Të nderuar lexues të paanshëm, do më lejoni që këtë shkrim të radhës ta krahasoj me atë refrenin e shkurtër të këngës që i dedikohet Ali Pashë Tepelenës, ku pos tjerash thuhet: “Koka në Stambollë moree…, e trupi në Janinë moree” Ata që e kanë për xhan këtë këngë do të thonë se në brendinë e këtij refreni ka shumë elemente kanibaliste a egërsi skajshmërisht të madhe! Ne nuk e “dimë” se pse sa herë që merren nëpër gojë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve administrativ të Republikës së Shqipërisë, aq herë po duhet që ky refren t’u atribuohet atyre, pavarësisht se ata jetojnë në shtetin e Kosovës, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës a në mërgatë.
Ne, besojmë se do na lejohet që këtij vështrimi t’i bëjmë “fare pak” histori a “BIBLIOGRAFI RETROSPE-KTIVE”! Fillimisht do t’i referohemi një artikulli të botuar më 20 qershor të vitit 2006 në gazetën prestigjioze “SHEKULLI” të Tiranës, me temë: “QOSEIZMI, OSE TEORIA E URREJTJES”, me firmë të z. Maks Velo. Në këtë shkrim autori për kryefjalë kishte debatin e atëhershëm mes Rexhep Qosjes dhe Ismail Kadaresë…, ku, pos të tjerash, shkroi edhe për nivelet intelektuale të polemizuesve, për kontributet e tyre dhënë zhvillimit të mendimit shqiptar, për përkatësinë fetare të Qosjes, për fenomenin e çuditshëm Kadare, për Shqipërinë si shtet mysliman, për TETOVËN si QENDËR ISLAMIKE NË BALLKAN, për shtëpinë e shqiptarit mysliman ku mund të hyhet vetëm pas zbathjes së këpucëve, për TRADHTINË e shqiptarëve, për kosovarët primitivë dhe qaramanë e të tjera marrëzira…, një editorial, që vështirë mund ta kishin kapërdirë edhe nacionalistët më të spikatur greko-serbë! Për të përcjellë mendimet e z. Velo në mënyrë sa më autentike dhe për hir të korrektësisë ndaj lexuesit, do të parafrazoj vetëm një pjesë të tezave të tij të rrezikshme për qenien tonë kombëtare.
1.”QOSJA ËSHTË DIJETAR TIPIK ISLAMIK TËRËSISHT LINDOR…, AI “ADN” E KA ISLAMIKE” (!??).
(Kësaj i thonë intolerancë fetare, politike dhe gjeografike numër 1 velo-niane (nënvizimi im).
2. “QARQET POLITIKE APO AKADEMIKE JANË BËRË KOSHIENTË PËR DËMIN E MADH QË I VJEN SHQIPËRISË NGA DEKLARIMET E PAPËRGJEGJSHME SE SHQIPËRIA ËSHTË SHTET MYSLIMAN” (!??).
(Mos vallë z.Velo harroi se gjetiu në Shqipëri trekëndori fetar mysliman, katolik dhe ortodoks nuk paraqet kurrfarë të keqe, përkundrazi është pasuri jona kulturore po edhe kombëtare…, mos vallë z. Maks Velo, definitivisht, i mungon toleranca e vërtetë fetare).
3. “PËR ÇFARË PATRIOTIZMI MUND TË FLASIN ATA QË TRADHTUAN FENË E TË PARËVE DHE FENË E TË GJITHË BALLKANIT-KRISHTERIMIN.TË PAKTËN TANI PASARDHËSIT E TRADHTARËVE NUK DUHET TË HESHTIN” (!??).
(Mos vallë z. Maks, harroi se patriotizmin e ndërtuan vëllezerit Frashëri, Ismail Qemal bej Vlora, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Faik Konica, Ukshin Hoti, Ibrahim Rugova, Femi Agani, familja e Jasharajve.., tok me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin, me toskë a gegë).
4. “…, KONKLUZIONI IM ËSHTË: ME KOSOVËN DHE KOSOVARËT DUHET TË JEMI SHUMË MË TË KUJDESSHËM. JANË AKOMA PRIMITIVË DHE QARAMA-
NË DHE DO TË NA HAPIN PROBLEME PA FUND” (!???).
(Z. Velo në këtë tezë të tij nuk kishte përjashtuar as shqiptarët e Malit të Zi, të Luginës së Preshevës, të Maqedonisë, ndërkaq ata të Çamërisë as që i kishte futur në hesap).
Mua do më duhet të them se këto teza të z. Maks Velo nuk janë as të parat “sihariqe” e as të fundit. Atij kur do t’ia dojë qejfi e kur do t’i teket do të hap trastën e tij të mbushur me: dy palë mend, me tri palë siklete, shtatë palë qejfe e ethe…, me një mijë e një inate…, me një furgon të ngarkuar me britma a ulërima çakejsh, me atë rrugaçërinë e tij (anti) mediatike e mediokre, me atë jotolerancën e tij, me atë “zullum” që i bëri të drejtës së çdo shqiptari për të qenë katolik, mysliman, ortodoks a bektashi…, me atë mendjemadhësinë si dhe me “budallakinë” e tij që sakaq nxit e ndez armiqësinë, grindjet dhe urrejtjen ndërmjet besimeve fetare te shqiptarët.
