Studentët e katedrës së psikologjisë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, të udhëhequr nga profesorët: Doc. Dr. Musa Musai, Mr. Memet Selmani, Mr. Fitore Bajrami, Mr. Ibrahim Neziri, Mr. Kushtrim Ahmeti, Mr. Behare Kasami dhe Mr. Nita Beluli, ishin  në vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, më saktë, në qytetin e Stambollit, prej datës 17.05.2013 deri më 21.05.2013.
Gjatë qëndrimit të tyre në Stamboll realizuan takime me dy universitetet më të shquar në Republikën e Turqisë, gjegjësisht, Istanbul University- Katedra e psikologjisë dhe Bogaziçi University- Katedra e psikologjisë. Gjatë vizitës në universitetin e parë, profesorët dhe studentët e USHT-së u pritën nga stafi i programit studimor të psikologjisë, të cilit i printe Prof. Dr. Ayse Aycicek-Dinn (shefe e katedrës së psikologjisë), Doc. Dr. Sevtap Cinan dhe Doc. Dr. Aydan Aydin, ndërsa grupi i studentëve tanë u pritën nga asistentët dhe studentët e drejtimit në fjalë ku patën mundësi të vizitonin dhe njoftohen me kushtet dhe hapësirat e katedrës së psikologjisë të këtij universiteti, përpos kësaj, studentët tanë patën mundësinë e shkëmbimit të eksperiencave me studentët e atjeshëm.
Takimi i profesorëve u zhvillua në dy drejtime: i pari ishte njoftimi kolegial, ndërsa në fazën e dytë të bisedimeve u shtruan mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë profesional mes kuadrove të këtyre dy universiteteve, në kuadër të së cilit profesorët e Istanbul University njoftuan kuadrin tonë në lidhje me përvojat profesionale të tyre duke pasur parasysh se katedra e psikologjisë në këtë universitet funksionon që nga viti 1916, me kushtet e punës dhe mundësitë e hulumtimeve shkencore që ata i kishin realizuar në kuadër të katedrës së tyre. Karakteristikë tjetër që u potencua ishte programi Erasmus që ata ishin në proces të aplikimit, një mundësi e mirë për mobilitet të stafit dhe studentëve.
Vizita tjetër u realizua në Universitetin prestigjioz të Stambollit, Bogaziçi. Edhe në këtë universitet, delegacioni i ynë u prit nga stafi akademik i katedrës së psikologjisë. Prof. Dr. Bilge Atacan dhe stafi akademik na njoftuan me kushtet e punës në këtë universitet, duke potencuar investimin që ata bënin në punën hulumtuese dhe eksperimentale. Gjegjësisht, pranë kësaj katedre ekzistonin laboratorë të veçantë ku realizoheshin eksperimente dhe hulumtime longitudionale mbi zhvillimin psikosocial dhe kognitiv të individit.
Mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë profesional mbeten si qëllim i përbashkët për të cilin mendohet në të ardhmen do të jetë i mundshëm për stafet e të dy universiteteve. Pas vizitave zyrtare delegacioni i USHT-së shfrytëzoi nga rasti për të vizituar edhe disa monumente të rëndësishme kulturore në qytetin e Stambollit, mes të cilave mund të theksojmë: Aja Sofia, Anadolu Rumeli Hisar, Panorama 1453, Sulltan Ahmed dhe të ngjashme.