Projekt i rishkrimit të Historisë së Popullit Shqiptar (që përjashton historianët shqiptarë nga Maqedonia e Kosova) është paraparë të përfundojë në vitin 2015, ndërkaq qëllimi kryesor, sipas ideatorëve të tij, është njohja e historisë së popullit shqiptar në dimensionet sa më realiste. Në realitet, së pari do të duhet të njihemi me njëri tjetrin për ta krijuar realitetin e kombit unik, gjuhës unike dhe historisë unike…
Shkëlzen HALIMI
Historia e çdo populli dhe e çdo vendi është një proces që nuk përfundon asnjëherë. Ndaj dhe plotësimi përmes rishkrimit të saj duhet kuptuar si një proces të natyrshëm. Por, për të arritur deri te e vërteta historike ose rivlerësimi dhe rishkrimi, duhet kaluar nëpër rrugë shumë të ndërlikuara. Historia e popullit shqiptar vazhdon të jetë një sfidë e veçantë jo vetëm për historianët, por edhe për konjukturat politike, të cilat jo në pak raste pikërisht historinë e kanë përdorur për qëllime grupore e të politikave ditore. Të gjithë pajtohemi me të vërtetën se historia e popullit shqiptar është NJË dhe e pandashme. Por, në praktikë, gjithnjë e më shumë po ndodh fragmetarizimi i saj, përkatësisht imponohen veprime që çojnë kah “konstatimi” se shqiptarët në fakt kanë disa histori dhe se “unifikimi i historisë së tyre do të bëhet kur të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë, do të bëhen pjesë e Evropës së Bashkuar”. Megjithatë, rishkrimi i historisë pritet të ndodhë dhe në këtë drejtim tashmë punohet.
Me vendim të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë është themeluar Komisioni i posaçëm për rishkrimin e historisë për arsimin parauniversitar, ndërkaq anëtarë të këtij Komisioni janë Paskal Milo (kryetar), Pllumb Xhufi, Afrim Krasniqi, Bernard Fisher (Bernard Fischer), Mjakëll Sheneke (Michael Scheneke), Lorenc Bejko dhe Dritan Egro.
Kreu i Komisionit, Paskal Milo do të rishohë historinë nga vitet 1912 deri në vitin 1939, ku veç Pavarësisë së vendit, do të trajtojë edhe figurën e Mbretit Zog, për të cilën vetë ai ka pasur jo pak kundërshti, gjatë këtyre viteve. Periudhën e Perandorisë së Bizantit, do ta trajtojë Pëllumb Xhufi, ndërsa periudha ilire do të jetë në dorën e Lorenc Bejkos. Nga ana tjetër, periudha e sundimit osman do të trajtohet nga Dritan Egro, kurse Afrim Krasniqi do të shkruajë historinë e pas vitit ‘89. Ndërkaq, dy periudhat që kanë hapur debat të madhe mes historianëve si edhe vetë politikës shqiptare, i janë lënë në dorë dy personaliteteve të huaja. Kështu, Bernard Fisher do të shkruajë historinë për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, ku përfshihet edhe lufta e LANÇ, për të cilën socialistët kanë kërkuar më shumë vlerësim për këtë pjesë, gjë që është kundërshtuar nga pala tjetër, e cila nuk nënvlerëson rolin e Luftës Nacionalçlirimtare, por nënvizon se pikërisht në kuadër të saj në vend erdhi regjimi më i egër komunist në të gjithë botën. Ndërkohë, gjermani Mjakëll Sheneke pritet të ketë detyrën më të vështirë në këtë Komision, pasi do të rishkruajë historinë e komunizmit. Pra nga kjo përbërje shihet si nga ky projekt janë “përjashtuar” historianët shqiptarë nga Maqedonia dhe Kosova.
Historia e Shqipërisë, apo historia e popullit shqiptar
Në pyetjen tonë se pse në këtë Komision nuk është përfshirë asnjë historian nga Maqedonia dhe Kosova dhe se a do të thotë kjo se shqiptarë jashtë Shqipërisë do të duhet të kenë një histori tjetër, Skëndar Hasani, historian dhe drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, thotë se “si në ekipet e tjera të deritashme, të cilat janë marrë me botimin e historisë së Shqipërisë, edhe te ky ekip ka shumë mangësi, duke filluar që nga përkufizimi i këtyre ekipeve apo komisioneve. Neve nuk na duhet komision që merret me rishikimin e historisë së Shqipërisë, por komision që merret me rishikimin e historisë së popullit shqiptar, i cili do të kishte për detyrë të heq mitet dhe ideologjizmat dhe të shkruhet një histori e cila do t’i mbijetonte kohës, dhe në të ardhmen që mos t’i lihet hapësirë ndonjë subjekti tjetër që do të vinte në qeveri, e i cili do të bënte prapë ndryshme në baza ideologjike. Ne vlerësojmë se është koha e fundit kur historia jonë do të shkruhet në mënyrë korrekte dhe të drejtë, pa hiperbolizime, ideologjizime apo mitizime. Komisioni i cili do të merret me këtë punë, duhet të ketë parasysh që të përfshijë në mënyrë reale historinë e trevave verilindore shqiptare dhe mos të gjykohet na prizmi i politikës së sotme zyrtare në këto treva jashtë shtetit të Shqipërisë londineze”.
Ndërkaq Qerim Lita, zëvendësdrejtor i Arkivit të Maqedonisë, shprehet se “në vitin 2011, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, ngarkoi Qendrën Albanologjike, përkatësisht Institutin e Historisë në Tiranë, që të rishqyrtoj historinë e popullit shqiptar gjatë shekullit XX. Për këtë qëllim ,një numër i madh i punëtorëve shkencor nga ky Institut, në bashkëpunim me disa punëtorë shkencorë nga Kosova dhe Maqedonia, gjatë viteve 2012-213, qëndruan në disa arkiva ndërkombëtare si: Uashington, Londër, Paris, Romë, Berlin, Sofje, Cetinjë, Vjenë, Bruksel, Lubjanë, Zagreb, Sarajevë, Shkup, Pragë, Moskë, Stamboll etj., me ç’rast kanë grumbulluar mbi 500 mijë dokumente me rëndësi për kombin shqiptar në përgjithësi, që nga mesjeta e hershme e deri në vitet nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Kjo ishte faza e parë e projektit që u realizua me shumë sukses, ndërsa faza e dytë parasheh botimin e Enciklopedisë Kombëtare Shqiptare, prej 12 vëllimesh. Për fat të keq ky projekt, siç jam i njoftuar nga drejtori i “Qendrës Albanologjike” në Tiranë, Ardian Marashi, për shkak mungesës së financave është ndërprerë”.
Shqiptarët, thotë më tej Lita, janë një komb dhe duhet të kenë një histori të përbashkët. “Çfarëdo vendimi tjetër që do të merret nga faktori politik shqiptar, shkon në dëm të historiografisë kombëtare shqiptare. Një popull mund të ecë përpara vetëm nëse e njeh mirë të kaluarën e vet historike, prandaj nuk do të dëshiroja që historia të merret me ne”, shprehet Qerim Lita.
