Fondacioni “Shoqëria e hapur për Shqipërinë” ka përgatitur një sondazh për gjendjen sociale të shqiptarëve, krahasuar me vendet e tjera të Europës.
Një e dhënë interesante që bie në sy është se shqiptarët deklarohen besimtarët më të mëdhenj në Europë.
Shkalla e besimit në Shqipëri është 7.3 nga 10, duke lënë shumë prapa shoqëri ku feja ka një ndikim mjaft të madh si Irlanda apo Izraeli.
Por ndërkohë, të pyetur se sa është numri i atyre që marrin pjesë në shërbime fetare njëherë në javë, këtu jemi ndër vendet e fundit në Europë, pasi vetëm 12 përqind thonë se marrin pjesë në shërbime fetare.
Një e dhënë interesante është se nga të gjithë shqiptarët që shohin televizor, rreth 13 përqind kalojnë më shumë se dy orë në ditë duke ndjekur lajme politike, që është niveli më i lartë në Europë.
Po sipas këtij sondazhi, Shqipëria është vendi më homofobik në Europë.
Kështu, 53 përqind e shqiptarëve besojnë se gejt dhe lezbiket nuk duhet të lejohen të jetojnë jetën e tyre siç duan, që është përqindja më e madhe në Europë. Në Hollandë vetëm 3 përqind mendojnë kështu si shqiptarët.
Shumica e shqiptarëve nuk përkrahin bashkëjetesën dhe 95 përqind thonë se nuk kanë jetuar kurrë me partnerin para martesës. Në Kroaci 15 përqind thonë se kanë jetuar me partnerin përpara martesës. Kurse në vendet skandinave gjysma e të pyeturve thonë se kanë bashkëjetuar para martesës./ep
 
http://www.gazetatema.net/web/wp-content/uploads/2013/03/shqiptaret.jpg