Këtë fundjavë, me sukses përfundoi fushata “Ta njohim Muhamedin (alejhi selam)”, fushatë kjo e ndërmarrë nga Forumi Rinor Islam për të përkujtuar lindjen e Profetit Muhamed (alejhi selam).
Një numër i madh e i shumëllojshëm aktivitetesh e përcollën këtë fushatë. Fushata filloi më 02 janar 2015, ditë e premte, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit ku u bë shpërndarja e librit “Ëmbëlsia e dërgimit të salavateve për Profetin (alejhi selam)” – Abdulhalik Sherif si dhe shpërndarja e ëmbëlsirave për kalimtarët.
Shpërndarja e ëmbëlsirave u bë edhe në fshatin Radushë të Shkupit, në të cilin vend u organizua edhe tribunë me temë “Muhamedi (alejhi selam) dhe misioni i tij universal”, ligjërues i së cilës ishte Hasan Baftijari, teolog, njëherit nënkryetar i Forumit Rinor Islam.
Edhe në qytetin e Kërçovës u bë shpërndarja e ëmbëlsirave për kalimtarët. Poashtu, Sektori i Femrës – Dega Kërçovë, realizoi vizitë në spitalin e qytetit si dhe në qendrën e fëmijëve me nevoja të veçanta.
Më 09 janar 2015, ditë e premte, në Shkup u organizua tribunë me mysafirin nga Turqia, z. Ramazan Kajan, i cili elaboroi temën “Muhamedi (alejhi selam) qytetar i shpëtimit të përbotshëm”.
Mbrëmja studentore “Kam fituar me rininë”, u organizua nga Sektori i Femrës në qytetin e Shkupit, Tetovës, Kumanovës dhe Kërçovës. Programi përfshiu prezentime nga studentet për jetën e Profetit Muhamed (alejhi selam), interpretim ilahish e poezish.
Poashtu, edhe në qytetin e Kumanovës dhe të Tetovës u shpërndanë thënie profetike për kalimtarët. Aktivitet ky i organizuar nga Sektori i Femrës.
Në Prilep u organizua tribunë me temë “Mëshira e Profetit (alejhi selam)”, ligjërues ishte Muhamed Mehmedi.
Edhe këtë vit, manifestimi qendror i fushatës u mbajt në qytetin e Kumanovës, më 10 janar 2015, ditë e shtunë. Pjesëmarrja e hoxhës nga Turqia, Ramazan Kajan ishte edhe veçimi i manifestimit të sivjetëm. Ai elaboroi temën “Profeti që i buzëqeshte stuhisë”. Pjesa artistike e këtij programi u mbush me interpretimin e ilahive nga Xhemail Nuhiju dhe interpretimin e monologut nga aktori Bastri Lushtaku. Mysafir i kësaj mbrëmjeje ishte edhe kryetari i Forumit Rinor Islam, z. Fevzi Musliu, i cili pati edhe fjalë rasti para të pranishmëve.
Edhe një sërë tribunash të tjera u realizuan përgjatë kësaj fushate. Temat që u elaboruan ishin: “Muhamedi (alejhi selam), simbol i reformave në shoqëri”; “Muhamedi (alejhi selam), modeli më i mirë për t’u ndjekur”; “Muhamedi (alejhi selam), modeli i thirrësit të përkryer”; “Muhamedi (alejhi selam), shëmbëlltyrë në çdo kohë”. Ligjëruesit e temave ishin Rufat Sherifi, Hasan Baftijari, Qamil Rushiti, Mervan Jakupi, Esma Sherifi Kurti, Muhamed Mehmedi, Ibrahim Ibrahimi.
Këtë vit u organizua edhe konkursi i poezisë nën moton “Ta njohim Muhamedin (alejhi selam)”, ku morën pjesë një numër i madh nxënësish e studentësh. U shpërblyen tri vendet e para.
Këtë fundjavë, në qytetin e Tetovës u realizua tribunë me ligjëruesin Sali Shasivari, aktivitet ky që përmbylli fushatën “Ta njohim Muhamedin (alejhi selam)”.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Forumit Rinor Islam