Nga ana tjetër, Sevdail Demiri, historian i brezit të ri, i angazhuar në Sektorin për histori, pranë Institutit për Trashëgimi Shpirtërore në Shkup, është i mendimit se vetë fakti që ky komision është formuar për rishikimin e historisë së Shqipërisë, e jo historisë së shqiptarëve, tregon për një mangësi të tij të madhe. “Historia e një populli nuk mund të shkruhet në mënyrë parciale, ashtu siç determinojnë kufijtë politikë e artificialë të Ballkanit. Konsideroj se në këtë komision, domosdo do të duhej që të përfshiheshin edhe historianë kompetentë nga trojet tjera shqiptare në Ballkan, në mënyrë që nxënësi shqiptarë, përkatësisht gjeneratat e reja, të kenë mundësi të mësojnë një histori më objektive dhe më gjithëpërfshirëse. Historia dhe e vërteta është një dhe e patjetërsueshme, pavarësisht se në periudha të caktuara bëhen tentime për shtrembërimin e saj. Historia e Popullit Shqiptar duhet të mësohet si një tërësi, në prizmin e fakteve dhe të vërtetave shkencore. Fakti që shqiptarët sot jetojnë në disa shtete, nuk mund të jetë arsye që të kenë histori të ndryshme. Por, është për keqardhje nëse në shkollat e Shqipërisë nxënësve u servohet një histori e mangët, dhe aq më keq nëse e njëjta është e prirë të shkruhet në baza ideologjike të shkruesve të saj, të cilët dihet botërisht, se në rastin konkret, e afirmojnë ideologjinë e majtë. Është koha e fundit që qarqet akademike shqiptare, e jo institucionet politike (siç është Ministria e Arsimit e Shqipërisë në rastin konkret), të merren seriozisht me rishikimin e historisë tonë. Nëse tani do të ndodhin shkarje në këtë drejtim, atëherë pasojat do të jenë mëdha dhe afatgjata”, thotë Demiri.
Një tolerancë e pajustifikueshme
Rivlerësimi dhe rishkrimi i historisë janë procese me përgjegjësi dhe në kontekst të historisë së popullit shqiptar duhet të vijë në shprehje gjithë-përfshirja, sepse historia e popullit shqiptar është histori e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë ata. Departamentet e historisë shqiptare i kemi edhe në Shkup, Tetovë, Prishtinë, kurse dokumentet që e plotësojnë këtë histori i kemi, fatkeqësisht të paprekura, gjithandej nëpër arkivat e qendrave të ndryshme botërore. Për shembull, periudha e Mbretit Zog, nuk mund të shkruhet pa u shterur arkivat më të zëshme evropiane. Vetëm shqiptarët tolerojnë që historinë t’ua shkruajnë të tjerët, siç është rasti i angazhimit të dy historianëve të huaj (Bernard Fisher dhe Mjakëll Sheneke) që janë angazhuar ta shkruajnë historinë e partizanëve dhe komunistëve. Kjo është e pajustifikueshme.
Në fakt, si duhet të rishkruhet historia e popullit shqiptar? Skender Hasani është i mendimit se rishkrimi i historisë duhet të bëhet në mënyrë të tërësishme e jo parciale si dhe kompatibil me kohën dhe trendet zhvillimore të shkencës së historisë në Evropë dhe botë, ndërkaq Qerim Lita për këtë çështje jep këtë vlerësim: “Dihet mirëfilli se historia gjatë periudhës komuniste si në ish RSFJ, po ashtu edhe në Shqipëri, shkruhej sipas direktivave të qarqeve të atëhershme ideologjike. Shumë veprimtarë të shquar kombëtarë historiografia komuniste i konsideronte për “armiq” të popullit, vetëm e vetëm se ata ishin kundërshtarë të ideologjisë komuniste. Për fat të keq, një situatë ende më të rëndë e kemi ne shqiptarët në Maqedoni, ku fëmijëve tanë edhe sot ju mohohet ta mësojnë historinë e vërtetë të paraardhësve të tyre. E vetmja rrugë për ta rishkruar historinë tonë kombëtare, është themelimi i një Komisioni i përbërë nga specialistë nga Akademitë e Shkencave dhe arteve të Tiranës dhe Kosovës, Institutit të Historisë në Tiranë dhe Institutit të Historisë në Prishtinë dhe Institutit për Trashëgimi Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup”.
I të njëjtit mendimi është edhe Sevdail Demiri, i cili konsideron se “rishkrimin i historisë së popullit shqiptar duhet të bëhet nga ana e institucioneve kompetente arsimore e shkencore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Nxënësve shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë ata, duhet t’u mësohet një histori e vërtetë dhe objektive, pa hiperbolizime apo ideologjizime të ngjarjeve apo personaliteteve të caktuara nga e kaluara jonë”.
