Pas konfliktit mes Shqipërisë dhe Greqisë për marrëveshjen e ujërave kufitare, qeveria shqiptare do të përballet dhe më një kërkesë problematike të palës helene, atë të devijimit të burimit të lumit Vjosa.
Po ashtu dhe me kërkesën e qeverisë maqedonase, për të devijuar burimin e lumit të Radikës, që derdhet në Drinin e Zi. Qeveria greke ka miratuar më 31 korrik të vitit 2013 një projekt që synon të devijojë lumenjtë në Veri të Greqisë për të pasuruar liqenin e Janinës dhe në listën e lumenjve është edhe ai i Vjosës.
Ministria e Jashtme e ka shprehur këtë problematikë gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura në Komisionin e Jashtëm në Kuvend, me kërkesë të deputetëve Fatmir Mediu i PR-së dhe Përparim Spahiu i LSI-së.
“Panorama” zbardh raportimin sekret të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Jashtme, të cilët kanë informuar ligjvënësit se janë ngritur grupet e punës ndërqeveritare për të negociuar me shtetet fqinje, Greqinë dhe Maqedoninë, për problematikat që mund të lindin nga devijimi i burimeve të lumenjve të rëndësishëm të vendit, si Vjosa dhe Drini i Zi.
Me Maqedoninë
Qeveria maqedonase i ka propozuar qeverisë shqiptare një projekt për të devijuar në tri kanale të nëndheshme burimin e lumit Radika, për të ndërtuar një hidrocentral në Fushën e Likovës.
“Ministria e Punëve të Jashtme është në ndjekje të probelamitikës së krijuar qoftë me komunitetin e Dibrës së Madhe, për çështjen e një projekti të cilin qeveria maqedonase e ka miratuar nga ana teknike për ndërtimin e një hidrocentrali në Fushën e Likovës. Ideja është duke qenë se burimet natyrore nuk janë të mjaftueshme në këtë zonë, është menduar që të merren pesë degë të lumit Radika dhe të çohen në 3 kanale të nëndheshme drejt fushës së Likovës”, ka deklaruar drejtoresha e Traktateve dhe të Drejtës Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme, Suela Janina.
Këtë kërkesë pala maqedonase e ka paraqitur gjatë takimit të zhvilluar mes ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe homologut maqedonas, Valon Saraçini. “Çështja është ngritur edhe në rrugë zyrtare nga ana e qeverisëp maqedonase në takimin që ka pasur ministri i Energjisë, z.Gjiknuri me homologun maqedonas në Shkup, më datë 26 nëntor të këtij viti, ku është diskutuar dhe janë paraqitur nga pala maqedonase disa elementë paraprakë të këtij projekit. Sipas ministrit të Ekonomisë Valon Saraçini projekti nuk do të ketë ndikim ndërkufitar, pasi thuhet nga pikëpamja teknike që lumit i Radikës ka 17 metra kub prurje në sekondë, ndërkohë që mendohet se devijojnë vetëm 2 metra kub në sekondë. Kurse nga ana e ministrit Gjiknuri është mirëpritur fakti që kjo është ngritur si çështje për diskutim dypalësh dhe është rënë dakord që të vlerësohet nga ana teknike ky projekt”, është shprehura drejtoresha e Ministrisë së Jashtme.
Me Grqinë
Drejtoresha Janina ka deklaruar në mbledhjen e komisionit të zhvilluar me dyer të mbyllura se diskutimet me palën greke do të zhvillohen në territorin shqiptar. Takimi i fundit i komisionit ndërqeveritar është zhvilluar në shtetin helen në vitin 2008. “Edhe me lumin e Vjosës kemi paka e shumë të njëjtin problematikë. Po ashtu edhe me Greqinë është e njëjta situatë, ku po ngremë grupet e punës dhe normalisht sipas parimit të rotacionit, na takon ne që të mbledhim komisionin e përbashkët, pasi takimi i fundit është bërë në vitin 2008, në territorin e shtetit grek. Kështu që janë të gjitha procedurat që ne po ndjekim me vëmendje dhe së shpejti do të kemi rezultate konkrete për diskutimet e të gjitha këtyre çështjeve”, shprehet më tej drejtoresha.
Megjithatë, zyrtarja e lartë e Ministrisë së Jashtme thotë se çështja kryesore është devijimi i Lumit të Radikës, por thekson se sasia e ujit që do të ndërmerret nuk do të ketë ndikim shumë të madh. /Start/