Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për nocionin Hipokrizi e jep këtë shpjegim: Ves i njeriut të keq që hiqet sikur është i mirë, i virtytshëm e i dashur me qëllim që të gënjejë të tjerët; qëndrim me dy faqe, sjellja e njeriut që nuk është i çiltër me të tjerët, që nuk zbulon fytyrën e vërtetë dhe që shtiret, të qenët hipokrit; fjalë, sjellje a diçka tjetër e rreme, që nuk i përgjigjet së vërtetës dhe që synon të mashtrojë të tjerët. Sillej me hipokrizi etj.
Para se ta vazhdoj këtë shkrim, do t’u referohem dy “vakive” si dhe një barsolete. Miqtë e mi me plotë gojë dhe me të drejtë do parashtrojnë pyetjen se ç’lidhje kanë këto “vaki dhe kjo barsoletë” me titullin e këtij shkrimi në veçanti me fjalën hipokrizi! Unë besoj se përgjigjja do të shfaqet më poshtë.
VAKIA 1
Mbaj mend kur dikur shkonim, unë dhe miqtë mi, në Selanik për të bërë pazare me tregtarët grekë. Meqenëse nuk e njihnim atë gjuhën e tyre, ne ia krisnim e flisnim maqedonisht duke menduar kinse kjo gjuhë (maqedonishtja) ishte më e avancuar se ajo jona, gjegjësisht gjuha standarde shqipe.
VAKIA 2
Disa ditë më parë ca senatorë amerikanë hodhën idenë për të nominuar me Çmimin Nobel për Paqe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Serbisë, Ivica Daçiç, si dhe baroneshën Ketrin Eshton (përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian që po ndërmjetëson bisedimet në nivel të kryeministrave të lartpërmendur). Pasi ky lajm mori “havanë”, në Kosovë dhe Serbi shkaktoi a ngjalli reagime nga më të ndryshmet…, disa e përshëndetën këtë, ca e “miratuan pjesërisht”, ca të tjerë që merren me analiza politike e kundërshtuan duke e konceptuar si një “shaka të trashë, pa kripë, shaka me zarar dhe së fundi si një shaka me thepa”!? Kundërshtarët politikë të kryeministrit të Kosovës me plotë gojën thanë se “ky çmim për paqe” Hashim Thaçit ndoshta do t’ia vazhdonte qeverisjen edhe për katër vjet, ose tërësisht do ta shpëtonte këtë qeveri nga korrupsioni dhe krimi i organizuar? Ca të tjerë thanë se Thaçi nuk e meriton këtë çmim nga fakti se gjatë bisedimeve të deritanishme (falë qëndrimit të butë të baroneshës Eshton) i kishte bërë lëshime të mëdha palës serbe (Si duket, serbët më pak humbën në luftë dhe më shumë fituan në paqe). Këto bisedime joparimore në vazhdimësi “shkelnin mbi rregullat a protokollin, duke e detyruar z. Thaçi të heqë dorë nga qëndrimi i tij parimor dhe i prerë… rreth organizimit territorial të Republikës së Kosovës së pasluftës”!?
Se a ka a s’ka hipokrizi në këto dy “vaki”, për ne ka pak rëndësi. Me rëndësi është pyetja se pse shqiptarët gjithandej ndihen inferior në raport me popujt e tjerë, pse shqiptarët duhet të karakterizohen me kompleksin e inferioritetit kolektiv (sidomos ata që jetojnë jashtë kufijve administrativë të shtetit amë), për ne me rëndësi është fakti se në ç’rrethana u ndërtua ky inferioritet yni, a mos vallë u krijua në rrethana tashmë të njohura, në rrethana të pabarazisë ekonomike, asaj sociale, kulturore, politike, arsimore e tjerë, rrethana rënduese (për ne) historikisht të njohura, pothuaj edhe të panjohura…, a mos vallë shqiptarët edhe më tej duhet të ndihen të nënvlerësuar, a mos vallë duhet ta vlerësojmë dikë a diçka më shumë sesa është në të vërtetë, a mos vallë edhe në të ardhmen kur “do të shkojmë në Selanik do të detyrohemi ta flasim gjuhën e shtetit biblik”, apo do të veprojmë ndryshe. Unë nuk e kam ndërmend që ta pllakos punën e deritanishme të Hashim Thaçit, po as ta kontestoj personalitetin e kryeministrit…, përkundrazi do të parashtroj pyetjen se pse atij nuk duhet t’i jepet Çmimi Nobel. Nëse këtë do ta kundërshtojmë, atëherë vetvetiu do ta vërtetojmë po edhe do ta ushqejmë atë teorinë që shkencërisht e shpjegon nocionin e kompleksit të inferioritetit a vartësisë te shqiptarët.
BARSOLETA
“Dikur moti, e kishin pyetur një fshatar serb nga Shumadija se çka dëshiron më së shumti në jetë, kurse ai kishte thënë – t’i ngordhë lopa fqinjit- komshiut! Po ti çka fiton me këtë, e kishin pyetur fshatarin? Ndërkaq ai ishte përgjigjur se asgjë nuk fiton vetë, por ama, fqinji humb!”
Para ca javësh, në prag të festës së Krishtlindjeve ortodokse, ministri serb, Aleksandar Vulin, kishte parapëlqyer ta vizitojë Gjakovën (me leje të zyrtarit të Zyrës Evropiane në Prishtinë, sllovenit Samuel Zhbogar. Mirëpo kjo vizitë “qe anuluar” me një vendim të nënshkruar nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, z. Bajram Rexhepi, si dhe me kujtesën dhe fjalët të vëna në rabush nga ana nënave gjakovare). Që kur “u fut” në territorin e Kosovës u vu re se në krahët e tij kishte dy strajca. Njëra ishte e mbushur me hipokrizi ulëritëse, me histori të ngatërruar, me ndjenjën e superioritetit-epërsisë intelektuale, ndërkaq e dyta ishte e mbushur me kompleksin e inferioritetit kulturor, me racizmin, me urrejtjen, me shovinizëm, megalomani, me atë kompleksin tejet të zhvilluar e të qenit katundar.., me filozofinë politike arkaike, krahinore dhe shoviniste…, me “ato sikletet dhe bezditë” e tij ndaj të vërtetës se Kosovën njëherë e përgjithmonë e ka të humbur. Ky farë politikani kishte menduar se do të shkojë në Gjakovë të hajë përshesh me kalamajtë…, por ja që nuk i dolën hesapet.
Kjo barsoletë ma rikujton atë përshkrimin që jepet për Ali Pashë Tepelenën – “koka në Stamboll, trupi në Janinë”. Ky përcaktim kushedi sa herë është lakuar, interpretuar, analizuar e shpjeguar nga ana gjuhëtarëve, sociologëve, psikologëve dhe mbase edhe nga politikanët dhe kundërshtarët e pashait famëmadh. Ndoshta këtij shkrimi në veçanti Vulinit, i shkon thënia “trupi në Serbi, bishti në Moskë e mendja në Kosovë”!? Ata që e njohin teorinë e psikanalizës së Zigmund Frojdit mund të thonë se kompleksi i inferioritetit dhe ai i superioritetit nuk kanë ilaç.
admin
11 years ago
previous article
Muhamed Amare
next article
Kur përmes paditurisë hiqesh dijetar i dijetarëve!!!
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago