Të nderuar miqtë e mi pa tarafe! Në këtë shkrim të radhës nuk e kam ndërmend të “shkarravis për turqizimin e shqiptarëve”, nuk do të shkruaj as për “islamizimin e politikës kosovare” dhe, në instancë të fundit, nuk do t’i paragjykoj as opinionet a vështrimet e ca analistëve politikë të cilët në kohë të fundit gërmadhës së lajmeve të ditës i shtuan edhe një “haber” tejet të shtrembëruar a të abuzuar. Kryefjala e lajmit të tyre kishte të bëjë me takimin e paradokohshëm të tre kryeministrave: Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Tayip Recep Erdogan, në Prishtinë (dhe në Prizren), lidhur me inaugurimin e terminalit të ri të aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë. Me këtë rast neve nuk do të na lejohet që t’u bëjmë interpretime fjalimeve të tyre, po as nuk do t’i redaktojmë, pavarësisht se dikush me “gojën shtrembër” tha se “ishin llomotitje (jo) politike, nostalgjike, vëllazërore, llafe boshe, folklorike, afeksionuese apo diç tjetër”!?? Këtë gjë nuk do ta bëjmë për asrye se mos “ndoshta” edhe ne mund të paragjykohemi dhe të konceptohemi si “opinionistë mëhallash apo provincialistë”. Se këta tre kryeministra thanë se shqiptarët dhe turqit janë “vëllezër”, kjo nuk na hyn në punë, se “osmanlinjtë ishin pushtues a sundues” edhe kjo nuk është puna jonë…, këtë le ta diskutojnë historianët shqiptarë. Thjeshtë, këta “analistë politikë të stërngarkuar me shovinizmin fetar” të tyre, që nuk dallojnë konceptin e religjionit dhe atë të kombit, shkuan aq larg saqë takimin e dy kryministrave shqiptarë me atë të Turqisë e shndërruan në “lesh arapi”, a si thonë fshatarët e malësisë – ia hoqën kalit kapistallin dhe e lëshuan të kullotë ku të mbërrijë…
Ne do të shkruajmë (aq sa do na lejojë takati mental) për ca analistë, kolumnistë dhe opinionistë të “moderuar dhe finokë” nga Prishtina dhe Tirana, të cilët gjithë ditën e   Perëndisë, në vështrimet e tyre, ashtu “pa hiri”, do të fusin hundët edhe aty ku nuk e kanë vendin, saqë edhe do mëtojnë të inversojnë obligimet a detyrimet e tyre “profesionale”. Ca do të shkojnë kuturu deri aty sa të parashtrojnë  pyetjen se pse politika kosovare po “islamizohet”, ca të tjerë do të parashtrojnë pyetjen se pse dy  kryeministrat shqiptarë, ditën kur vizituan shtëpinë e një prizrenasi, kishin parapëlqyer mënyrën e të ulurit këmbëkryq, ndërkaq Erdogani “këmbë-osmanisht”!? Eh sa poshtëruese a edhe të ulëta të duken këto shpjegime të shqiptarëve patriotë krahinorë…, aq më tepër kur ke parasysh provën që llafos retrospektivën, sa të lavdishme, po aq edhe atdhetare të Abdyl Frashrit, i cili para një shekulli, tok me patriotët e tjerë, ishte ulur këmbëkryq në Kuvendin e burrave të Lidhjes së Prizrenit…, a mos vallë edhe Hasan Prishtina dhe Isa Buletini nuk kishin parapëlqyer të ulen këmbëkryq…, a mos vallë malësorët tanë fisnikë asnjëherë nuk u ulën këmbëkryq, a nuk mbani mend vakinë kur Richard Holbruk vizitoi Kosovën, ku në një Kuvend burrash kosovarë,  ashtu thjesht ishte ulur këmbëkryq dhe jo “këmbë-amerikançe”!?
