Categories
Lajme FRI

Graham Poll: Ja si Murinjo e Ferguson ndikojnë gjyqtarët!

Ish-gjyqtari ndërkombëtar anglez, Graham Poll, ka treguar eksperiencat e tij përballë Zhoze Murinjo dhe Aleks Ferguson, ndërsa zbulon se si këta dy trajnerë veprojnë në mënyra të ndryshme për të influencuar te gjyqtarët dhe për të fituar një avantazh minimal në ndeshjet e tyre.
“Zhoze Murinjo është “Z. Tërheqës” me gjyqtarët, sidomos në kampionat ku njeh çdo gjyqtar personalisht. Kur ai erdhi te Çelsi në vitin 2004, një nga gjërat e para që bëri ishte të më ftonte në fushën e stërvitjes së klubit për t’u prezantuar. Ai e dinte se isha një nga gjyqtarët kryesorë në Angli dhe në atë sezon gjykova 6 ndeshje të skuadrës së tij”, shpjegoi Poll për “Daily Mail”.
“Ai më prezantoi para skuadrës si “gjyqtari më i mirë në Evropë”, ndoshta edhe për faktin se në 3 ndeshjet që kisha gjykuar Porton e tij, ata kishin fituar gjithmonë. Ai punon në mënyrë aq tërheqëse sa ti nuk e kupton se po të manipulon, pasi një sjellje e tillë vazhdon edhe para ndeshjeve. Unë drejtova ndeshjen e tij të parë në kampionat, fitoren 1-0 ndaj Mançester Junajtid. Pas takimit më pyeti nëse gjithçka ishte në rregull dhe unë iu përgjigja me humor se dhoma e gjyqtarëve kishte nevojë për të paktën një lyerje të re”.
“U ktheva aty pas 5 javësh dhe dhoma e gjyqtarëve kishte dy dushe të reja dhe një televizor me ekran të sheshtë. Por kjo është vetëm njëra anë. Në fund të sezonit të tij të dytë në Angli, drejtova ndeshjen kur Çelsi u mund në gjysmëfinalen e Kupës FA nga Liverpuli. Ai ishte shumë pak tërheqës pas ndeshjes në tunelin e dhomave të zhveshjes. Qëndroi atje duke tundur kokën dhe duke u shfaqur si i zhgënjyer. “Mendova se ishe miku im”, ishte komenti i tij. Ndërsa shpërthimet e tij gjatë ndeshjes në zonën teknike janë aq teatrale dhe të parashikueshme sa nuk të ndikojnë si gjyqtar”, shpjegon Poll, i cili më pas bën krahasimin me një tjetër figurë autoritare, Aleks Ferguson.
“Ferguson është ndryshe, as nuk shqetësohet për të qenë tërheqës. Ai nuk është i pakëndshëm ndaj teje, thjesht nuk merret fare me ty. Kur flet në media për gjyqtarët, ti mendon se nuk krijon asnjë efekt, por në fakt nuk është ashtu. Një gjyqtar aktual, pak kohë më parë po shkonte të drejtonte një ndeshje në “Old Traford” dhe më telefonoi rrugës. “Sa do të doja të ishte një fitore 2-0 për vendasit dhe një natë e qetë”, më tha ai në telefon. Nuk është se gjyqtari në fjali bëri maksimumin që një gjë e tillë të ndodhte, por kjo tregon edhe një herë efektin që ka Ferguson mbi njerëzit dhe si të gjithë duan që ai të jetë i lumtur”, shpjegoi Poll, i cili mendon se takimi i kthimit mes Mançester Junajtid dhe Real Madrid në “Old Traford” duhet të gjykohet padyshim nga një prej 10 gjyqtarëve më të mirë në Evropë. (LajmeShqip.com)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version