Forumi Rinor Islam uron besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të bekuar Ramazan.
Ramazani, mbi të gjitha tregon një akt të papërsëritshëm mirënjohjeje ndaj Dhuruesit më të madh të çdo mirësie, akt nështrimi ndaj Fisnikut i Cili obligon vetëm vepra që pasojnë me dobi edhe mirësi. Ky muaj i shenjtë frymëzon ndjenjën e dashurisë ndaj Zotit, Krijuesit të çdo sendi, Absolutit të Gjithëdijshëm e të Plotfuqishëm.
Në muajin e bekuar, agjërimi, si element kryesor i tij, kryesisht e frymëzon besimtarin për ta frenuar nefsin e vet për hirë të dashurisë ndaj Tij. Ky nefs shpesh e ka rrezikuar ta çojë në humbje njeriun e besimit, ndërsa në Ramazan ai kupton natyrën dhe vlerën e vërtetë të tij.
Lëmosha dhe bamirësia si elemente madhore të adhurimit në Ramazan, e frymëzojnë besimtarin të ndjejë dashurinë dhe dhembshurinë ndaj shoqërisë, njerëzve të varfër materialisht, ndihma e të cilëve pasuron dhe pastron shpirtin. Nga mëshira e Tij gjatë këtij muaji krijohet atmosferë e ngrohtë me çka zbuten zemrat dhe shtohet dashuria mes njerëzve, mes prindërve dhe fëmijëve, mes bashkëshortëve, mes farefisit e mes fqinjëve.
Qoftë muaji i begative dhe mirësive nga Zoti i Lartësuar!
Agjërim të lehtë dhe vepra të pranuara!
 

Fisnik Shabani,

Kryetar i Forumit Rinor Islam