Katër deputete të parlamentit turk, kanë marrë pjesë në një seancë parlamentare, për herë të parë të veshura me shami, vetëm një muaj pasi u hoq ligji që e ndalonte. Burime të informacionit, bënë me dije se deputetët e tjerë të partisë në pushtet, i uruan katër koleget e tyre për vendimin e marrë, pasi ata nuk kanë mbajtur më parë shami. “Nuk e dimë si do të reagojnë, por ne do të hyjmë me shami në parlament” u shprehën katër deputetet para fillimit të seancës.
Shtypi më i madh amerikan, i ka kushtuar vëmendje kësaj ngjarjeje të rrallë në Turqi. Uashington Post e ka konsideruar çështjen e shamisë në Turqi, si çështjen me të ndjeshme në këtë vend, pasi republika turke është themeluar sipas standardeve laike më të rrepta. Me hyrjen e grave me shami në parlament, tashmë është shfuqizuar një ligj të cilin askush më parë nuk guxonte ta shkelë.
Foks Njuz, thotë se lejimi i mbajtjes së shamisë në institucionet publike, hyn në paketën e reformave që synojnë përmirësimin e imazhit demokratik të vendit.
Kiliçidar: Të lumtur për këtë ditë!
Kryetari i partisë popullore rebulikane, partia më e madhe opozitare në Turqi, Kemal Kiliçidar, është shprehur i lumtur për seancën parlamentare ku merrnin pjesë edhe katër deputete me shami.
Të gjithë prisnin ndonjë reagim të fortë dhe të ashpër nga partia më e vjetër dhe pretendentja e mbrojtjes së parimeve laike që vendosi Ataturku, themeluesi i Turqisë moderne. /ardhmeriaonline/