Një tjetër politikan i njohur nga Tirana, që aktualisht “vuan opozitarin”, disa ditë më parë, në një medium vizual, pos tjerash, tha: “Mënyra e të ulurit këmbëkryq e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës (këtij të fundit nuk i ngjanka kjo, sepse na qenkësh “kaur”)  nuk është kurrgjë tjetër pos një marrëzi (e radhës) e rrezikshme përbetimi ndaj Portës së Lartë”!? Vallë këtij  politikani i mungon informacioni lidhur me faktin se që kur Ataturku, shpalli Republikën e Turqisë moderne Perandoria Osmane, gjegjësisht Porta e Lartë,  shkoi ashtu kokulur në histori. A mos vallë ky politikan nga Tirana nuk e pa të arsyeshme të thotë (edhe përtej inatit të tij homerik) se kjo vizitë e kryeministrit turk nuk kishte kurrgjë të përbashkët me historinë e Perandorisë Osmane a me Portën e Lartë, por thjeshtë ishte e lidhur ngushtë me inaugurimin e aeroportit të Prishtinës si dhe me bashkëpunimin ekonomik në relacion Turqi-Kosovë. A mos vallë ky politikan, që vazhdon të “nostalgjohet” me të kaluarën e tij, ende nuk arrin të vetëdijësohet se Turqia ishte një ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. A mos vallë ky politikan dhe ca të tjerë si ai, ende nuk mund të ndërgjegjsohet se Turqia është një partner strategjik i Kosovës. A mos vallë ky njeri joparimor, dhe ca të tjerë si ai, nuk kanë njohuri se Turqia është një ndër investitorët më të mëdhenj në hapësirat e trekëndëshit shqiptar. A mos vallë ky politikan dhe ca të tjerë si “soji i tij” nuk ka njohuri se protokollin e këtij  takimi të kryeministrave e ndërtuan njerëz të cilët janë profesionistë për këto çështje dhe jo njerëz që në “aksham të martojnë e në sabah të harrojnë”! A mos vallë ky politikan dhe “soji i tij” nuk dinë se këtë ceremoni e organizuan qeveritë e personaliteteve të lartpërmendur. …
Ditën e inagurimit të terminalit të aeroportit të Prishtinës u tha se Erdogani nuk ka dhe as që mund të ketë gjak shqiptari, po as Thaçi dhe Rama nuk kanë gjak turku dhe, nëse kjo (s’) është e vërtetë, atëherë ju, të nderuar lexues, na thoni se ç’gjak paskësh biznesmeni Damir Fazliç, i cili sa herë që arrinte në Aeroportin e Rinasit bllokohej komunikacioni rrugor përreth aeroportit e gjetiu në Tiranë!?? Nëse neve do të na lejohet ta parafrazojmë mendimin e atyre “kolumnistëve djallëzorë”  rreth deklaratës së Erdoganit, i cili ndër të tjera tha se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”, dhe nëse kjo deklaratë e tij (nuk) u përkthye gabimisht nga ana e përkthyesit, atëherë mbetet thjeshtë një “… gafë politike, një shprehje idiomatike, shprehje folklorike, një deklaratë ireale apo jo karakteristike për fjalorin” e  një diplomati të moderuar. Por ama, nëse kjo deklaratë e Erdoganit është një “inversion gjeografik a politik”, atëherë do ishte mirë që Turqia të jetë Kosovë! Këta analistë senilë, le të na ndjejnë, nëse u parashtrojmë pyetje si këto: pse kjo deklaratë e kryeministrit turk ia bëri mendjen çarçaf  presidentit Tomisllav Nikoliq dhe  politikanëve të tjerë serb, apo pse vallë këta “kolumnistë” nuk dëshpërohen e nuk sikletosen kur dëgjojnë ato përrallat e gjyshërve shumadinas të cilët gjithë ditën ulërijnë duke thënë se “Kosovo i Metohija je kolijevka Srbije”! Hane Sham, hane Bagdat – do të thoshin ata që sadopak marrin erë nga politika.
Ndërkaq, ju të nderuar “kolumnistë të moderuar”, Kosova nuk bëhet Turqi e as Turqia Kosovë, po as Kosova nuk bëhet Serbi dhe anasjelltas, ndonëse këta të fundit sot e kësaj dite, këtë e ëndërrojnë me sy hapur. Shqiptarëve nuk u duhet fjalori i Erdoganit, përkundrazi u duhen  investimet e qeverisë së tij.