Ishte një natë e bekuar në muajin e veçantë. Qyteti ishte Mekke, ndërsa vendi shpella Hira. Kurejshët duke pasur parasysh gjendjen e Muhammedit a.s të cilën ishte duke e përjetuar, filluan të thonin: “Me sa duket Muhammedi u dashurua tek Zoti i tij”, ndërsa Krenaria e Njerëzimit në atë vend të vogël shkonte dhe meditonte rreth Zotit të Tij.

Duke medituar ndodhi diçka e papritshme. Për një moment erdhi një dritë që e kaploi qiellin e tokën, lindjen dhe perëndimin. Ishte një dritë nga drita e të Madhërishmit. Me fjalët më të mira, iu drejtua zemrës më të mirë, që kishte njeriu më i mirë në rruzullin tokësor.

Ky amanet që erdhi nga Zoti nëpërmjet melekut Xhibril, ishte aq madhështor dhe i përkryer, sa që nata kur zbriti ky emanet u cilësua si “nata më e mirë se njëmijë muaj” dhe mori epitetin si nata më e çmuar. Kjo natë i përkiste muajit të Ramazanit i cili poashtu do të cilësohet si “Mbreti i muajve” dhe do ta merr epitetin si muaj i begatisë dhe mëshirës. Ndërsa Ai që njerëzit ia dhanë nofkën “El Emin – I Besueshëm”, mori vulën e fundit të pejgamberisë dhe u bë i Dërguar nga Zoti i tij.

Ky, Kurani Famëlartë, mrekullia më e madhe që i erdhi Muhammedit a.s. Mënyra e të shkruarit dhe kuptimin që e posedon e bën atë të jetë i mrekullueshëm. Njëkohësisht njerëzit ndikohen kur e ndëgjojnë dhe mahniten me mesazhet që na i përcjellë.

“O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”(El Bekare, 183)

Ky adhurim – agjërimi, jo vetëm që është rehabilitim dhe shërim për trupin, por është rehabilitim dhe shërim edhe për shpirtin e myslimanit dhe rrethin ku jeton ai, i cili pikërisht në urinë që e karakterizon juridikisht agjërimin, i ushqen ndjenjat, dëshirat dhe pretendimet e veta për ngritje kah piedestalet më të larta dhe kah përsosmëria.

Duke i përkujtuar të gjitha këto begati të këtij muaji, të kemi parasysh dhe meditojmë rreth disa këshillave me rëndësi:

*Gjatë këtij muaji fisnik duhet edukuar shpirtin me sinqeritet.

Agjërimi është një adhurim i fshehtë, që nuk vihet re sikurse adhurimet dhe bindjet e tjera. E, nuk ka dyshim se marrja në konsideratë e këtij kuptimi ndihmon në rritjen dhe në përmirësimin e sinqeritetit në shpirt. Sinqeriteti është udhërrëfyesi më i mirë drejt Allahut. Të zbukurohemi me këtë ndjenjë që na afron drejt kënaqësisë së Krijuesit.

*Po ashtu, ndër gjërat e rëndësishme që përfitojmë në Ramazan është edhe të mësuarit e njerëzve çështjen se, feja është e lehtë.

Ky aspekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm, për faktin se në shumicën e mendjeve njerëzore është ngulitur bindja se në fe ka vështirësi, rreptësi e ashpërsi. Kjo është pikëpamje që e propagandojnë kundërshtarët e fesë nëpër artikujt dhe në shkrimet e tyre tek pretendojnë kinse në fe paska shtypje, pranga e kufizime. Si mundet të jetë fe e vështirësisë kur agjërimi i një dite na largon 70 vite nga zjarri, lutjet pranohen, veprat e mira shumëfishohen, mëshira dhe falja janë sinonimi këtij muaji dhe nuk ngarkohemi me diçka më tepër se sa mundemi?

Fakti që e shton ndikimin e muajit Ramazan në shpirtrat e njerëzve është kujtimi lidhur me vlerat e Ramazanit, ndër të cilat: – “Atij që e agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar Ramazanin mundësi për edukim dhe arsimim  (shpërblim prej Allahut), i falen mëkatet e kaluara.”

*Në fund, duhet t’i tërhiqet vërejtja atij që i thërret të tjerët, porse e harron veten.

I tilli patjetër duhet të ketë hise e të përfitojë nga dhuntitë dhe mëshira e Zotit të tij, nga shkaqet e bujarisë dhe fisnikërisë së Tij, drejt të cilave i fton të tjerët. Prandaj, nuk preokupohet me thirrjen e njerëzve duke harruar vetveten, por duhet të jetë model dhe ndër njerëzit më të kujdesshëm në përkushtimin ndaj adhurimit, në angazhimin me leximin e Kuranit, faljes së namazit, përmendjen e Allahut dhe në të gjitha veprat e mira, që natyrshëm ai i di më mirë se të tjerët.

Të mundohemi që në këtë muaj të meditimit, të përmirësojmë raportin tonë me sinqeritetin, të lehtësojmë dhe mos vështirësojmë në kultivimin e parimeve fetare, të përkujtojmë vlerat e Ramazanit dhe mos të jemi prej atyre që përkujtuan të tjerët dhe harruan veten por të jemi shembull në praktikimin e veprave të mira.

Lusim Zotin, që në fund të këtij muaji të dalim fitimtarë, duke e shfrytëzuar çdo sekondë të këtij muaji të shenjtë që do na kthehet në dobi për ta fituar Xhennetin e Tij.

Shkruar nga:

Erduan Ali

21.05.2020