I nderuari zoti Maks Velo duhet ta dijë se në këtë nënqiell të Gadishullit Ilirik ka do gjëra e do finesa që mësohen në kohë të caktuar dhe, po nuk i mësove, përgjithmonë mbetesh i mangët, i painformuar dhe në instancë të fundit, mbetesh somnambulist. Psikiatrit thonë se ky çrregullim i sëmurë, vështirë kurohet. Që “forca e intelektit të tij” (dhe të tjerëve të tillë si ai) të mos konceptohet si ai i fëmijës, do të ishte mirë që refrenet e tij paranojake t’i zëvendësojë me ato të arsyes dhe, nëse këtë nuk do ta bëjë, atëherë tezat e tij do mbeten si ajo “pordha e kalit që kundërmon gjithë dynjanë e blegtorëve”!?
Një ofendim të tillë ua bëri shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë edhe një analist i njohur nga Tirana, i cili në një emision debati televiziv, lëre që skajshmërisht shtrembëroi identitetin e tyre fetar, por edhe paksa ndërtoi dyshimet e tij ndaj inteligjencës së tyre!? Do të parashtrojmë pyetjen “idiotike” se pse shqiptarët nga Lugina, Mali i Zi dhe nga Maqedonia nuk u përfshinë në grupin punues për hartimin e abetares së ashtuquajtur “mbarëkombëtare”!?…, pse edhe sot kësaj dite shqiptarët që “veprojnë këtej kufirit administrativ” duhet të konceptohen si “vëllezër të dorës së dytë dhe me zarar”, pse ca politikanë, analistë dhe moderatorë të mjeteve vizuale të kryeqendrës së shqiptarëve duhet të na ngjitin nofkat: shqiptarë “maqedoncë, podgoricas, luginas e kosovarë primitivë, qaramanë e të tjera llagape” (!??)…, pse edhe sot e gjithë ditën e Perëndisë ca analistë nga Tirana vazhdojnë ta “ndërtojnë e ta ushqejnë” atë institucionin e inferioritetit të shqiptarëve këtej gardhit” (!??)…, ç’i duhej moderatorit, z. Arijan Çami, në “Zona e Lirë”, ditën e premte me datë 17 maj 2013 të bëjë zhurmë të madhe dhe të fryrë…, pse gjithë ai paragjykim i tij për Tetovën dhe tetovarët…, pse gjithë ky burim informacioni i tij shterpë ndaj qytetit me dy universitete, pse gjithë kjo habi e tij lidhur me organizimin e sfilatës së modës në Tetovë!??…, ç’i duhej atij t’i parashtrojë pyetjet: “kush janë këta njerëz që shkojnë në xhami…, kush janë njerëzit me ferexhe…”. Ja, të nderuar lexues, unë do t’i them Arijanit se ata njerëz pos që shkojnë në xhami (siç shkon ti në kishë), ata shkojnë në shkollë fillore, të mesme, shkojnë edhe në universitetin e Tiranës, Vlorës, Prishtinës, Tetovës, Harvardit, Kembrixhit, Sorbonës dhe s’di ku tjetër…, unë e di se ata të rinj dhe të reja nuk frekuentojnë “rrugët me drita të kuqe të Amsterdamit, Parisit, Milanos, Athinës e të tjera metropole të Evropës”.
Pse zonja e nderuar Zina Kondi (pavarësisht ca gjykimeve të saj të drejta për Tetovën dhe tetovarët) nga kjo sfilatë bëri “lajm orienti”…, a mos vallë kishte “harruar” se Tetova dhe qytetet e tjera shqiptare (këndej gardhit) shtrihen në oksident, ç’i duhej asaj të “degdis” në Tetovë, me atë trastën e saj, të mbushur plot e përplot me mendime të gabuara dhe të pambështetura. A mos vallë gjykimi i saj ishte paksa ofendues ku, pos të tjerash, tha: “Si ka mundësi këta njerëz kaq të PRAPAMBETUR të votojnë një grua për kryetar komune”! Unë, për hir të së vërtetës, do të shtoj edhe një informacion…, si ka mundësi që “…, këta njerëz të prapambetur (shqiptarë të Maqedonisë) të votojnë motrat dhe nënat e tyre për deputete, qofshin ato të jenë të BDI-së, PDSh-së a RDK-së”. Unë në këtë vështrim, kërkova maturi, mençuri a edhe ndonjë arsye tjetër paksa më të theksuar…, po mbase qofsha i gabuar!!
EDITOR
12 years ago
next article
Kupa e Maqedonisë nën masa të rrepta sigurie
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago