Categories
Opinione

Gazeta “Zemra” me harfe arabo-shqipe

Është kënaqësi kur përballesh me libra apo gazeta të vjetra shqipe. Kësaj radhe këtë kënaqësi ma ofroi një bibliotekë në Stamboll.
Në një ekspozitë të gazetave për periudhën osmane 1908-1912 në Stamboll, më ra në sy një gazet me titullin “Jyrek”. Posht gazetës, në turqishten e sotme, shkruhej se ajo botohej edhe në shqip. U përpoqa që të lexoj ndonjë fjalë shqipe te gazeta që ishte ekspozuar, mirëpo aty as një fjalë shqipe nuk qëndronte, përveç  përmendjes së fjalës arnaut. Kjo fjalë mjaftoi që të më nxisë që ta kërkoj e ta lexoj gazetën në fjalë në një bibliotekë. Pasi e morra në dorë gazetën në fjalë, për një çast u hidhërova se mendova se më kanë dhanë gabimisht një gazetë tjetër. Kjo për faktin se gazeta nuk quhej “Jyrek”. Titulli i gazetës përmbante tre shkronja Z,M dhe R. Mirëpo menjëherë u kthjellova dhe kuptova që gazeta që kisha në dorë quhej ZEMRA. “Jyrek” quhej vetëm pjesa e përkthyer në osmanlisht.
Gazeta në fjalë është botuar në vitin 1910. Poshtë titullit të gazetës qëndrojnë fjalët: “PËRFAQËSON MENDIMET E SHOQNIS DITUNIS TË SHQIPTARËVET”.
Në të majt të titullit qëndrojnë fjalët : MOTI I PAR; PAJTIMI( F.D abonimi); PËR CDO SENME U MAR VESHT PLEQSIN TI MLEDHMË REGLLATORE E TË FLETËS (F.D. gazetës) MI SHKRUHET; TEJSHKRIM STAMBOLL (ZEMRA).
Në të djathtë të titullit qëndrojnë fjalët: REGULLOJSI (F.D. redaktori): HAXHI ALI; VENDI I REGLIMIT KANDARIT SHOQNIS DITUNIS SHQIPTARËVET… si dhe data 21 mars 1328.
Kuptohet që përshtatja në shkronjat latine të shqipes së sotme mund të bëhet më mirë mirëpo për këtë kam një pengesë.  Pengesa qëndron në ate se u përpoqa që ta përshtati vetëm duke e njohur alfabetin arab. Mosnjohja e alfabetit arab-shqip për mua paraqet një pengesë të përkohshme. Ashtu sikur e mësova alfabetin e Stambollit duke i përdorur librat dhe gazetat origjinale shqipe po ashtu me kalimin e kohës do ta mësoj drejtshkrimin dhe drejtleximin e shqipes me harfe.
Duke u përpjekur që t’i lexoja artikujt e gazetës në shqip, arrita që t’i deshifroj disa rregulla të alfabetit arab-shqip. Është interesant se zanoret i kishin formuar ndryshe nga arabishtja. Nëse ne arabisht shkronja V para bashkëtingëllores e formon zanoren U, në shqip ate e formon germa F; O-ja formohet me bashkimin e germës K-e forte; përderisa E-ja formohet me germën H- e lehtë.
Në gazetën në fjalë shqipja e përdorur është burimore dhe e mbrojtur nga barbarizmat e stërngarkuara  nga latinishtja sikurse në gjuhën e sotme shqipe. Në një artikull të gazetës bëhet fjalë për aeroplanët luftarak dhe është shfaqur fotoja e një aeroplani ballë së cilës qëndron një pilot osman. Mund të supozojmë që piloti është shqiptar dhe pas një studimi më të hollësishëm mund ta shpallim ate edhe piloti i parë shqiptar. Për fjalët e aeroplanit luftarak, shkruesi i artikullit, përdorën fjalën shqipe “luftfluturake”.
Po ashtu për ne do të ishte me rëndësi që të njohim biografin e Haxhi Aliut dhe veprimtarin e kësaj shoqërie shqiptare të Stambollit.
Sot për shqiptarët, përballja me shqipen e shkruar me alfabete jolatin paraqet një sfidë. Mirëpo kjo sfidë tejkalohet lehtë. Shpresoj se në të ardhmen këta pengesa do t’i tejkalojnë shumica e shqiptarëve dhe se ata do të kenë kënaqësinë që ta lexojnë shqipen në origjinal. Jam i vetëdijshëm që për këtë nevojitet të kaloj një kohë më e gjatë, mirëpo në një kohë të afërme jam i bindur se kureshtja do t’i shtijë studiuesit e ri të albanologjisë dhe të historisë që të mësojnë leximin e shqipes me shkronja jolatine. Falsifikimi i shumë teksteve gjatë përshtatjes nga alfabeti i Stambollit në alfabetin latin të shqipes duhet të jetë një shtytës më shumë për studiuesit e rinj shqiptarë që t’i mësojnë këta alfabete.
Sot është e papranueshme që në katedrat e albanologjisë të mos mësohet alfabeti arab. Ky pozicion i mbajtur nga disa albanolog, e që nuk lejojnë mësimin e shqipes me alfabet arab, vetëm që dëmton identitetin tonë. Është kënaqësi kur lexon një gazetë, e për të cilën ata që të vëzhgojnë mendojnë se është në osmanlisht, arabisht, farsi apo urdisht, mirëpo ajo në fakt është në shqip. Në atë moment e kupton se sa i gjerë është identiteti ynë dhe se si gërshetohen në te ndikimet e qytetërimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version