Të nderuar, askush nuk është i lejuar me leje absolute të bëjë ç’të dojë. Askush nuk ka të drejtë të vishet me çka të dëshirojë në mënyrë absolute. Askush nuk ka të drejtë të merr çdo gjë që dëshiron. Ato që thirren në emër të lirisë absolute janë fajtorët më të mëdhenj për shfrenimin moral të shoqërisë sonë, për shkak se njeriu nuk është i krijuar të ketë liri absolute. Nuk është natyrë e qenies njerëzore të qenit i lirë në mënyrë absolute.

 

Është e pakuptimtë ta pranojmë fenë e Allahut, dhe të sillemi sikur ajo mos të ekzistonte. Ne jemi dërguar në këtë botë për t’u testuar, dhe testi ynë ka rregulla hyjnore. Nëse ne nuk i respektojmë rregullat dhe nuk përgatitemi për testin e jetës do të dështojmë, dhe si duket, shoqëria jonë ka dështuar në pyetjen e moralit.

 

Ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në shtetin e Kosovës janë në radhë të parë akte të rënda kriminale që meritojnë dënim maksimal, por përveç kësaj këto akte të turpshme flasin për një realitet ende më të dhimbshëm nëpër të cilin kalon shoqëria jonë.

 

E mbetur midis ekstremeve të ndryshme gjinore e kulturore, shoqëria jonë po hap rrugë për një rini me një mungesë të madhe të edukatës, e mbytur në anti-vlera nga më të rëndat. Muzika që fëmijët tanë po dëgjojnë, vendet ku të rinjtë tanë shkojnë, koha që ato kalojnë me shoqërinë e vet, përveç që janë komplet jashtë kontrollit prindëror, zakonisht kanë tendenca që të ftojnë në akte të turpshme dhe të rrezikshme për shoqërinë tonë.

 

Vëllezër dhe motra, asnjëherë nuk duhet ta largojmë nga vetëdija jonë që të rinjtë tanë gjenden përballë një rreziku të vërtetë, dhe ne jemi të bindur që edukimi i mirëfilltë që do të na drejtonte drejtë një shoqërie të shëndoshë gjendet tek Kurani Fisnik dhe te Islami.

 

Forumi Rinor Islam do t’i ketë gjithnjë dyert hapur për çdo të ri dhe të re që ka dëshirë të bëhet pjesë e familjes sonë. Ne jemi të hapur për çdo nënë dhe baba që dëshiron që fëmija i vet të marr pjesë në aktivitete të dobishme në aspekt të edukimit kulturor dhe fetar.

 

Së bashku le të kapemi për litarit të Allahut, le të edukojmë vetveten, fëmijët tanë, motrat dhe vëllezërit tonë. Le të bëhemi të dobishëm për familjet dhe shoqërinë tonë. Le të bëjmë dua te Allahu i Madhërishëm të na drejtojë dhe forcojë në rrugën e drejtë.

 

Shkup, 31 gusht 2022