoi finalen e madhe në kuadër të projektit “Talentium”.
Projekti “Talentium” është projekt, që Forumi Rinor Islam realizon për katër vite me radhë dhe targeton shkollarët e mesëm të vitit të tretë dhe të katërt të qyteteve të Kumanovës, Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit. Projekti zgjati katër muaj dhe në vete përfshin trajnime në sferën e komunikimit, mediumeve dhe lidershipit.
Në finalen e madhe, e cila njëkohësisht paraqet edhe përmbylljen e projektit për vitin akademik 2015/2016, pjesëmarrës ishin nxënësit e shkollave të mesme të qyteteve të Kumanovës, Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit. Në finale, nxënësit garuan në dy kategori: fjalime motivuese dhe mini-dokumentare.
Në garën për fjalime motivuese fitues u shpall nxënësja Njomza Ajdini nga qyteti i Kumanovës, me temën “Fenomeni i ashtuquajtur jetë”. Vendi i dytë i takoi nxënëses Mejrem Sali nga qyteti i Shkupit, ndërsa vendi i tretë ishte për nxënësen Ajten Emini nga qyteti i Gostivarit.
Në minidokumentare fitues doli dokumentari me temë “U dha e vlefshmja për të nevojshmen”, i përgatitur nga nxënësit e qytetit të Kumanovës.
Fjalë rasti në këtë aktivitet patën kryetari i Forumit Rinor Islam, Fisnik Shabani dhe përgjegjësi i projektit “Talentium”, Berat Limani.