Duhet thënë se ky projekt është paraparë që të përfundojë në vitin 2015, ndërkaq qëllimi kryesor, sipas ideatorëve të tij, është njohja e historisë së popullit shqiptar në dimensionet sa më realiste. Në realitet, së pari do të duhet të njihemi me njëri tjetrin për ta krijuar realitetin e kombit unik, gjuhës unike dhe historisë unike… dhe pastaj të merremi me projekte kapitale, që nuk na paraqesin si popull me histori të fragmentarizuar.
Kadare: Debati për rishkrimin e historisë nisi mbrapsht
Pak muaj më parë, shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare deklaroi se debati për rishkrimin e historisë në Shqipëri ka filluar mbrapsht. Në një intervistë për gazetën “Illyria” në New York, Kadare ka pohuar se në debat u hodhën ide monstruoze se ishte komunizmi shqiptar që ka himnizuar Skënderbeun dhe Rilindjen. “Debati për rishkrimin e historisë në Shqipëri filloi krejtësisht mbrapsht: jo me historinë e gabuar të rendit që sapo ra, por me Kastriotin, pushtimin turk dhe Rilindjen. E sikur të mos mjaftonte kjo, në debat u hodhën ide monstruoze se ishte komunizmi shqiptar që na paska himnizuar Skënderbeun dhe Rilindjen! Me një fjalë, gjithçka u trajtua kokëposhtë, duke përfunduar në një lavdërim djallëzor të tiranisë së përmbysur! S’po zgjatem me ndërhyrjen për ta quajtur robërinë osmane liri, që ka qenë poshtërimi publik më i madh ndaj kombit. Përpara kemi 70-vjetorin e çlirimit dhe me ç’po duket, kjo do të jetë një tjetër vjegë për përçarje dhe grindje të lodhshme. Rishkrimi i historisë së shekullit XX, është një proces në zhvillim për shumicën e vendeve të Evropës. Ndarja në “fitimtarë dhe të mundur” është më e ndërlikuar se ç’paraqitet. Pas ballinës së jashtme nuk mund të mbulohen krimet e mëvonshme, as tiranë të llojit të Stalinit, që u shpall ca kohë si njeriu që mposhti Hitlerin. Le të shpresojmë që të ketë një shqyrtim gjakftohtë, përtej interesave të krahëve të sotme të politikës, si për ngjarjet kryesore, si për tragjeditë, qoftë asaj të 4 shkurtit, qoftë asaj të Tivarit (Këtij Katyni të Shqipërisë) e kështu me radhë”, – u shpreh shkrimtari shqiptar me famë ndërkombëtare.
Princ Leka II: Kundërshtarët e Mbretit s’mund të shkruajnë për Mbretin
Princ Leka II, pinjolli i familjes Zogu, një nga figurat më të debatuara të historisë së shqiptarëve, del kundër rishkrimit të historisë, nga një komision i ngritur nga qeveria. I pyetur Ora News rreth kësaj çështje, Princ Leka thotë se një komision i tillë nuk ka kredibilitet, dhe se çdo pasaktësi që lidhet me figurën e Mbretit, do të ballafaqohet me fakte nga oborri mbretëror. “Jam plotësisht në dijeni të këtij debati. Fakti është që historinë po e rishikon një kryetar i një partie politike. Që këtu fillon mungesa e kredibilitetit. Për më tepër, ai që do ta shkruajë historinë e kohës së Mbretit Zog, së bashku me anëtare të tjerë, është kundërshtar i hapur i figurës së Mbretit Zog dhe idhëtar i kohës së komunizmit. Për aq kohë sa historinë do ta shkruajnë e rishkruajnë komunistët, vendi ynë fatkeqësisht do të mbetet larg të vërtetës. Oborri Mbretëror do ballafaqojë me fakte çdo pasaktësi që lidhet me figurën e Mbretit. Në këtë moment nuk dëshiroj të shprehem më tepër publikisht”./koha/